Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Largimi i Perëndimit prej Afganistanit

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 17.08.2021 09:04
Blerim-Shala

Janë të shumta pamjet të cilat në tërësinë e tyre e bëjnë të veçantë një ngjarje madhore historike dhe politike. Rëndom pastaj, ndahet njëra prej tyre, për tu bërë ajo tablloja kryesore me të cilën identifikohet një zhvillim i këtillë historik.

Në sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001, ato pamjet që kanë shenjuar një herë e pëgjithmonë këtë ngjarje e cila realisht hapi politikisht Shekullin XXI dhe një Epokë të re politike dhe historike, janë ato të ngulitjes së aeroplanëve në Kullat binjake të WTC  (Qendrës botërore tregtare).

Por janë do xhirime dhe fotografi të tjera të cilat ralisht kanë sublimuar, fatkeqësisht, më së miri si janë ndjerë atë ditë Amerika dhe Perëndimi.

Këto na sjellnin ato pamjet rrënqethëse të njerëzve të cilët hidheshin nga kullat binjake, për të gjetur vdekjen në asfaltin e New Yorkut.

Ishin krejtësisht të pafuqishëm, të pashpresë, prandaj zgjedhnin vdekjen para se të ngulfateshin nga tymi apo të digjeshin nga zjarri.

E tillë ishte Amerika atë ditë të shtatorit të vitit 2001: Thellësisht e befasuar, konfuze, e pafuqishme. Ndërsa në atë kohë, bëhej fjalë për shtetin më të fuqishëm që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit.

Gati në njëzet vjetorin e këtyre sulmeve terroriste të cilat ndërruan Botën me themel, ishin të shumta tabllot të cilat përcollën largimin e SHBA-së nga Afganistani, teksa Talibanët po e rikthenin pushtetin e humbur dy decenie më parë në vijim të intervenimit ushtarak amerikan të nisur në muajin tetor të vitit 2001.

Kishte fotografi të tilla të cilat e bënin atë krahasimin në mes të braktisjes Amerikane së Saigonit  (kryeqytetit të Vietnamit Jugor), në vitin 1975, dhe Kabulit  (kryeqytetit të Afganistanit), në vitin 2021.

Tabllo të tjera na shfaqnin turmat e shastisura të cilat kërkonin shpëtimin nga pushteti në ardhje e sipër të Talebanëve, përmes ikjes nga aeroporti i Kabulit.

Megjithatë, një tjetër pamje, sërish si në atë ditën e 11 shtatorit (2001), kësaj here, me 15 gusht  (2021), doli të jetë, sërish fatkeqësisht, më e sakta, më domethënësja, në dhënien e një kuptimi suprem këtij zhvillimi të ri dramatik historik dhe politik, i cili kësaj here vet nuk shënon një kthesë dramatike, por vetëm sa konfirmon se në çfarë Bote jetojmë tash e shtatë vjet.

Këto xhirime dhe fotografi na shfaqnin ata banorë të Afganistanit, të cilët binin poshtë nga lartësitë, sepse nuk kishin arritur të hypnin në aeroplanët e Armatës Amerikane të cilët bartnin qindra refugjatë.

Këta ishin krejtësisht të pafuqishëm, prandaj, zgjedhnin kështu vdekjen, kur nuk mbërritën në hynin brenda strehimoreve ajrore të aeroplanëve amerikanë.

Amerika, kur bëhet fjalë për Afganistanin, është ballafaquar me një situatë të njejtë, si në shtatorin e vitit 2001, ashtu edhe në gushtin e vitit 2021.

Shkurt: Nuk ka pasë zgjedhje tjetër.

Natyrisht, shtetet e fuqishme, çfarë është Amerika sot e kësaj dite  (tutje shteti më i fuqishëm në Rruzullin Tokësor), asnjëherë nuk kanë dëshirë që të detyrohen të veprojnë pa pasur ndonjë alternative tjetër.

Por, si Administrata e George W. Bushit në vitin 2001, ashtu edhe kjo e Joseph Bidenit në vitin 2021, nuk kanë pasë solucion tjetër, pos atëherë, pas sulmit terrorist të Al Qaeda-s, të intervenojnë ushtarakisht në Afganistan, dhe tani, të tërhiqen prej Afganistanit, pas një lufte njëzet vjeçare e cila ka kushtuar së paku një mijë miliardë dollarë, teksa Armata e rregull e Afganistanit, për nëntë ditë të vetme kapitulloi nga forcat talebane, në numër tre herë më të pakta dhe shumëfish më dobët të armatosura, se këto të Ushtrisë së këtij shteti.

Presidenti Biden, në adresimin e tij para kombit, konfirmoi që Amerika nuk ka pasë zgjedhje tjetër pos tërheqjes, dhe që më nuk ka mundur të jetë pjesë e një lufte, më të gjatës  (paradoksalish), në historinë e SHBA-së.

Edhe pse ai mohoi që SHBA-ja kanë qenë të përfshirë në shtet-ndërtim në Afganistan  (nation state building), apo që qëllimi kryesor i intervenimit ushtarak amerikan ishte përmbushur  (ai i ndëshkimit të Al Qaeda-s dhe regjimit të Talibanëve për sulmet e 11 shtatorit), në të vërtetë, SHBA-ja dhe Perëndimi në përgjithësi, nuk ia dolën ta kthejnë Afganistanin në një shtet stabil demokratik, përkundër të gjitha investimeve ushtarake, financiare, politike dhe diplomatike.

Ky dështim pastaj çoi Amerikën dhe gjithë Perëndimin  (sepse intervenimi në Afganistan, për dallim prej atij në Irak, gjithmonë ka qenë i bashkërenditur në mes aleatëve kryesorë të Amerikës dhe Aleancës Veri-Atlantike), tek ‘buleta njëkahëshe’ për largimin nga Afganistani.

Dështimi Amerikan dhe Perëndimor në Afganistan, nuk mund të shpjegohet dot me disa fjali të cilat pretendojnë të janë çelës për hapjen e derës për zbardhjen e të vërtetës në këtë rast.

Pa dyshim që elitat e koruptuara politike dhe ushtarake, organizimi tradicional fisnor i Afganistanit, një trashëgimi dhjetëravjeçare e luftërave që prej vitit 1979 e tutje  (intervenimi i Bashkimnit Sovjetik), rrënuan disa herë këtë shtet edhe ashtu të varfër, janë disa prej argumenteve kyç në shpjegimin e kësaj disfate të madhe të Perëndimit.

Por, ka të ngjarë, dhe ky mund të jetë ai krye-argumenti këtu, në këtë rast, që përkundër asaj bindjeje triumfuese të Perëndimit, pas rrënimit të Murit të Berlinit  (në nëntor të vitit 1989), që Demokracia Liberale do ta pushtojë  (apo edhe çlirojë) Botën, dhe që Historia kështu do të merr fund, ky doli të jetë njëri prej iluzioneve më të mëdha të Perëndimit.

Demokracia Liberale është rregull në Perëndim, por kjo nuk është e thënë të jetë ashtu në pjesët tjera të Botës.

Në anën tjetër, Amerika dhe Perëndimi i vitit 2021, janë ndryshe, shumë më ndryshe  (për të keq), krahasuar me atë Amerikën dhe Perëndimin e vitit 2001.

Afganistani nuk u bë shtet demokratik dhe liberal, dhe as një kufi i largët i Perëndimit.

Perëndimi u tërhoq. Dhe këtë zbrazëti do ta mbushin shtetet përreth, në atë luftën e vazhdueshme gjeo-politike për ndikim në këtë anë të Azisë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme