Kush qëndron pas sulmit ndaj Agon Channel? 123 string(12) "Andi Bushati" string(72) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/05/bushati-2-840x440-1.png" nga Andi Bushati 09.06.2015 19:41 09.06.2015 19:41 Francesco Becchetti nuk është një shenjt. Aq më pak një bamirës. Nëse çdo njeri kurioz kërkon të informohet për të, mjafton të kërkojë në YouTube emisionin “Kontrata” të Sonila Meços. Nuk ka ngjarje më të shpifur gazetareske. Nuk ka lëpirje më të shëmtuar përballë një pronari bos, të cilit i sillen në studio njerëzit, të cilëve u ka paguar kurimin e fëmijëve, për të treguar sesa human dhe zemërgjerë është. Mjafton të shihen këto pamje, që të ngjallin krupën, për të kuptuar profilin e një njeriu, raportin e tij me mediat dhe gazetarët e mbi të gjitha konceptin e tij për imazhin e njeriut të pasur, që i ngjan më shumë atij të personazheve të Francis Ford Coppola-s. Francesco Becchetti nuk është as investitori shembullor që i vjen Shqipërisë nga përtej Adriatikut. Investimi i tij më i madh, ai i Hidocentralit të Kalivaçit, është një punë e pakryer prej 20 vitesh. Atje kantieri qëndron në heshtje, punëtorët janë të papaguar dhe Becchetti më shumë i ngjan një spekulanti, që di të fitojë para përmes avokatëve të zotë (159 milionë të fituara në këtë aferë pas një gjyqi me Deutsche Bank), sesa dikujt që ka ambicie reale për të investuar në këtë vend. Francesco Becchetti, emri i të cilit u bë i dëgjuar pasi u lidh me importin e mundshëm të mbetjeve urbane në Shqipëri (duke qenë se familja e tij e ushtron këtë biznes në rajonin e Lacios përmes plot problemeve me drejtësinë) shpeshherë është parë mes nesh me paranojën e të huajit, që kërkon ta shohë vendin si një kosh gjigant plehrash. Por së fundi Francesco Becchetti u bë njeriu që vendosi të investojë plot 40 milionë euro për projektin e madh televiziv mes Shqipërisë dhe Italisë. Vetëm ky projekt, që solli në Tiranë personazhe të njohur të showbizit Italian si Simona Ventura dhe Sabrina Ferilli, që tronditi tregun mediatik shqiptar e që kërcënoi hapur televizionet tradicionale, e ka vënë atë përpara projektorëve, duke ngjallur shpesh rivalitet, zili, smirë, armiqësi: shkurt – një dëshirë për ta vrarë ekonomikisht, apo thjesht për ta zbuar nga vendi. Tani pyetja që shtrohet është: a janë aktet e ditëve të fundit të Prokurorisë një interpretim i këtij vullneti të kastës politike dhe mediatike, apo Francesco Becchetti është vërtet një pastrues parash, babai i një skeme mashtrimi të shpërlarjes së eurove që vijnë nga krimi dhe një evazor që i shmanget fiskut të shtetit shqiptar? Në momentet që ndodhemi është ende shpejt të japësh një përgjigje të prerë për këtë. Duke parë profilin flambuajant, plot hije dhe dritë të biznesmenit italian, mendja mund të shkojë drejt hipotezës së parë. Edhe para se Prokuroria dhe gjykata shqiptare të shpallnin vendimet e tyre, shumë pyetje kanë ekzistuar në mjediset e kryeqytetit rreth misterit Francesco Becchetti. Ku i gjen paratë? A janë rentabël investimet e tij? A mos po pastron para? E gjithë mënyra e sjelljes së Francesco Becchetti-t si investitor në Shqipëri, i bënte të ligjshme këto pyetje. Por, një gjë tjetër është të kesh dyshime dhe krejt një gjë tjetër është të kesh prova. Po t’u hedhësh një sy letrave që organet tona të drejtësisë na vënë në dorë, aty e ke të vështirë të bindesh për prova. Ka dy pyetje kyçe që në asnjë rast nuk marrin përgjigje. E para, nëse Francesco Becchetti akuzohet “për pastrim gjigant parash” ku është prova se ato para që pretendohet se janë pastruar në Shqipëri vijnë nga veprimtari kriminale (drogë, prostitucion, vrasje, etj.)? Asnjë provë. Së dyti, vetë Prokuroria pretendon se i është drejtuar bankave me emër të vendet e BE-së për të marrë të dhëna lidhur me origjinën e këtyre parave. Po atëherë, përse nuk jepen këto përgjigje? Po nëse nuk kanë ardhur ende pse duhej ndërmarrë ky veprim spektakolar, pa pasur ende provat se paratë që janë pastruar në Shqipëri nuk kanë qenë të pastra? Këto pikëpyetje të mëdha hedhin shumë dyshime lidhur me veprimet e Prokurorisë dhe gjykatës shqiptare. Por ato ngrenë në vetvete edhe pikëpyetje të tjera. Nëse Francesco Becchetti si një keqbërës kishte në mendje veprime të tilla kriminale, a do financonte ai një televizion me tendenca të qarta opozitare? Në një intervistë për një emision në Rai 3, ministri i Energjetikës, Gjiknuri e pohoi me gojën e tij se televizioni Agon Channel e sulmonte çdo ditë qeverinë. Qytetarët vetë i kanë parë denoncimet e programit satirik “Ça Thu” edhe për prodhimin e kartave fallco të identitetit për zgjedhje edhe për zhvendosjen e votuesve nga një zonë në tjetrën. Pra, është e vështirë që të mendohet se dikush që vjen të bëjë pastrim parash në Shqipëri të dojë një betejë permanente me qeverinë e vendit. Një pikëpyetje tjetër është edhe fakti se, siç e ka pohuar me gojën e vet kryeministri Edi Rama në emisionin në RAI 3, Francesco Becchetti ka hapur dy gjyqe të mëdha kundër qeverisë shqiptare dhe me aftësinë e studiove ligjore që ai ka (që i morën 159 milionë Euro Deutsche Bank) ai rrezikonte ta telendiste keq arkën e shtetit. A mund të ketë lidhje goditja ndaj tij me shantazhin përpara këtyre betejave të ardhshme ligjore? Ende nuk dihet. Ashtu sikurse nuk dihet nëse ajo ka lidhje me procesin që Francesco Becchetti ka hapur ndaj një deputeto-biznesmeni socialist shumë pranë Ramës. Me ndonjë ndërhyrje nga jashtë, apo thjesht me një nxitje të establishmentit mediatik vendas. Të gjitha këto pikëpyetje mbeten të hapura për sa kohë ende organet shqiptare të drejtësisë nuk na kanë dhënë prova të sakta. Mungesa e tyre mund t’i lërë vend çdo spekulimi. Dhe thënë këtë, problemi nuk qëndron vetëm tek Francesco Becchetti. As vetëm tek televizioni i tij, i cili po sekuestrohet në mënyrë të paprecedente vetëm dy javë para zgjedhjeve, por shumë më gjerë. Shqipëria po kalon një krizë të thellë ekonomike. Që nga kryeministri e deri dhe ministrat e linjës kanë filluar një fushatë në Europë për bindjen e investitorëve të huaj që të investojnë në këtë vend. Madje vetëm Rama, që e mbështet fushatën e tij në taksat ulëta dhe mungesën e sindikatave, e përmendi një nga ikonat e Agon Channel, Simona Venturën, për të treguar se tani “L’isola dei famosi” gjendet në Shqipëri. Po, vërtet që Shqipëria ka nevojë për ato 400 kompani italiane që kanë kapërcyer Adriatikun për t’u vendosur këtu. Por që ajo të shndërrohet vërtet në një parajsë për investitorët e huaj, ajo duhet t’u japë atyre garancitë maksimale. Njerëz që hedhin miliona si Francesco Becchetti nuk mund të gjykohen, sekuestrohen, apo burgosen në bazë të dyshimeve. Aq më keq, në bazë të preferencave politiko-mediatike. Edhe duke mos qenë dakord me televizionin që bën Francesco Becchetti, me mënyrën se si i trajton gazetarët, me mënyrën si do të bëjë biznes në Kalivaç, se si përdor çarterin apo jahtin e tij privat, sa shpenzon për Nikol Kidmanin apo Adi Krastën, ne s’kemi të drejtën që, për hir të dyshimeve tona, ta shndërrojmë atë në simbolin e mungesës së lirisë dhe të drejtave të investitorëve të huaj në Shqipëri. Kjo do të qe një gafë e parikuperueshme, madje shumë më e madhe se lulëzimi i modeleve të biznesmenëve si Francesco Becchetti në këtë vend. Marrë nga lapsi.al *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.