Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Letra e pamençur e Opozitës

123
string(11) "Rexhep Hoti" NULL
nga Rexhep Hoti 17.09.2018 15:49

 

1.

Duke e lexuar letrën e opozitës, nga pas të ndjekë dëshpërimi që ka moshë mbi tridhjetëvjeçare, i cili simbolizon me trishtim shpërfilljen ndaj nxënies së dijes për këtë periudhë. Veçmas të duken të mjerë individë që në mëshirën e mbytjes së Kosovës kanë përfituar në forma sociale edhe diploma nga brenda e nga jashtë.

Shqipëria ka qenë tash e një kohë vend i turpit të madh sa i përket moskontinuitetit të politikës së jashtme dhe mosharmonisë së saj me faktorët e brendshëm politikë. Vazhdon të jetë. Zënkat e saj prej beditesh të spektrit të brendshëm politik janë pasqyruar edhe jashtë dhe me kohë kjo marre u bë refren i njohur për faktorin ndërkombëtar.

Megjithatë, Kosova, deri te letra e opozitës drejtuar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e ka ruajtur një vetëpërmbajtje në këtë raport, pavarësisht se nga brenda ka vluar prej kundërshtimeve dhe mospajtimeve të skajshme. Vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një politikë të shkollës së kolonializmit sllav e francez dhe ka vjellë vrer, pa marrë në konsideratë kodin e një politike të jashtme.

 

2.

 

Mirëpo, përpara se t’i themi disa përfundime nga letra e “mençur” e opozitës, ta shohim për pak kohë nga afër atë.

E para, në letër opozita cilëson për një fillim të ri të dialogut. Nuk e di ku e ka zbuluar këtë fillim të ri opozita. Dialogu po shkon drejt përmbylljes në të vërtetë;

E dyta, opozita konstaton se Kuvendi është përgjegjës të aprovojë platformën për dialog me një shumicë prej 2/3?! Bukur shumë! E çfarë pret opozita, përse nuk e ofron atë?! Kuvendi është në radhë të parë i opozitës, sepse mazhoranca e ka edhe qeverinë si hapësirë veprimi;

E treta, opozita kërkon konsensus për këtë çështje. Bukur shumë, përse nuk e ofron atë, çfarë pret?!

E katërta, opozita konstaton se Qeveria e ka humbur legjitimitetin. Bukur shumë, përse nuk e dëshmon këtë opozita në Kuvend me votë, çfarë pret?!;

E pesta, opozita e cilëson si interes kombëtar mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Bukur shumë, përse nuk e bën një veprim të tillë?! Demokracia ka mjete të mjaftueshme në Kosovë të garantuara me Kushtetutë në mënyrë që ajo t’i zhvillojë procedurat e nevojshme demokratike për të bërë të mundshme mbajtjen e zgjedhjeve të reja?! Çfarë pret, përse shkruan e flet e nuk vepron ajo?! Aq më tepër që ajo konstatoka se ato janë të pashmangshme dhe se ata e përfaqësojnë mbi 60 për qind të popullit të Kosovës!; Mos po kërkon opozita që Mogherini t’ia garantojë votat në kuvend, në këtë rast, pasi ajo po i drejtoheni asaj?

E gjashta, në qoftë se opozita deklaron se Presidenti i vendit është duke vepruar jashtë përgjegjësive kushtetuese dhe pa mandat, që i bie se është duke e shkelur Kushtetutën e vendit, atëherë përse nuk i drejtohet opozita Gjykatës Kushtetuese?;

E shtata, opozita merr guxim dhe i thotë Federica Mogherinit që të distancohet e të marrë qëndrim nga ndarja etnike kur njerëzit e partive të saj i proklamojnë të kundërtën. A nuk është ky teprim?!

 

3.

 

Pa u zgjatur më shumë në shtjellimin e mëtejmë letrës, mund të thuhet se një individ me formim mestar të edukimit dhe arsimit nuk do ta kishte nënshkruar atë.

E para, për shkak të paqëndrueshmërisë së koncepteve elementare politike e demokratike të shtjelluara brenda saj;

E dyta, letra është e stërzgjatur si të ishte një denoncim i agjentëve të partive ilegaliste e fundamentaliste kur raportojnë te tirani për ‘armiqtë e ideologjisë’, pa rend, formë e standard të nevojshëm të komunikimit në raste të tilla;

E treta, letra paraqet një precedent për të keq në politikën e jashtme të Kosovës;

E katërta, «Letra» në vetvete e godet sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, duke e minimizuar atë në nivelin e një shoqate, së cilës po ‘i shkelen të drejtat civile’;

E pesta, ashtu sikurse «Rezoluta» e pamenduar e opozitës, me të cilën, mbase, prej paditurisë provoi ta lëndojë fuqinë supreme dhe absolute të Kushtetutës, për fatin e mirë, mospasja kuorum e shpëtoi nga një lajthitje tjetër atë, edhe në këtë letër opozita tregon se sa qëndron larg procedurës demokratike institucionale e Kushtetuese;

E gjashta, opozita dhe të tjerët që do të vijnë duhet ta mësojnë njëherë e përgjithmonë se ‘e përlamja dhe e palara’, sado e pistë qoftë, nuk del jashtë shtëpisë, por mbetet brenda saj.

Klasa politike e një shteti demokratike gjithmonë përfaqëson një qëndrim të unifikuar të të gjithë faktorëve të brendshëm kur komunikon me faktorë të jashtëm. Edhe atëherë kur ka diferenca faktorët e brendshëm politik në respekt të normave dhe standardeve të avancuara nuk shfaqin kundërshtim dhe nuk e vajtojnë sovranitetin e shtetit të vet tek te tjerët.

Në këtë rast do të shpreh disa pika fundamentale të fuqisë opozitare me të cilat do të provoj për të dëshmuar se opozita e sotme është po aq e fuqishme sa edhe fuqia e Kushtetutës së Republikës. Pikat e poshtëshënuara janë formësuar mbi bazën e fuqisë aktuale të opozitës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Një, nuk ka mundësi të realizohet asnjë «Asociacion» në nivel vendi në Republikë, së paku pa 2/3 e opozitës;

Dy, nuk ka fuqi që t’i imponohet Kosovës asnjë «Asociacion» me kompetenca ekzekutive, edhe në qoftë se pozita do të pajtohej për një pëlqim të tillë, të themi në mënyrë hipotetike, pa u marrë në konsideratë opozita dhe pa vendimmarrjen e 2/3 të saj;

Tre, nuk ka mundësi absolute të këtë shënjim të kufijve me Serbinë pa pëlqimin e opozitës ose pa pëlqimin e 2/3 të saj;

Katër, nuk ka mundësi absolute të arrihet ndonjë marrëveshje me Serbinë pa pëlqimin e opozitës ose pa 2/3 të saj;

Pesë, nuk mund të ketë asnjë ndarje apo bashkim të asnjë cope të tokës së Kosovës pa pëlqimin e opozitës ose pa 2/3 e saj;

Gjashtë, nuk mund të ketë vazhdim të dialogut me Beogradin po që se opozita aktuale e kërkon ndalimin e tij, duke e arsyetuar këtë veprim brenda ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

Shtatë, nuk mund të mos pranohet konsensusi i opozitës për dialogun dhe platforma politike e konsensuale e opozitës po që se ajo nuk shfaq luftë për pushtet, por e respekton vullnetin e shprehur të popullit dhe afatet procedurale të demokracisë të garantuara me Kushtetutë dhe brenda këtyre rregullave ajo e ofron projektin e vet nacional të konsensusit dhe të platformës.

 

4.

Nuk ka pika që do të mund të kontestohen nga mazhoranca nga këto që i trajtuam. Prandaj, opozita ka një terren të mrekullueshëm politik për ta drejtuar procesin themeltar të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë. Ka mundësi ta rritë simpatinë dhe mbështetjen në popull. Ajo nuk duhet të verbohet nga dëshira për të ardhur në pushtet para kohe. Jo para se të jetë vetë e përgatitur me projekte e politika konkrete. Ajo vërtet nuk ka kundërshtarë seriozë politikë, por ajo vetë është edhe më pak serioze se mazhoranca. Ajo duhet të rritet me durim në pozicionin e shkëlqyer që ka. Për ta kuptuar këtë ajo duhet ta ketë edhe mendjen e duhur , vullnetin dhe energjinë e nevojshme qytetare e kombëtare. Ajo nuk duhet të shkruaj letra. Madje, të dobëta e të kontestuara brenda shtjellimit të vet. Ajo duhet të bëjë shtetin. E ka në dorën e vet. Aty është edhe vota e saj për të ardhur në pushtet në mënyrë demokratike.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme