Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kush afirmon ndarjen e Kosovës?

123
string(13) "Xhemal Ahmeti" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/12/xhemal-ahmeti.jpg"
nga Xhemal Ahmeti 22.07.2018 14:10

Si të të bëj që ta duash atë që sot e refuzon? Këtë mund ta mësoni nga afera e fundit rreth ndarjes së Kosovës. Kush ka më së shumti interes ta afirmojë aktin e ndarjes së Kosovës? Kushdoqoftë – ia doli! Edhe protestat janë në shërbim të këtij promovimi.

Mjaftoi refuzimi i ambasadorit Greg Delawie që të flasë për elementet e mundshme që do të përbënin marrëveshjen eventuale kosovare-serbe, që të shpërthejë histeria kundër rindarjes, respektivisht tkurrjes së Kosovës.

Frika nuk është e paarsyeshme. Ka vite që Serbia përpiqet t’i bind qeveritë perëndimore se kriza e Kosovës mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet ripozicionimit të kufijve, drejt një finaleje me një shtet serb dhe një shtet shqiptar – Republikën e Shqipërisë.

Zyrtarisht, asnjë shtet perëndimor deri më tani nuk e ka trajtuar këtë opsion, kështu duke mbetur në qëndrimin e njohur të tyre se nuk ka ndërrim kufijsh.

Nëse Greg Delawie nuk e tha se ndarja është opsion – refuzoi të flasë për çdo opsion – dhe pastaj e përgënjeshtroi si “fake“; nëse kryeministri kosovar Ramush Haradinaj tha: “Ndarja do të thotë luftë“; nëse asnjë shtet perëndimor deri sot nuk ka pranuar “ofertat“ serbe rreth zgjidhjes së krizës as zyrtarisht e as tërthorazi, atëherë çdo analizë objektive rreth situatës sabotohet nga pyetja aktualisht me shumë përgjigje formëspekulimi e hamendësime: kush ishte aq i interesuar që të diskutohet e promovohet ky opsion dhe atë pikërisht nga brenda, nga viktima e mundshme, nga Kosova?

Ka një seri faktorësh që mund t’i spekulonim si akterë potentë:

1. Qeveria serbe ia doli, duke shfrytëzuar papërcaktimin e Delawie, të ndez histerinë në favor të promovimit të opsionit.

2. Histerizimi ndodhi padashje dhe vetëm nga motive të grindjeve të brendshme politike ndërmjet partive e kastave të ndryshme medialo-politike, të cilat si rëndom ushqehen më shumë nga “pallavra“ diplomatësh të frustruar klubeve të Prishtinës se sa nga analiza pak më të thella.

3. Qeveria kosovare, në bashkëveprim me atë të Shqipërisë ose me një grup të caktuar primatësh, janë marrë vesh me serbët që ta japin Veriun për një ulëse në OKB dhe institucione tjera ndërkombëtare dhe shfrytëzuan “lëshimin“ e Delawie për ta nisur procesin e përgatitjes mentale të masave për ndarjen e “dhimbshme“ që pason.

SPEKULIMI I PARË

Cili nga këta akterë ishte në veprim ditëve të fundit: 1, 2, 3, apo gjithë bashkë, ku secili bën lojën sipas kapaciteteve dhe kompetencave të veta? Përveç kryeministrit të vendit, i cili tha se “Ndarja do të thotë luftë“, tjerët si duket janë shumë herë më të qartë se Delawie.

Pse?

Deklaratën e prerë të Haradinajt, burime nga Prishtina e konsiderojnë efekt naiviteti dhe shkyçjeje nga procesi. Ky interpretim del i mundshëm kur kemi parasysh ca momente që shkojnë në favor të pikës së tretë, asaj që thotë se qeveria kosovare ka më së shumti interes për promovim të “ndarjes“ si opsion.

Para disa ditësh, Ministri i Jashtëm, Bexhet Pacolli, kur u pyet se për ç’kompromise është e gatshme Kosova dhe se a mund të ketë ndarje, ai tha se s’di gjë, s’mund të thotë saktësisht se si do të jetë marrëveshja finale. Kujdes: u pyet a do të ketë ndarje! Dhe ai tha s’di asgjë – nënteksti i së cilës deklaratë, përkthyer politikisht, do të thotë: ata duan, por ne jemi duke u menduar si t’ia bëjmë.

Presidenti kosovar, që përndryshe aq shpejt reagon në Facebook duke sqaruar shkurt e shpejtë në “mbrojtje të atdheut“, duke urdhëruar madje policinë të arrestojë njerëz kur ia shkelin kufirin e shtetit të “shenjtë“, kësaj radhe veçse nuk ia krisi vajit kur flet se marrëveshja do jetë e dhimbshme, ngase Vuçiq i paska thënë: “Kosova të jetë zemra e Serbisë“.

