Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Loja e rrezikshme e Berishës me “gjenocidin serb”

123
string(12) "Andi Bushati" string(72) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/05/bushati-2-840x440-1.png"
nga Andi Bushati 14.05.2022 10:00

Sali Berisha ka dëshmuar edhe një herë kapacitetin e tij politik për t’i ngritur kurthe të pakapërcyeshme kundërshtarëve. Ai e detyroi sot kopenë e deputetëve socialistë të hidhnin poshtë, me shumicë votash, një rezolutë që dënon gjenocidin serb në Sebrenicë gjatë luftës në Ballkan, në fillim të viteve ‘90. Ai provoi edhe njëherë tezën që përsërit me kokëfortësi, që prej aventurës së rrezikshme të shkëmbimit të teritorreve, se midis Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiqit ekziston një lidhje okulte që nuk e lejon kryeministrin tonë të rreshtohet në sinkron me vlerat e botës perëndimore.

Këtë senacë, në kuvend, Sali Berisha kishte ngazëllimin e plakut të shndërruar në fëmijë, teksa endej me celular në dorë për të fotografuar ministrat dhe deputetët e majtë, që ngrinin lart katronat e kuq për mohimin e gjenocidit serb. Ai nuk e përmbante dot entuziazmin teksa shihte kundërshtarët e tij politikë të adoptonin një qëndrim që do e kishin zili edhe në Moskë edhe në Beograd.

Edhe më në favor të tij e shndërronin situatën justifikimet idiote të Taulant Ballës, që i shmangej thelbit të çështjes me arsyetimet se tufa e tij nuk mund të votonte projekt rezolutën e një non -grate, të vdekur, që dikur thyente embargon e naftës ndaj ish-Jugosllavisë.

Me perversitetin e tij, Sali Berisha ia arriti sot t’i vendoste marionetat e Ramës në një pozicion të vështirë. Sepse gjenocidin serb, në masakrën e korrikut 1995 në Sebrenicë, ku u masakruan 8 mijë burra dhe adoleshentë myslimanë, e ka njohur tashmë edhe Gjykata Penale e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi, edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë edhe Parlamenti Europian. Atë ka dështuar ta njohë OKB-ja si pasojë e një vetoje të Rusisë në 2015 dhe nuk e pranojnë vetëm ekstremistët e Beogradit apo ata të Republika Srpskas në Bosnje.

Pra, duke shkrepur pafundësisht celularin e tij Berisha shprehte gëzimin malinj që i kishte detyruar  deputetët socialistë të bëheshin njësh me ‘botën serbe”.

Por, sado i rëndë të jetë ky episod për Edi Ramën dhe socialistët, sado të dëshmojë ai për vartësinë nga Vuçiq, mbi të cilën kryeministri ynë ka ngritur një këmbë të lobingut dhe reputacionit të tij ndërkombëtar, sado që ai të diskreditojë kundërshtarin në luftën e vet politike, ky hap i Sali Berishës nuk është i llogaritur mirë. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Sepse dëmi që i bëhet në këtë rast Edi Ramës është shumë më i vogël se njolla që i mbetet Shqipërisë.

Nga sot e tutje, kushdo që të gërmojë në arkiva, kushdo që do të lundrojë në internet, do të gjejë një lajm se parlamenti ynë ka rrefuzuar ta dënojë gjenocidin serb në luftën e Bosnjës. Dhe kjo është një njollë që i mbetet gjithë shqiptarëve, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në kohën që u shqyrtua kjo rezolutë. Prandaj në raste të tilla, forcat politike përpara se të shpallin nisma të ngjashme, bien paraprakisht dakord me njëra-tjetrën, për të shmangur çdo të papritur.

Si një ish-president dhe ish-kryeministër, si një politikan me përvojë 30 vjeçare, Berisha e di mirë këtë. Ai është i ndërgjegjshëm se nuk mund të nxirret përfitim në politikën e brendëshme nga një çështje që të koston në arenën ndërkombëtare. E megjithatë me gjakftohtësinë e një kundërshtari cinik dhe me entuziazmin e një fotografi amator, ai e kapërceu këtë prag, duke e nxirë vërtet Edi Ramën, por duke spërkatur me cërklat e tij edhe fytyrat e të gjithëve ne.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme