Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Libri ‘War’ i gazetarit Bob Woodward (II): Historia nis një minutë para mesnatës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.11.2024 16:42
Blerim Shala
Blerim Shala

Historia që zë vend në librin ‘War’ nis të hënën, më 30 gusht, një minutë para mesnate, saktësisht në ora 23.59.

Kështu nuk nisë libri, të kuptohemi.

Viti është 2021. Me 20 janar të këtij viti, Joseph Biden, ishte betuar si Presidenti i ShBA-së, pas një fitore bindëse ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

Dy javë më parë, me 6 janar, demokracia amerikane përjetoi një tronditje të madhe kur mijëra protestues të dhunshëm, të shtyrë e të inkurajuar nga Trump, i cili assesi nuk e pranoi disfatën zgjedhore dhe pandërprerë pohonte që atij i është vjedhur mandati i dytë presidencial, iu vërsulën me çka patën në duar, edhe me armë zjarri, siç do të vërtetohet më pas, ndërtesës së Kongresit.

Diçka e tillë ishte e paparë në historinë e re të Amerikës.

Kjo ngjarje që u mbyll me gjashtë viktima, dëshmonte që shoqëria dhe politika amerikane është e ndarë keq në dysh, që demokracia është seriozisht e kërcënuar përbrenda, dhe që SHBA si shteti ende më i fuqishëm në Botë, po sprovohet nga brenda.

Pak më shumë se nëntë muaj më vonë, me 30 gusht, pak para mesnate, ushtari i fundit amerikan do të largohet nga Aeroporti i Kabulit në Afganistan.

Presidenti Biden i mbeti besnik zotimit të tij të kamotshëm që do ta tërheq Ushtrinë Amerikane nga lufta më e gjatë të SHBA-së që prej themelimit në vitin 1776.

Kush do të mund të besonte që forcat amerikane qëndruan rrafsh njëzet vjet në një shtet që prej kohës së Perandorisë Britanike njihej si ‘varri i perandorive’.

Braktisja e Kabulit dhe Afganistanit u bë në mënyrën më të keqe të mundshme, në një lëmsh të madh politik dhe të sigurisë, teksa skenat e Aeroportit të Kabulit të vitit 2021, nuk kishin si të mos i shfaqnin sërish tablotë e largimit nga Saigoni në vitin 1973 (Saigoni ishte kryeqyteti i Vietnamit Jugor), pasiqë SHBA e kuptuan që nuk kanë më çfarë të kërkojnë në Vietnam.

Këto fotografi dhe xhirime televizive, e bën qarkun rreth e rreth Botës për disa ditë në vijim, teksa të bëra bashkë me ato pamjet e trazirave të 6 janarit në Washington, mund të parathonin që tatëpjeta e madhe e Amerikës nuk do të ketë të ndalur në vitet e presidencës së Joe Bidenit.

Për më keq, gjithçka po ndodhte fare pak ditë para 11 shtatorit të vitit 2021, kur do të shënohej njëzetvjetori i sulmit mbi Amerikë të Al Qaedas së Osama bin Ladenit, i cili u bë sebep i mësymjes së Administratës së Presidentit Goerge W. Bush drejt Afganistanit (një herë), e pastaj drejt Irakut.

Me 11 shtator të vitit 2001 filloi politikisht Shekulli XXI.

ShBA-ja ishte në kulmin e fuqisë politike dhe ekonomike. Bota ishte uni-polare, me Amerikën në krye të saj.

Njëzet vjet më pas, ikja e ushtarit amerikan nga Kabuli, për kundërshtarët e Amerikës dukej si hapi i parë drejt largimit të SHBA-së nga kryefjala e politikës ndërkombëtare.

Për këtë ishte i sigurt Vladimir Putin, Presidenti i Federatës së Rusisë.

Kjo do të kuptohet edhe nga rrëfimet e protagonistëve të librit ‘War’ të Bob Woodwardit.

As dy muaj pas kësaj rrjedhe gjithsesi poshtëruese për Administratën e Bidenit në Afghanistan, në tetor, Drejtori i CIA-s, Bill Burns (ndryshe, një diplomat i shkëlqyeshëm amerikan i cili pos tjerash kishte shërbyer si Ambasador i SHBA-së në Rusi, në vitet 2005-2008), dhe Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Avril Haines, do t’ia prezantojnë të gjeturat shumë shqetësuese Presidentit Biden, Zëvendës-Presidentes Harris dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tyre.

Burnes dhe Haines pohuan pa lënë vend për dyshim, që Presidenti Putin me ndihmësit e tij më të afërm, ka gatitur Planin për invadimin e Ukrainës me 175 mijë trupa ruse.

Pos xhirimeve satelitore, CIA kishte marrë një konfirmim të prerë edhe nga një zyrtar i lartë në Kremlin.

Diheshin të gjitha detalet e agresionit.

Burns në shpjegimin e tij para Bidenit, Harrisit dhe zyrtarëve të lartë amerikanë, shfaqi bindjen e tij që Putin ka konkluduar që ky është një rast që nuk duhet të humbet për ta marrë nën kontroll Ukrainën.

ShBA-ja kishte pësuar keq në Afganistan, Evropa ishte e dobësuar, Presidentin francez Emmanuel Macron e prisnin zgjedhjet në vitin 2022, Kancelarja gjermane Angela Markel në dhjetor të këtij viti (2021), do të pensionohej.

Putin vlerësonte, nënvizoi Burns që e njihte shumë mirë, që çasti i Rusisë kishte ardhur.