Me të drejtë analistë të ndryshëm e perceptojnë këtë qëndrim si fyerje të inteligjencës së opinionit. Ata pasi nuk janë vërtet aq idiotë pyesin se: në mos ndonjëherë Vuçiq dhe varësit e tij paskan folur ndryshe? Pse të jetë dëshpëruar aq keq një president me një refren aq banal, brutal e redundant të retorikës së një shteti që asnjëherë në qenien e tij nuk diti të flasë ndryshe?

Sjellja e Thaçit, duke pasur parasysh këto elemente të analizimit, vërtet assesi nuk mund të kualifikohet si zhgënjim real. Sjellja patjetër se duket aktrim për të përgatitur masat me floskën që nis kështu: “Ça me bë, nuk rrëzohet murri me kokë“, e për të përfunduar në fund në arrogancën e pritur: “Ku merrni vesh ju tjerët, ne fitojmë shumë më shumë me këtë zgjidhje!”.

Në këtë rast i vetmi është Haradinaj që nuk i është besuar pjesëmarrje në strategji. Ose e di, por është marrë vesh që të luajë qëllimisht rolin e naivit.

SPEKULIMI I DYTË

Qeveria serbe parallogarit shumëçka. Domethënien e fjalës “kompromis”, siç e do Serbia, e dimë. Opinioni atje nuk ka asgjë kundër ndarjes – do të ishte maksimumi i fitimit dhe sukses marramendës për shtetin në këto pozita. Këtë e di Vuçiq. Ky mirëpo ka mësuar diçka nga lufta e fundit.

Dy elementet kryesore që sollën vendimin definitiv të NATO-s, kupto amerikanëve, për intervenim ishin:

1. Gjenocidi në zhvillim e sipër, dhe 2. Vendosmëria e njerëzve në terren për t’u ndarë me çdo kusht, vdekur a gjallë, nga Serbia, disponime këto që i raportonin në qendrat e tyre Holbrooke, Shea, Walker dhe plot tjerë. Nëse kjo e dyta do të mungonte, do të stopohej lufta, do hyhej në një armëpushim për një konferencë rreth statusit të Kosovës brenda Serbisë – në stilin siç u provua me Rambujenë.

Vuçiq është i bindur se ndarja mund të ndodhë e të përkrahet nga perëndimorët vetëm atëherë kur kosovarët – qeveria e tyre me një masë relevante – do të pranonin këtë si opsion për t’u “pajtuar“ e arritur “marrëveshjen“ historike e ndryshe assesi, ngase Kosova tashmë është shtet i njohur nga aq shumë shtete në këta kufij që ka.

Që qeveria serbe shpesh ia del të lansojë promovime të opsioneve të veta në këtë mënyrë si kjo tash, është parë dhjetëra herë. Kësaj radhe mirëpo, nëse qëndron ky spekulim atëherë edhe pandehja e disa njerëzve të afërt me AAK se gjoja të dinë se me kë vepron Serbia – përveç me Listën Serbe – në zierjen e opinionit kosovar në favor të saj, kësaj radhe qenka vetëdenoncuar më shumë se kurrë më parë.

KONSTATIME

Përtej këtyre spekulimeve, indikacionet megjithatë thonë diçka shumë konkrete: Ëma e opsionit është Serbia, ndërsa në ekzekutim e sipër të saj qenkan të angazhuara institucione legale të shtetit bashkë me mediat bashkëvepruese ose të vëna në kurth ose në shërbim nga dy akterët në fjalë.

Edhe protestat “kundër“ janë në favor të këtij promovimi, ngase sot nuk bëhet fjalë se do të nënshkruhet ndarja apo jo, por kërkohet afirmimi sa më intensiv i idesë së ndarjes.

Për shtete, kultura, kombe që kufizohen me popujt e vetë përreth, ky nuk mund të quhet zhvillim progresiv, por regresiv, nuk mund të shihet si dikurs me mend, por autogolik. Një “kauzë” që thirr për dhënien edhe të më shumë tokave, ujërave e maleve, edhe pse gjysma e kulturosferës është jashtë s’ka se si mos të jetë e huaj.

Ishte iluzion bindja se më në fund bota riparon gabimet e saja historike ndaj shqiptarëve. Jo se bota vërtet nuk u nis e s’pati vullnet për një proces të tillë, porse shqiptarët vetë nuk e pranuan ofertën, mundësinë. Politikat shqiptare kërkojnë njerëz që dinë e jo vetëm njerëz që duan.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme