Kush do t’i fitojë zgjedhjet që vijnë? 123 string(8) "Jon Leka" NULL nga Jon Leka 14.02.2017 13:16 14.02.2017 13:16 U dha sinjali për zgjedhjet e radhës. Dasmë e re më akterë të vjetër. Do të ndryshojë vetëm kompozicioni koalicionar, jo më shumë. Në rrezik është LDK. Tjerat ia dalin disi. Apo për habinë e gjithëve do të ndodhë mrekullia - ndryshimi Zgjedhjet u paralajmëruan. Sipas të gjitha gjasave do mbahen këtë vit. Partitë në pushtet, si zakonisht, nisin lojën me datat paralajmëruese që nga çasti kur binden t’i kenë siguruar votat së paku për ta ruajtur përqindjen paraprake. Ata bazohen edhe në analizat dhe anketat e porositura secila për vete. Ato të opozitës bazohen në indikatorë madje shumë më irealë se ato të pushtetit: këto shpresojnë më tepër se duhet në revoltën e pasqyruar mediave dhe në dështimet e pushtetit, që i materializojnë vazhdueshëm si «program» konkurrimi. Si revolta ashtu edhe dështimet kanë mirëpo edhe anën tjetër të medaljes, ngase nga fazë në etapë mund të rezultojnë në bumerang (ata kundër demarkacionit mund të përballen me masën gjithnjë e më të madhe të revoltuar për shkak të refuzimit të vizave) – parasëgjithash ato janë të përkohshme në memorien e masave dhe jo aq relevante në sigurimin e subjektit – votuesit. Mundësia reale e partive si zakonisht, potenciali i tyre konkret, për të hyrë apo për t’iu afruar pushtetit nuk varret nga pritjet dhe kalkulimet e shtabeve elektorale. Mjafton vetëm ajo pjesa prej 35594 vetave që zgjedhjeve të shkuara la fletëvotimet zbrazët apo i zhvleftësoi që matematika e kësaj apo asaj partie të habitet me një rezultat tjetër në favor të kundërshtarit. Pra çka mund të ngjajë nëse pjesëmarrja në zgjedhje nuk do të ishte më 42.63% -in por ndryshe? Aktualisht kemi të bëjmë me një skenë politike e cila gjallërinë e sajë e manifeston vetëm me defiletë nevrike të presidentit të vendit. Tjerët gërmojnë të vetët në prapaskenë, odave e çajtoreve, zyrave dhe ndërmarrjeve për t’ua shkulur një fjalë bese se do t’i votojnë sërish. Temat që trazojnë shoqërinë nuk preken nga politika. Ose trajtohen ashtu siç iu konvenojnë primatëve, pushtetit dhe partive. VOTUESI AKTUALISHT Partizani i PDK-së është ai i sistemuari, i favorizuari për shkak të dëgjueshmërisë dhe përfitimit personal nga partia. Anëtari i LDK-së është kryeambivalenti brenda tipologjisë së partiakëve, si i tillë jorezistent edhe ndaj dridhjes më të vogël, prandaj sjellja e tij është pothuaj e paprognozueshme. T’i prognozojmë mirë mundemi vetëm kastën e rehabilitantëve që nuk u hiqet shoku Tito nga ëndrrat. Militanti i LVV-së është i revoltuari, irracionali, ambivalenti, ai që jeton nga mllefi jo vetëm ndaj sistemit, por edhe kozmosit nëse yjet rrinë shtrembër karshi optikës së tij. Po mbeti pa kauzë tepër të besueshme në fazën e zgjedhjeve, më shumë i bën dëm partisë se mirë. Ithtari i AAK-së është konservativi i lidhur ngushtë për vlerave të liderit dhe në shumësi dhe si i tillë, i pamjaftueshëm për t’u multiplikuar në një shoqëri që ulurin pas imitimit të politikës racionale të euro-perëndimit. Euforia për shkak të pozitës së liderit, gjatë së cilës ka një solidaritet maksimal, do të harrohet pas disa muajsh. Në NISMA është strehuar militanti i dikurshëm i PDK-së që nuk pranoi praktikat e dy primatëve aktualë të partisë. Ky tip partiaku është i paravulosur, paragjykohet në perceptimin e masave si sasi gjymtyrësh që përmban të gjitha mundësitë në