Ëndrra e tij ishte që t’ia kthente madhësinë territoriale dhe madhështinë historike Rusisë, që kishte pësuar keq pas rënies së Komunizmit dhe prishjes së Bashkimit Sovjetik, në dhjetorin e vitit 1991.

Ëndrra e Putinit ishte makthi i Bidenit.

Me 3 nëntor Bill Burns do të udhëtonte në Moskë për t’ia bërë me dije instancave më të larta të Rusisë, vet Presidentit Vladimir Putin dhe Nikolai Patrushevit, bashkëpunëtorit kryesor të Putin-it, që Amerika e ka shumë të qartë se çka e ka ndërmend të bëjë Rusia.

Me Patrushevin do të shihet kokë më kokë, teksa me Putin-it do të bisedonte në telefon, sepse lideri rus ishte në izolim në Sochi (në vilën e tij në bregdetin e Detit të Zi), sepse ky i druante shumë sëmundjes Covid-19.

Putin e kishte kaluar të thuash gjithë periudhën e Pandemisë në Sochi, krejtësisht jashtë rrjedhave politike, pikërisht për shkak të enigmës së rrezikshme që paraqite virusi që u shpërnda në të katër anët e Botës duke pasur si stacionit të parë Wuhanin në Kinë.

Më pas do të kuptohet në CIA që Putin, gjithë periudhën e vet-izolimit të tij do ta shfrytëzonte për t’i hulumtuar arkivat e vjetra ruse, në të cilat ky do t’i veçonte argumentet pse Ukraina nuk mund të ishte shtet i pavarur dhe pse Rusia nuk mund të jetë shtet i madh dhe i fuqishëm pa Ukrainën.

Këtë zatën shumë kohë më parë e kishte thënë Zbigniew Brzezinski, Këshilltari për sigurinë kombëtare i Presidentit Jimmy Carter. Brzenzinki kishte theksuar që Rusia mund të jetë Perandori vetëm me Ukrainën.

Sidoqoftë, doli që kombinimi i Covid-19 dhe i arkivave ruse ishte fatal, një herë për Putinin e më pas edhe për Ukrainën dhe për Evropën.

Biseda telefonike me Putin-in dhe ajo e drejtpërdrejtë me Patrushevin, vulosi bindjen e Burnsit që Putini është nisur në një rrugë pa kthim kah Perëndimi (si anë e Botës) që kësaj here kishte trajtën e shtetit të Ukrainës.

Megjithatë, Administrata Amerikane nuk do të dorëzohet në përpjekjet për ta zmbrapsur Rusinë e Vladimir Putinit.

Me 8 dhjetor, Bideni do të organizojë video bisedë të gjatë plot dy orë me Putinin.

As kjo bisedë nuk ndryshoi gjë në vlerësimet e Shtëpisë së Bardhë, sepse Putin nuk jepte asnjë shenjë të vetme që do të jetë në gjendje t’i le prapa planet e tij për luftë, apo, që është gati të negociojë me Washingtonin për riorganizimin eventual të ‘arkitekturës së sigurisë’ në Evropë.

Bideni dhe ndihmësit e tij kryesorë nisën t’i përpilojnë pikat kryesore të Strategjisë politike dhe ushtarake të Amerikës pas fillimit të agresionit rus mbi Ukrainën. Për Bidenin nuk kishte më kurrfarë dyshimi që Putin do t’ia mësyjë okupimit të gjithë territorit të shtetit fqinj.

Bideni, me një përvojë të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike, pos tjerash, si Zëvendës-President i Presidentit Obama (në harkun kohor 2009-2017), ua bëri të qartë bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë që ai nuk e ka ndërmend ta nisë luftën me Rusinë për shkak të Ukrainës, dhe që nuk do të ketë ushtarë amerikanë në Ukrainë.

Ukraina nuk ishte pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe ShBA-ja nuk kishte obligim që lidhet me Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, për ta mbrojtur tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj.

Për më shumë, Biden do ta bënte publik qëndrimin e tij që ai nuk do të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë, në rast të shpërthimit të luftës në Ukrainë, gjë që mund të shihej prej Putinit si një inkurajim i Bidenit për te karshi Ukrainës.

Por, Bideni njëkohësisht do të urdhërojë që Amerika t’i ndihmojë drejtpërdrejtë Ukrainës me armatim për ta fuqizuar Ushtrinë e këtij shteti. Bideni nuk dëshironte ta involvonte fare NATO-n në këtë ndërmarrje, për t’iu shmangur konkludimeve të gabuara të Putinit dhe Moskës.

Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë e dinte fare mirë se për çka bëhej fjalë në këtë rast, apo, në shembullin e Ukrainës. Nëse Rusia do t’ia dilte që ta poshtërojë dhe ta okupojë Ukrainën teksa ShBA-ja dhe Perëndimi nuk do të bënin gjë prej gjëje, kjo pastaj do t’i përmbyste gjithë ‘Rregullat e lojës’ në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Poqëse Amerika dhe Perëndimi do të tregoheshin të dobët dhe të paorganizuar, Rusia nuk do të ndalej dot vetëm në Ukrainë dhe do të vazhdonte tutje, duke hyrë në Moldavi e ndoshta edhe në shtetet e Baltikut (që ishin në Paktin NATO). Më në fund, në rrethanat krejtësisht të reja, çfarë do të spikateshin në atë rast, edhe Kina do t’ia mësynte Taiwanit.

Amerika dhe Perëndimi do të humbnin rolin e tyre në Botë.

Vazhdon nesër: Meritat e Presidentit Biden

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme