Kush po e lufton korrupsionin, me të vërtetë? - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kush po e lufton korrupsionin, me të vërtetë?

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
11.04.2016 14:04

Mënyra se si shumica prej nesh e kuptojmë korrupsionin është krejt e thjeshtë. Është një veprim që i ka tri karakteristika: së pari duhet të jetë i paligjshmëm, së dyti duhet të jetë i dëmshëm për komunitetin dhe shtetin, dhe së treti duhet të jetë kryer nga njerëz që mbajnë pozita pushteti apo vendimmarrjeje. Një veprim nuk mund të quhet korruptiv nëse nuk i përmban të tri këto elemente.

Padyshim se ka shumë veprime të paligjshme të cilat kryhen nga shumë njerëz. Uzurpimi i pronave, prerja e pyjeve, ndërtimet pa leje, vjedhja e taksave e çkamos tjetër. Por të gjitha këto janë vepra kriminale që në të kuptuarin tonë nuk kategorizohen si korrupsion. Për t’u kategorizuar si të tilla ato duhet të kryhen nga njerëz në pushtet apo nga njerëz që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në pushtet.

Ka vende në botë, të cilat praktikisht e kanë humbur luftën kundër korrupsionit. Ka vende në botë në të cilat abuzimi i pushtetit me pronën publike, me financat publike dhe me gjithçka që ‘lëvizë’ ka marrur përmasa të tilla saqë ka filluar të përligjet. Përligjja fillimisht bëhet nga njerëzit e varfër të cilët shndërrohen në klientë dhe të varur. Pastaj nga sistemi i drejtësisë i cili lehtë vihet nën zap të pushtetit. Së fundi nga mediat dhe shoqëria civile të cilët fillimisht shndërrohen në legjitimues të ‘rendit të ri demokratik’ duke folur për korrupsionin pa e ndjekur me saktësi dhe deri në fund asnjë veprim korruptiv dhe duke përfunduar edhe vet si klientë ose si disidentë.

Në aspektin politik Kosova është sui generis për shkak të kontekstit ndërkombëtarë, jo për shkak të karakteristikave ‘tepër të veqanta’ të brendshme. Ky ‘sui generizëm’ ndërkombëtarë e ka mundësuar ndryshimin e hartës së Ballkanit. Edhe në luftën kundër korrupsionit është rast sui generis për shkak të kontekstit ndërkombëtarë (lexo SHBA dhe BE). Ky ‘sui generizëm’, fatkeqësisht, mbetet pothuajse I vetmi ventil frymëmarrjeje për qenien nacionale në luftën e saj kundër korrupsionit. Jo për shkak të disa politikanëve që pretendojnë që janë altruistë (koncept ky paradoksal i llojit sui generis). As për shkak të disa gazetarëve apo përfaqësuesve të shoqërisë civile që e luajnë rolin e heronjve në luftën kundër korrupsionit por që më shumë iu ngjajnë policëve të këqinj, të cilët kur hyjnë në skenën e krimit i zbulojnë nja tri fakte e i zhdukin nja tridhjetë gjurmë. Me apo pa qëllim.

As analistët politik nuk janë ata të cilët mund të sillen si heronj në luftën kundër korrupsionit. Në fakt në Kosovë analistët politik janë tepër të rrallë. Fjala ‘analizë’ në shkencat politike është huazuar nga shkencat ekzakte dhe e nënkupton të njejtën gjë; studimin e një fenomeni, duke aplikuar metoda të ndryshme por të vërtetuara dhe pa e paragjykuar rezultatin. Në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin, shumë prej atyre që e quajnë veten analistë nuk janë asgjë tjetër pos komentatorë. E komentatorët flasin çkado, mund edhe të shtiren se janë nominalisht të paanshëm por askujt, as mendjeve më triviale, nuk iu ikën pa e vërejtur se janë tifozë të zjarrtë.

Në Kosovë, populli gati sa është dorëzuar. Shumica e votuesve tanimë janë tifozë, jo votues ‘racional’. Kjo ka ndodhur për shkak të varfërisë, për shkak të historisë, për shkak të shkollave, për shkak të Serbisë, vënjani emrin si të doni, por ka ndodhur.

Shumë nga mediat dhe komentatorët kanë marrur anë. Edhe ata janë shëndërruar në tifozë. E di që ka analistë të vërtetë që nuk hyjnë në kategorinë e tifozëve, që janë me të vërtetë të paanshëm por nuk kam nevojë t’iu kërkoj falje sepse ata nuk keqkuptojnë. Nëse do të keqkuptonin, me automatizëm do të hynin në kategorinë e komentatorëve.

Mediat dhe Shoqëria civile apo ‘jopolitika publike’,mund të ndahen në tri grupe.

Në mercenarët, të cilët i shërbejnë pushtetit dhe i raportojnë skandalet aq sa për ta prishur skenën e krimit;

Në mediat e ‘mesit’ të cilat janë të ndershme por duke qenë të tilla ndiqen pak nga tifozët dhe krejt çka iu mbetet është që të provojnë ta rrisin mllefin e popullit ndaj korrupsionit duke provuar të jenë të paanshme dhe duke i futur të gjithë ‘në një thes’, për hir të paanshmërisë;

dhe mediat revolucionare, të cilat besojnë se një ditë të bukur të gjithë të korruptuarit do të zhduken dhe  një ‘klasë’ politike e ndershme do të vie në pushtet.

Edhe politikanët mund të ndahen në tri grupe të ngjashme. Në fakt, gati sa ekziston një lidhje simbiotike në mes politikës dhe jopolitikës publike.

Grupi i parë padyshim janë politikanët në pushtet dhe me pushtet. Ata e mbulojnë skandalin me skandal. E manipulojnë sistemin e drejtësisë dhe mbulohen kryesisht me fraza properendimore dhe me paraqitje publike elegante. I ushqejnë mediat e veta me gjysëm të vërteta dhe të pavërteta sa për ta ‘korruptuar skenën e krimit’. Deri më tani ia kanë arritur që çdo skandal, sado i madh të ketë qenë, në mediat tona të mbijetojë më së shumti tri ditë.

Grupi i dytë janë politikanët e mesit. Ata në të njejtën kohë nuk kanë të holla e as pushtet faktik sepse nuk kanë vjedhur, dhe sulmohen nga jopolitika publike e pushtetit dhe ajo revolucionare. Krejt çka iu mbetet është që edhe ata t’i krijojnë tifozët e vet dhe të shpresojnë se votuesit tifozë do të racionalizohen.

Grupi i tretë janë revolucionarët. Ata që thonë se besojnë se një ditë të bukur gjithçka do të rregullohet nga të gjithdijshmit dhe të gjithvirtytshmit, nga politikanët altruistë (ai paradoksi sui generis që e përmenda më lartë). Edhe këta kanë përfunduar duke krijuar tifozë, jo votues racional. Madje tifoz edhe më të ‘zjarrtë’.

Me ose pa vetëdije, askush nuk po ndihmon me të vërtetë në luftën kundër korrupsionit. Disa sepse janë të zhytur në korrupsion dhe ajo luftë nuk iu konvenon. Disa sepse duke besuar me naivitet se një ditë të vetme gjithçka do të rregullohet ‘si me dorë’ por që duke krijuar klientë domosdoshmërisht kanë përfunduar si grupe që do të duhet t’iu shërbejnë në një mënyrë apo një tjetër klientëve të vet. Disa  sepse duke mos pasur se çka të bëjnë kanë hequr dorë nga gjithçka. E disa tjerë sepse nga mllefi po besojnë se të gjithë janë hajna dhe po e rrisin numrin e atyre që heqin dorë nga gjithçka.

Nëse nuk do të ishte ai faktori që e bën Kosovën sui generis, ngadalë po krijohet bindja se vendi ynë ose do të bëhej kopje e Turkmenistanit ose do të gjendej në luftë civile e cila prapë, pa asnjë dyshim, do të përfundonte ose në kopje të Turkmenistanit ose të ‘Nineteen Eighty-Four’ të Orwellit.

Fatkeqësisht, kjo është bindja të cilën me shumë dhimbje e transmetojnë shumë njerëz të ndershëm në Kosovë, fatkeqësisht.

lajme të ngjashme