Kur do t’i marrim mësimet e duhura?   - Klan Kosova

Kur do t’i marrim mësimet e duhura?  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
2 months më parë

Kosova e ditëve të kaluara u trondit me një tjetër vrasje që shkaktoi një shpërthim  emocionesh në të katër anën e vendit. 

Kësaj here, reagimet ishin edhe më të shumta se rëndom, edhe më të mbushura pezm dhe  mllef, sepse viktima ishte një vajzë tetëmbëdhjetëvjeçare.  

Vrasësi është zënë dhe tash ai do të përballet me drejtësinë. 

Do të hetohen, me siguri, siç edhe është paralajmëruar tashmë nga instancat më të larta  qeveritare, të gjitha dështimet e deritashme në zingjirin e drejtësisë, sepse autori i këtij  krimi të rëndë kishte ra ndesh me ligjin edhe në shumë raste të tjera më parë, teksa në fund,  ka mbetur i lirë, në gjendje për ta bërë këtë vrasje. 

Nuk ka dyshim që ky segment i funksionimit të Sundimit të ligjit, i njohur tashmë ndër ne  si kapitulli i Dhunës në familje, edhe në vijim të shembujve të ngjashëm nga e kaluara të  cilët gjithashtu patën shkaktuar reagime të pezmatuara, duhet të rishikohet në tërësi: Si në  funksionimin e tij, ashtu, nëse duhet, edhe në shqyrtimin e shkallës së penalizimit të këtyre  krimeve.  

Çka pamë dhe dëgjuam ditëve të fundit, në shkallë vendi, në deklarimet e të gjithë  politikanëve relevantë, në prononcimet e qytetarëve për televizionet tona, pastaj, në debatet  në Rrjetet shoqërore, konfirmoi edhe një herë që niveli i ndjeshmërisë së opinionit kosovar  në trajtimin e këtij rasti dhe të dhunës në familje, në përgjithësi, është i jashtëzakonshëm.  

Një mobilizim i këtillë, krejtësisht spontan, dëshmon që vëmendja e madhe për këtë çështje  ekziston, që ajo tashmë ka një prioritet politik dhe mediatik, dhe që është poashtu temë e  rrallë që ka një mbështetje konsensuale politike në vend. 

Krijimi i një atmosfere të këtillë tek qytetarët e Kosovës, është pra një arritje, një vlerë e  cila pos që vet do të krijojë rrethana më të mira në gjithë shoqërinë kosovare, që rastet e  kësisojta të mos shpëtojnë pa u ndëshkuar nga gjyqi, ka edhe atë aspektin edukativ tek të  gjithë ne, që të jemi më të vëmendshëm në sjelljet tona në familje. 

Kjo atmosferë e një ndjeshmërie të lartë për këtë çështje, mund të jetë njëri prej burimeve  të veçanta të ndryshimit të shoqërisë sonë në këtë aspektin qytetërues dhe kulturor. Megjithatë, këtu do të duhej bërë punë më të madhe nga të gjitha institucionet tona, qofshin  ato politike dhe administrative, qofshin edhe kulturore dhe arsimore. Është bërë goxha punë, duhet të pranohet këtu, në promovimin e barazisë gjinore në  Kosovë, veçmas përmes kuotave gjinore në Kuvendin e Kosovës, së fundit edhe në përbërjen e Qeverisë së Kosovës, teksa për herë të dytë në historinë 20 vjeçare të  demokracisë parlamentare në nivelin qëndror, një femër është Presidente e Kosovës. Është punuar poashtu në vazhdimësi, viteve të fundit, në adresimin e të drejtës së  pakontestueshme të femrës për të qenë trashëgimtare e pronës. 

Femrat po marrin rol gjithnjë e më të madh edhe në ndërmarrësi, ato janë pronare mediash,  teksa arritjet e tyre në sport, në muzikë, në film (kulturë në përgjithësi), janë të  jashtëzakonshme, apo, ato kanë bërë shumë që Bota ta merr vesh se çka është Kosova në  të vërtetë.

Kur të merren parasyshë të gjitha këto fakte, mund të konkludohet që shoqëria kosovare ka  ndryshuar për të mirë në këtë raportin bazik gjinor dhe në promovimin e merituar të rolit  të femrës në këtë shoqëri. 

Por ja që rastet si ky i fundit, të cilët nuk kanë si të mos shkaktojnë një vullkan mllefi tek  të gjithë ne, bëjnë që të gjithë ne të zbrapsemi, disi të ndihemi përgjegjës që dhuna në  familje vazhdon të jetë një kërcënim jo vetëm ligjor, por edhe politik, edhe moral edhe  qytetërues për të gjithë ne. 

Këtë duhet ta kemi të qartë të gjithë ne. 

Prandaj, luftimi i kësaj dukurie kërkon një mobilizim të shtetit, por edhe të shoqërisë, të  familjes, të shkollës, të institucioneve të kulturës.  

Të të gjithë neve.