Liberalizimi i vizave në këtë vit? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 17.05.2022 14:21 17.05.2022 14:21 A është e mundur? A është e vërtetë? A edhe një herë fjala është për një paralajmërim të kotë? Qytetarët e Kosovës me këto pyetje përcollën këtë të hëne (me 17 maj) në mbrëmje, lajmet që vinin nga Brukseli, gjegjësisht nga Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, në të cilën morën pjesë edhe Ministrat e Jashtëm të Kosovës, të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë. Diçka e tillë ndodhi për herë të parë. Në Mbledhje, siç do të merret vesh më vonë, (jo në media), madje dhjetë Kryediplomatë të shteteve anëtare të BE-së, ngritën çështjen e të drejtës së qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në shtetet e Zonës së Schengenit. Dihet që Kosova para më shumë se katër viteve e ka plotësuar kriterin e fundit (të 95-tin), për të hyrë në ‘Listën e Bardhë’ të Schengenit. Dy herë Komisioni Evropian (Qeveria e BE-së), dhe Parlamenti Evropian, kanë konstatuar formalisht që kosovarëve duhet t’u ipet kjo e drejtë. Megjithatë, në ndërkohë, disa shtete (në radhë të parë Franca), vazhduan të kenë rezerva për këtë çështje, me motive të cilat pak ose hiç nuk kishin të bënin me Kosovën. Sidoqoftë, kjo temë disi në heshtje iku prej ‘Rendit të ditës’ te ne dhe në Bruksel, apo u fut në një ‘karantinë politike’, për të ndikuar, më pas, në shtimin e dyshimeve tek vet qytetarët e Kosovës për mënyrën se si funksionon BE-ja, apo shtetet anëtare të saj, kur nuk respektojnë Vendimet e instancave më të larta politike të tyre (Komsionin dhe Parlamentin). Pastaj, ndodhi rënia evidente e besimit të këtyre qytetarëve në Bashkimin Evropian si të tillë. Më në fund, për ta, BE-ja është shumë më tepër se sa një tërësi procedurash, protokollesh dhe organizimesh, samitesh dhe konferencash. BE-ja për ta është një tërësi vlerash politike, ekonomike, qytetëruese dhe kulturore, të cilat duhet të forcohen dhe të stabilizohen edhe në Kosovë. Kosova dëshiron të bëhen BE dhe Perëndim, në çdo aspekt të mundshëm. Tek e mbrama, ne arritëm në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, me politikë, me rezistencë paqësore, edhe me luftë, të dëshmojmë që liria e Kosovës është një vlerë e mirëfilltë perëndimore, prandaj, ndodhi në fund që Perëndimi, apo, SHBA-ja, BE-ja, Aleanca Veri-Atlantike të intervenojnë ushtarakisht për shpëtimin dhe për çlirimin e Kosovës. Synimi i Kosovës është i qartë: Sa më parë që është e mundur të anëtarësohet në Aleancën Veri-Atlantike dhe në Bashkimin Evropian. Vetëm atëherë do ta ketë të përmbushur dhe të përmbyllur identitetin e vet politik. Sidoqoftë, ky rrëfimi për Liberalizimin e vizave ka dëmtuar ndjeshëm këtë relacionin e kosovarëve të zakonshëm me Bashkimin Evropian. Dëshpërimi fillestar që iu qep pyetjeve të shumta, pos tjerash, kësaj ‘Çka kemi ne që nuk po na e dhënë Liberalizimin e vizave…?’, i lëshoi udhë frustrimeve dhe nervozës, teksa në vitet e fundit, finalja, në këtë aspekt u mbërri me apatinë, kur më kush këndejpari nuk bisedonte për këtë temë, as në ato ndejat e kota, e lëre më diku tjetër. Dikush këtu me të drejtë mund të thotë që po mos të ishte kjo përmbysja e madhe e Rendit Evropian dhe Botëror me invazionin e Rusisë në Ukrainë (prej shkurtit e këndej), kjo temë nuk do të ri-kthehej për diskutim. U kuptua, me gjasë, tek shumë shtete të BE-së, por edhe në qarqet më të larta të Bashkimit Evropian, që Liberalizimi eventual i vizave për Kosovën, do të ishte një porosi e qartë për qytetarët e Kosovës që nuk janë të harruar, që Kosova njëmend ka perspektivë evropiane, dhe që në vijim të këtij zhvillimi, do të ishte mirë që dialogu i Brukselit të përfundojë sa më parë me një Marrëveshje Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përkundër këtyre lajmeve të mira nga Brukseli për të gjithë ne, është e kuptueshme që kosovarët vazhdojnë të jenë skeptik që qysh gjatë këtij viti do të mund të nisen drejt Evropës vetëm me pasaporta biometrik në dorë. Nuk kanë fare faj që janë kaq mosbesues. Por, çdo vonesë e re në këtë aspekt në vendimarrjen e BE-së, në nivelin më të lartë të politikanëve dhe diplomatëve të shteteve anëtare të saj, do të jetë një shenjë tjetër e keqe për BE-në dhe për qytetarët e Kosovës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.