Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Llogaritë e papaguara të BE-së 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 25.01.2023 08:58
blerim shala

Punët a papërfunduara të Bashkimit Evropian. 

Edhe në këtë mënyrë mund të përshkruhet (shumë sakt, madje), çfarë na pret tash e tutje  në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili do të  duhej gjatë këtij viti (në skenarin më të mirë të mundshëm), të konkludohet me  Marrëveshjen Themelore të këtyre dy shteteve. 

BE-ja është cilësuar shumë herë si një përbindësh ekonomik dhe një xhuxh politik, dukuri  kjo fare e rrallë në histori. 

Në rastin e Kosovës, Bashkimi Evropian, pa dyshim, ka luajtur një rol të madh që nga vitet  e luftës e këndej. Por, megjithatë, asnjëherë nuk arriti të dëshmojë që është në gjendje të  merr vendime të mëdha për Kosovën, të cilat do t’i jepnin fund kësaj teme në Bruksel, dhe  do të konfirmonin fuqinë politike të BE-së. 

BE-ja ka pasur përfaqësuesin e vet në Procesin e definimit të statusit të Kosovës, të prirë  nga Presidenti Ahtisaari. Ishte ky diplomati i shquar austriak, Stefan Lehne. Për më shumë,  në atë fazën shtesë të negociatave për statusin e Kosovës, (në verën, vjeshtën e vitit 2007),  BE-ja madje ka pasë rolin qendror, përmes diplomatit të njohur gjerman, Wolfgang  Ischinger. 

Te dytë, Lehne dhe Ischinger nuk panë tjetër solucion për statusin e Kosovës, pos atij të  propozuar prej Presidentit Ahtisaari: Pavarësinë e Kosovës, fillimisht të mbikëqyrur  ndërkombëtarisht. 

Këtë qëndrim e pati mbështetur edhe Javier Solana, asokohe Shef i diplomacisë së BE-së. Përkundër të gjithave, BE-ja nuk arriti të ketë qëndrim unik për statusin e Kosovës, në  dimrin e vitit 2008. 

Ishte ky dështim i madh i Bashkimit Evropian. 

Kur Kosova u pavarësua, në vitin 2008, pesë shtete të BE-së nuk iu bashkuan 22 shteteve  tjera, apo, ato nuk njohën pavarësinë e Kosovës. Ishin këto: Spanja, Greqia, Sllovakia,  Rumania dhe Qipro. 

Mungesa e unitetit në BE, në atë vitin 2008 (dhe më pas), i ka shkaktuar dëme Kosovës  shumëfish më të mëdha se sa Rusia dhe Kina së bashku.  

Po të ishte ndryshe, apo sikur të gjitha shtetet e BE-së ta kishin njohur Kosovën në vitin  2008, nuk do të kishte pasur nevojë kurrë për një dialog të mirëfilltë politik në mes të  Autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. 

Secili pushtet i Serbisë do të ishte ballafaquar, në atë rast, me domosdoshmërinë e bërjes  së një dialogu krejtësisht teknik me pushtetin e Kosovës, në përkrahje të jetësimi të Pakos  së Presidentit Ahtisaari, veçmas kur bëhej fjalë për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit  serb në Kosovë.  

S’do mend që qëmoti Kosova dhe Serbia do ta nënshkruanin Marrëveshjen për  normalizimin e marrëdhënieve. Kosova, poashtu, tashmë kishte pasur statusin e shtetit  kandidat për anëtarësimin në BE, dhe me gjasë, do të ishte fare pranë hyrjes në Aleancën  Veri-Atlantike (në mos edhe do të ishte anëtar).

Në të vërtetë, kur dihet se çfarë rrethanash ndërkombëtare kanë mbretëruar në Botë, dhjetë  vjet më parë, Marrëveshja eventuale në mes të Kosovës dhe Serbisë (qoftë edhe pa njohjen  formale, apo, në këtë trajtën që është tani aktuale), do të mund t’ia hapte Kosovës edhe  portën e anëtarësimit në OKB. 

Ky konkludim është gjithsesi i qëndrueshëm, dhe do të mund të argumentohej lehtë dhe  bindshëm. 

BE-ja, në anën tjetër, nuk ka pasur asnjëherë unitet të mirëfilltë edhe prej se, në vjeshtën e  vitit 2011, në vijim të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mori timonin e  dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.  

Ka qenë iluzore atëherë, dhe njëlloj iluzore është sot e kësaj dite, të pritet që përfaqësuesit  e Kosovës dhe të Serbisë vet do të arrijnë tek Marrëveshja Gjithpërfshirëse/ Ligjërisht  detyruese (Brukeli di së paku se si t’i emërtojë Marrëveshjet), me një dorë lehtësuese të  Bashkimit Evropian. 

Dialogu 12 vjeçar, herë teknik, herë politik, e herë as teknik dhe as politik, ka mbërri tani  në fazën kur sërish varet nga gatishmëria dhe gjindshmëria e BE-së, pikërisht (nëse i  kthehemi fillimit të këtij shkrimi), për t’i përmbyllur punët e lënë të papërfunduara që nga vitet 2007, 2008. 

Nuk ka kurfarë dyshimi se si do të merr fund kjo ndërmarrje e re ndërkombëtare për arritjen  e Marrëveshjes themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila madje është emërtuar si  ‘Propozimi Evropian’ (pikërisht me qëllim të krijimit të unitetit në BE), nëse njëmend të  gjitha 27 shtetet e BE-së do të jenë së bashku në mbështetjen e tij.  

Rendi është që BE-ja më në fund t’i kryej punët e veta. 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme