Loja e Serbisë me tri Naracione - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Loja e Serbisë me tri Naracione

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
14.10.2021 15:43

Aleksandar Vučić, Presidenti i Serbisë dhe me gjasë, lideri më i fuqishëm i këtij shteti në njëzet vjetët e fundit  (a më shumë), është treguar i gatshëm që për sigurimin e interesave dhe orientimeve politike të tij, të bëjë politikë hibride, e cila realisht, është përzierje e disa naracioneve politike dhe historike, të cilat shpeshherë janë në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Kjo politikë gjithsesi është e veçanta më e madhe e tij, si një lider i cili ka prirje të qarta autoritariste, teksa legjitimohet me zgjedhje demokratike  (gjë që është kundërthënie në veti).

Naracioni i parë politik i tij është ai që në parim e lidhë me pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor  (WB6), për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Dihet që një ndërmarrje e tillë do të duhej t’i kontribonte sigurisë së tashme dhe stabilitetit afatgjatë të kësaj pjese të Evropës, e cila përndryshe, siç e dimë të gjithë, sivjet disa herë ka rrëmbyer kryelajmet në mediat e Perëndimit, me ngjarje dhe zhvillime të cilat dëshmojnë ekzistimin e mëtejmë të potencialit problematik për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Vučić e di mirë që Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e kryer punën me Kosovën, apo pa arritur Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, nuk ka si t’i ikë trajtimit të kryetemës së saj, apo njohjes reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Si mund, zatën, të paramendohet normalizimi i mirëfilltë i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk do ndodhë njohja midis dy shteteve, duke vendosur marrëdhënie të plota diplomatike?

Pra, ky Naracion imponon ’llogaritë e pasërta’ të Serbisë me Kosovën, me shtetet e tjera në rajon, me vetëveten, tek e fundit  (reformimi rrënjësor i politikës dhe i shoqërisë serbe).

Sikur Vučić t’i rrinte besnik vetëm këtij Naracioni politik, rajoni nuk do të përballej me problemet e shumta politike dhe të sigurisë, veçmas muajve të fundit, apo, do të kishim rrethana më të qeta, më të volitshme, për një bashkëpunim midis shteteve të WB6, teksa gjithashtu edhe dialogu në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, do të kishte një rrjedhë më pozitive, me një perspektivë për arritjen e Marrëveshjes Ligjësisht Obligative.

Megjithatë, Vučić njëkohësisht me këtë Naracion politik, aplikon një tjetër, i cili bazohet në ndërtimin e raporteve shumë të afërta politike dhe të sigurisë  (ushtarake), me Rusinë, dhe në krijimin e marrëdhënieve shumë të mira ekonomike me Kinën.

Vet ky Naracion si i tillë, bie ndesh me orientimet kryesore të BE-së, të cilat janë artikuluar edhe në Samitin e qershorit në Bruksel, në mes të SHBA-së dhe BE-së, por edhe në Samitin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bërdo  (të Sllovenisë).

Ky Naracion i duhet Vučićit në shumë aspekte.

Së pari, ta relativizojë, sa më shumë që është e mundur, atë domodoshmërinë që del nga Naracioni i Parë, për ’qërimin (final) të hesapeve’ me Kosovën, përmes asaj Marrëveshjes Gjithpërfshirëse.

Në atë praninë e përditshme mediatike të tij, e cila është e pashembullt për liderët e shteteve në rajon, Aleksandar Vučić, kur bëhet fjalë për Kosovën, shumë rrallë e përdorë këtë Naracionin e Parë  (këtë e bëri në deklarimet e tij pas Samitit në Bërdo, para pak kohësh), dhe shumë më shpesh këtë Naracionin e Dytë, duke llogaritur edhe në faktin që Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e Rusisë dhe Kinës si dy shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe që Kosova nuk mund të bëhet shtet anëtar i OKB-së pa mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës.

Së dyti, Vučić synon që në këtë mënyrë ai ta fuqizojë potencialin e vet negociator me BE-në në të ardhmen, teksa nuk është aspak e qartë se kur dhe si Bashkimi Evropian do t’i kthehet politikës së vet të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Më në fund, siç u kuptua fare qartë këtë javë, Presidenti i Serbisë përdorë edhe Naracionin e Tretë Politik, duke u thirrë në një trashëgimi, realisht krejtësisht të paqenë të RSFJ-së dhe liderit të saj, Josip Broz Titos.

Vučić, i shoqëruar madje nga Sergey Lavrov, Ministri i Jashtëm i Rusisë, ishte nikoqir i një Tubimi të madh ndërkombëtar në Beograd, në shënim të 60 vjetorit të Samitit të parë të Lëvizjes së shteteve të painkuadruara  (të mbajtur në vitin 1961).

Kjo Lëvizje pati rolin e vet në kohën e ’Luftës së Ftohtë’, dhe Jugosllavia e atëhershme komuniste pati forcuar pozicionin e vet ndërkombëtarë me hisen që kishte në këtë organizatë.

Natyrisht, Vučić dhe pushteti i tashëm i Serbisë, pati edhe motive të tjera, shumë më specifike, për të qenë nikoqir i kësaj ngjarjeje për një Lëvizje e cila tutje ekziston, teksa vet Serbia, as që është anëtare fuqiplotë e saj  (një tjetër paradoks kur flitet për këtë Naracion politik të Vučićit), por ka statusin e ’shtetit vëzhgues’.

Motivi i parë ka të bëjë me atë politikën e jashtme të viteve të fundit, që njeh përpjekjet e parreshtura, të pezulluara në fakt për një vit në shtatorin e vitit të kaluar  (me Marrëveshjen e Washingtonit), për t’i bindur shtetet e veç që më parë kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të heqin dorë prej saj  (prej njohjes).

Edhe në deklarimet e Vučićit pas këtij Tubimi, ai u thirr në Kartën e OKB-së  (në kundërshtim të pavarësisë së Kosovës), teksa dihet që në të vërtetë, është një rrëfim i qartë ligjor dhe politik që lidhë Kosovën me OKB-së, një herë përmes Rezolutës 1244 të OKB-së, pastaj, përmes Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën u kërkua opinioni ligjor për pavarësinë e Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë  (ICJ). Dihet se çfarë opinini, në korrikun e vitit 2010-të, dha ICJ.

Motivi i dytë, i mbajtjes së kësaj Mbledhjeje të Lëvizjes së shteteve të painkudruara në Beograd, përkon me tregtinë me armë të shtetit të Serbisë, apo, të shitjes së tyre për këto shtete, teksa njëkohësisht blenë armë të më reja dhe më të sofistikuara nga Serbia.

Siç po shihet, të tri këto Naracione të Vučićit, janë të lidhura shumë për Kosovën dhe finalen e bisedimeve në Bruksel.

Poqëse ky, dhe këtu rolin dhe ndikimin kryesor do të duhej ta kishin SHBA-ja dhe BE-a, do të mbante në fuqi vetëm Naracionin e Parë, (duke hequr dorë prej dy të tjerëve), bisedimet e Brukselit do të mund të mbërrinin në ’Stacionin’ e duhur, veçmas nëse BE-ja do ta vazhdonte politikën e zgjerimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

 

lajme të ngjashme