Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Llogaritë absolutisht të sakta

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 09.02.2022 15:14
blerim shala

Rrugëtimi historik dhe politik i shqiptarëve të Kosovës, prej okupimit nga Serbia në vitin 1912, deri te çlirimi në vitin 1999, mund të përshkruhet si një seri e rëndë humbjesh a disfatash të njëpasnjëshme, dhe si një fitore e vetme, e cila ka mjaftuar për t’i dhënë fund robërisë dhe për ta bërë pastaj, në vitin 2008, Kosovën shtet të pavarur.

Statistika e të gjitha këtyre përpjekjeve gati një shekullore, njeh tragjedi të shumta, dhjetëra mijëra të vrarë (a më shumë), qindra mijëra të ndaluar dhe të burgosur, së paku një milion e gjysmë (a më shumë) të shpëndarë pikë dhe pesë në të katër anët e Botës.

Deri në këtë fitoren e madhe të vitit 1999, ka qenë shumë e kuptueshme pse politikanë dhe historianë, gazetarë dhe publicistë, njerëz të thjeshtë, tek e fundit, kanë bërë shqyrtime dhe analiza të shumta, për të kuptuar disi ku i bëmë gabimet tona, të cilat pamundësuan jetësimin e një të drejtë e vetëkuptueshme, për të vendosur vet për fatin tonë, kur dihet cila ka qenë struktura etnika e Kosovës.

Mbase, kjo qasje ka lënë aq shenjë dhe aq trashëgimi ndër ne, saqë edhe kur gjithçka, në vitin 1999, eci si duhet, edhe kur pra mbërritëm të çlirohemi, me 20 qershor të këtij viti  (kur forcat e fundit ushtarake, policore dhe paraushtarake të Serbisë ikën nga Kosova), ne sërish ushtrojmë këtë ‘zejen’ e gjetjes së gabimit në këtë udhëtimin tonin final, i cili, si gjithë të tjerët pararendës të tij, kaloi nëpër shumë viktima, vendbanime të rrënuara dhe shpërngulje masive.

Kjo qasje po vjen pra sërish në shprehje ditëve të fundit kur këndejpari, më së shumti me debate televizive, po shënohet 23 vjetori i Konferencës së Rambouilletit.

Krejt çfarë ka ndodhur në periudhën kohore prej 6 shkurtit, kur në Kështjellën e Rambouilletit u hap Konferenca e Rambouilletit, e deri më 20 qershor, kur ndodhë çlirimi i Kosovës, i përngjet një skenari më të mundshëm politik, gjë që është dukuri shumë e rallë, veçmas për popujt historikisht të përvuajtur, çfarë janë shqiptarët e Kosovës.

Delegacioni i Kosovës ishte i vetëdijshëm për të gjitha të mirat dhe të gjitha të metat e Dokumentit të Rambouilletit. E mira supreme e tij kishte të bënte me një dyzim të pranisë ushtarake të Aleancës Veri-Atlantike, të instalimit të demokracisë në Kosovë, dhe të mundësisë që pas një periudhe të caktuar kohore  (trevjeçare), të vendoset për statusin e Kosovës.

Refuzimi i Serbisë së Slobodan Miloševićit për ta nënshkruar këtë Propozim të Grupit të Kontaktit  (pra, edhe të Rusisë, pos pesë shteteve më të mëdha të Perëndimit), solli, me 24 mars, fillimin e fushatës së Paktit NATO, dhe përfundimin e luftës në Kosovë, me një paqe të qëndrueshme dhe me një Administrim Ndërkombëtar të Kosovës, për të cilin ky vend gjithsesi kishte nevojë pas asaj humnere në funksionimin e Kosovës të cilën e pati krijuar Serbia për një decenia të tërë  (prej vitit 1989 deri në atë 1999).

Kjo është e vërteta e plotë për zhvillimet në atë dimrin dhe pranverën kosovare të vitit 1999.

Pyetja e cila shtrohet për çdo vjet në këtë kohë, në shkurtin politik që nisë me Rambouilletin e përfundon me ditën e shpalljes së pavarësisë, është: Çka do të ndodhte sikur Serbia do ta nënshkruante Dokumentin e Rambouilletit?

Përgjigjet pastaj shtrojnë edhe mundësinë që Kosova disi do të mbetej brenda Serbisë, dhe që ky vend kurrë nuk do të çlirohej dhe kurrë nuk do të bëhej shtet.

Pyetja e mirëfilltë, e cila do të duhej të paraqitej në këtë rast, duket se është kjo: Pse në të vërtetë pushteti i atëhershëm i Serbisë nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Rambouilletit, edhe pse Slobodan Milošević e ka ditur shumë mirë që ky refuzim i tij, do ta sjell bombardimin e Aleancës Veri-Atlantike?

Ai e kishte kuptuar që këtu nuk kishte blof politik, apo që dështimi i Misionit të fundit të Richard Holbrook-ut dhe Christohper Hill-it, dyshes së njohur të diplomatëve amerikanë, në gjysmën e dytë të muajit mars, do të shtyjë Javier Solanën, Sekretarin e atëhershëm të Përgjithshëm të Paktit NATO, të jep urdhërin për fushatë.

Por, Milošević dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, kur lexuan Propozimin final të Dokumentit të Rambouilletit, kuptuan që në të vërtetë, kjo Marrëveshje mundëson që të shkëputen, gradualisht, hap pas hapi, të gjitha lidhjet e Kosovës dhe Serbisë, dhe që brenda një periudhe kohore afatmesme, një gjendje de fakto në terren e pavarësisë politike të Kosovës dhe me mbrojtje ushtarake të KFOR-it, do të shndërrohet edhe në një pavarësi formale.

Midis humbjes së Kosovës përmes një Dokumenti të paqes, të nënshkruar vullnetarisht prej tij, dhe humbjes së Kosovës pa pëlqimin e tij dhe në një luftë me Fuqinë më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit, Milošević zgjodhi variantin e dytë.

Humbja e Kosovës me luftë, nënkupton mundësinë edhe të kthimit me luftë.

Kështu zatën rezonojnë shumë emra të qareve politike, intelektuale, madje edhe fetare në Serbi.

Milošević gjithsesi ka llogaritur edhe në thyerjen e unitetit të NATO-s, edhe në ndihmën eventuale të Rusisë, edhe në ri-hapje të negociatave për Kosovën, në kërkim të ndonjë Dokumenti më të pranushëm për te.

Por, të gjitha llogaritë e tij dolën të gabuara në atë vitin 1999, dhe të gjitha llogaritë tona dolën të sakta.

Kështu mbërritëm tek qershori i vitit 1999, e më pas, edhe deri te shkurti i vitit 2008.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme