Kush është injorant, kush dibiduz e kush struc në Kosovë - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kush është injorant, kush dibiduz e kush struc në Kosovë

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
01.02.2016 09:49

Ngatërrimi i fjalëve të huazuara nga neo-latinishtja, ‘injorant’ dhe ‘injorim’, gjatë të folurit shqip-sidomos në Kosovë- ka marrë përmasa të tilla saqë shumica e njerëzve që e bëjnë dallimin kanë filluar ta injorojnë këtë gafë apo thënë më saktë këtë konfuzion. Gjatë komunikimit të përditshëm, shumë folës dhe shkrues publik, e kualifikojnë si ‘injorant’ një person që e konsiderojnë shpërfillës e që si fjalë e shqipëzuar do të bënte ‘injorues’. Në fakt, nëse flasim strikt, në vend se ta quajnë shpërfillës një njeri që nuk i përfill të tjerët, e quajnë ‘të paditur’; thënë ndryshe, prapë me një fjalë të huajtur e që e kuptojmë mirë ne në Kosovë, padashje e quajnë ‘dibiduz’.

Është mëse e vërtetë që në aspektin linguistik fjala ‘injorant’ do të thotë ’i pa ditur’ apo ‘i pa informuar’  (dibiduz) ndërsa fjala injorues do të thotë shpërfillës, që me qëllim s’ia vë veshin një personi apo një çështjeje.  Nëse flasim strikt, këto dy fjalë kanë kuptime të ndryshme, shumë të ndryshme madje. Por në esencë kanë shumë lidhje në mes vete. Prandaj janë krejtësisht të ngjashme. Të gjithë ne, nganjëherë, injorojmë (shpërfillim) diçka që na del përpara por që nuk na hyn fare në punë, apo që vetëm sa na djerr kohën. Por edhe më shpesh, injorojmë diçka që nuk e kuptojmë. Dhe mu këtu është lidhja në mes injoruesit dhe injorantit e edhe ngatërrimi i këtyre dy fjalëve. Injoruesit më së shpeshti janë në të njëjtën kohë edhe injorantë.

Është plotësisht legjitime, që në jetën e përditshme, ta injorojmë një çështje të cilën nuk e kuptojmë apo që nuk na hyn fare në punë. Vendimi i një inxhinieri të ndërtimtarisë për t’i injoruar detajet e procesit të klonimit të deles “Dolly” mund të quhet vendim plotësisht racional. Mund të quhet poashtu vendim plotësisht racional nëse një komandant lufte në Kosovë i injoronte (shpërfillte) lajmet për tajfunin Otto që ndodhte në Filipine në verën e vitit 1998. Mirëpo, nëse i njëjti komandant do t’i injoronte lajmet për lëvizjen e njëmijë trupave të policisë Serbe nga Rashka në Mitrovicë apo edhe për motin në ditët në vijim në Kosovë, ai duhet të quhet injorant.

Me një fjalë, është legjitime dhe racionale që në punën tonë të përditshme të zgjedhim të injorojmë diçka që është e parëndësishme. Në atë rast nuk jemi injorantë. E nëse nuk dimë të zgjedhim se çka mund të injorohet e çka jo atëherë shndërrohemi në injorantë.

Por ekziston edhe një version tjetër i gjithë kësaj kuazi teorie. Rasti më i posaçëm dhe më qesharak i përputhjes së injorimit dhe injorancës është ‘struci’. Nga biologjia, struci i ka arsyet e veta pse e fut kokën në rërë. Por ne njerëzit, gati në të gjitha gjuhët, simbolikën e strucit e përdorim për ta spjeguar veprimin e një frikacaku, i cili  kur e sheh rrezikun që po i kanoset apo kur nuk kupton diçka, as nuk vendos të ballafaqohet e as të largohet por e fut kokën në rërë duke shpresuar se gjithçka do të kalojë vetvetiu.

Kohëve të fundit në Kosovë po shohim shumë simbolika të strucit. Mu si të strucit.

Po shohim njerëz të cilët kur munden dhe nuk frigohen, ia qajnë kokën më dysh presë së tyre, pa kurrfarë konsiderate. E kur nuk munden, ‘struken’ si struci.

Përndryshe, si mund të spjegohet fakti që për javë e javë mbushen mediat, gazetat, televizionet, portalet e sidomos mediat sociale, me dabate televizive dhe online, për notat e Presidentes, për grafitet e edhe për gjinjtë e Ritës e askush nuk flet për skandalin Axos që mund të na penalizojë brutalisht apo për dokumentarin e Kanal+ ku ish-shefi i inteligjencës franceze DGSE e afishon Ministrin e Jashtëm, dy herë Kryeministrin dhe me mjaft gjasa Presidentin e ardhshëm të Kosovës si agjent të tij?

Për të qenë korrekt, shpresoj që edhe Axos edhe DGSE të jenë sajesa. Por është e pashpjegueshme logjika e strucit në mbarë vendin. Dhe në këtë rast me të vërtetë është e strucit, jo e dibiduzit. Sepse kudo që të rrini dhe me këdo që të bisedoni, të gjithë flasin për këto çështje. Vetëm se as nuk ikin e as nuk ballafaqohen. E fusin kokën në rërë, mu si struci.

Ignoramus jemi nëse themi ‘ne nuk dimë’ ndërsa struca jemi nëse strukemi e nuk flasim fare.

lajme të ngjashme