vete, për këtë arsye edhe i pakapshëm, më shumë refuzues se gjenerues. Pjesëtarët e partive tjera hyjnë në grupin e të pavendosurve, atyre që votojnë për të mos u numëruar ose që s’dalin hiç. PARTITË Që nga nisja e punës së koalicionit qeveritar PDK punon për ta siguruar përqindjen që ka. Frika se gjatë rokadës nga Hashim Thaçi tek Kadri Vejseli partia do të dëmtohej shumë paska qenë shumë më e madhe se sa që u perceptua fillimisht. Droja që manifeston Kadri Vejseli rreth temave dhe problemeve e bën atë edhe më statik se shumë statuja të kryeqytetit. Se partia është maksimalisht e përqendruar në parasanimin e thyerjeve të mundshme shihet edhe gjatë analizës së zotimeve të partisë për të ardhmen e vendit – asgjë, vetëm flluska tautologjike. Në vend të rokadës mirëpo ka ndodhur regresi i padëshiruar: Partia si e tillë është personalizuar edhe më shumë pro Thaçit. Me luftën e tij me çdo kusht t’iu prijë «cezurave» (Dialogu me presidentë, pajtimi si iniciativë e viktimës etj.) qofshin ato artificiale, do ta nxjerrin PDK- në më të dobësuar në zgjedhje. Do të humb ca përqindje minimale, kushtimisht nëse nuk ndodhin ato që i paralajmëroj si mundësi kontrafaktike në fund të tekstit. LDK është partia më e rrezikuar brenda spektrit. Që tash ish presidenti Sejdiu ka aktivizuar fragmente të partisë që donë t’i instrumentalizojë për krahun e tij, bashkë me një degë të diasporës. Nga ana tjetër grupi rreth kundërshtarëve të Demarkacionit është një tabor përçarës në vete. Isa Mustafa është konsumuar tepër sa për të pasur energjinë e para do viteve që ta mbajë përqindjen aktuale. Nëse LDK nuk arrin që tash ta bëjë një strategji ri-unifikimi ajo do të radhitet poshtë LVV-së e ndoshta edhe tjerave. LVV ringjallet. Kjo ka të bëjë edhe me rikthimin më intensiv të Kurtit si fjalëprirës i partisë. Organizata brenda dy viteve të fundit arriti që ta përhesht krahun teokratik të saj brenda vetes. Si duket ata as që kanë më qasje në vendimmarrjet e kryesisë. Partinë e dëmton shumë perceptimi që e prodhon vetë të jetë ambivalente ndaj ekzistencës së shtetit. Ajo nuk ka arritur ta precizojë ndarjen e politikës së saj reale brenda sistemit nga idealet që përfaqëson dhe se si i fazëron ato. Një problem tjetër i madh i partisë është edhe krahu i paemancipuar politikisht për demokracinë pluraliste, i cili është i mirë për polarizime dhe ushtrime të fekalistikës verbale por tejet i dëmshëm për tu shtrirë edhe matej. Përkundrazi sa më të zhurmshëm të jenë perversët dhe gazehedhësit aq më shumë do të humb partia përqindje. AAK varret se si do të menaxhojë injeksionin e përfituar me solidaritetin e radhës ndaj liderit të tyre. Një plus ajo mund ta konsiderojë edhe dëmtimin e LDK-së, anëtarët e së cilës do të strehoheshin aty e jo tek partitë tjera. Nëse nuk bëhet e treta apo e dyta ajo do të vazhdojë të mbetet çelësi i çdo koalicioni që vjen. Edhe në mungesë të një strategjie shpresëdhënëse nga zyrat e saja ajo më së paku mund të humbë. NISMA lindi nga problemet dhe do të mbetet problem i PDK-së. Shanset e saja që të absorbojë edhe më shumë njerëz nga PDK janë të mëdha, mirëpo përkundër politikës koherente dhe konstruktive ajo nuk arrin t’i jap vetes primatin në ndonjë temë. Bashkë me AAK-në, mirëpo rrezikojnë që nëse jo këtyre zgjedhjeve në vitet që pasojnë të jenë gropa e PDK-së – nëse nuk ribashkohen sërish. TEMAT Jo programet e partive shkaktojnë lëvizje demopolitike. Ato nuk i lexon kush. As primatët nuk i dinë vetë saktësisht, ngase kur i lexojmë dhe dëgjojmë kemi përshtypjen të recitojnë programet e partive tjera. Ndryshimin e perceptimeve të masave e sidomos të atyre 57% që nuk votojnë ose votojnë për të keqen e gjitha partive për t’ua prishur kalkulimet, mirëpo e përbëjnë temat. Cilat janë ato aktualet: Demarkacioni, Liberalizimi i Vizave, Konflikti me Serbinë, Ushtria. Tema këto mirëpo që nuk janë edhe të masave, por të pushtetit, partive dhe mediave. Ose nuk janë ashtu siç i propagandojnë ato por krejtësisht ndryshe: Demarkacioni nuk donë të thotë më se sa metra tokë humben apo fitohen, por se nuk funksionon koalicioni, saboton lëvizjen e lirë të kosovarëve dhe se vendi detyrohet në zgjedhje; konflikti me Serbinë (treni dhe muri) nga shumica e zërave publikë konsiderohet si shou i njërës apo tjetrës palë; Opinioni nuk diskuton faktin se i duhet apo jo ushtri një vendi sovran, porse shteti nuk funksionon se bllokohet nga një minoritet prej 100 mijë njerëzve. Po i shoshitëm edhe më tepër këto tema shpejtë jemi dakord se janë vetëm hije e atyre si; papunësia, korrupsioni, shëndetësia, arsimi, identiteti, kultura, ekstremizmat dhe plotë të tjera që defacto pengojnë lëvizjen e lirë, përparimin dhe konsolidimin e shoqërisë. ÇKA DO TË NDODHË? Asgjë. Ndryshimi nuk do të vijë nëse në zgjedhje shkohet nga ky realitet që kemi sot. Do të lëvizin përqindjet nga njëra tek tjetra parti – minimal. Kompozicioni i koalicionit do të jetë ndryshe – kjo është e sigurt. Gjykatat Speciale nuk do të ndikojë as në këto zgjedhje. Nëse Demarkacioni nuk kalon në këtë legjislacion do kalojë me tjetrin që vjen. Liberalizimi i vizave nuk do jepet nëse nuk përmbushen kushtet edhe pa demarkacionin. Serbia do të ketë president tjetër dhe do të vazhdojë rrugën e vetë pa u pajtuar me kënd. Është kjo politika? Po ajo e mosndryshimit. «Normalja». Ndryshimin mund ta sjellin vetëm ata që nuk votojnë, këta që votojnë e kanë të «ndaluar» divorcin për shkaqe komoditeti. KONTRAFAKTIKE Ndodh ndryshe nëse: Këshilli Qendror i Zgjedhjeve bashkë me organizatat ndërkombëtare tjera nisin që tash kampanjën për sensibilizimin e qytetarëve për të votuar. Partitë heqin dorë nga temat provizore, me potencial bumerangu dhe ndërtojnë strategji për nevojat konkrete të qytetarëve. Kandidatët e tyre për deputetë nuk filozofojnë për Pellazgjinë, Ilirinë, Bashkimin me Sicilinë dhe Janinën, por shpalojnë programe konkrete për fshatin, lagjen nga vijnë. Pa program s’ka kandidim. Pa program të realizueshëm jo me premtime që pastaj i lufton vetë duke gënjyer nuk ka mbështetje partiake. Përqendrim me programe të veçanta rekrutimi për mosvotuesit, shoqërinë civile, mediat, shtresat profesionale dhe ato të papuna; me qëndrime konkrete rreth politikës së identitetit, kulturës, religjioneve, shtetit – pra domeneve që shkaktojnë pasigurinë e shumicës tash e sa vite. Ekonomia është domeni më i rëndësishëm po ajo nuk bëhet me njerëz të çorientuar nga pasiguria se ku do të përfundojnë nesër. Nuk ka ekonomi pa futje nën kontroll të korrupsionit. Veç pas garancive rreth zonave tjera të sigurisë ekzistenciale mund t’i sigurosh njeriut edhe mirëqenien. Nëse njëra nga këto parti apo tjera arrijnë ta ndërtojë një politikë ndryshe, sipas senzorëve të masave e jo fiksimeve të veta rreth temave, atëherë mund të ndodhë ndryshimi. Ndryshe s’ka ndryshim. Por vetëm zëvendësime kërrigash herë nga njëra e herë nga tjetra palë.