Kundërshtimi i shënjimit të kufirit me Malin e Zi, proces i bazuar në fakte, apo shkarje profesionale? 123 string(11) "Tomor Çela" NULL nga Tomor Çela 24.08.2016 16:52 24.08.2016 16:52 Procesi i shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të jetë ndër temat kryesore të politikës vendore. Kemi obligim moral e profesional, të mundohemi që edhe një herë të sqarojmë procesin e shënjimit të vijës kufitare në mes të R. së Kosovës dhe R. së Malit të Zi, duke u bazuar në argumente dhe praktika ndërkombëtare. Artikulli ka për qëllim që t’i ofrojë spektrit politik vendimmarrës, por edhe opinionit të gjerë një perspektivë tjetër të argumenteve, të cilat ndihmojnë në qartësimin e procesit. Në mungesë të fakteve, ky debat është përcjellë me emocione të tepruara që nuk i kanë kontribuar procesit. Përkundrazi,emocionet e tepruara, duke i emëruar njerëzit në tradhtarë dhe patriotë (varësisht se a janë të rreshtuar pro apo kundër kësaj marrëveshjeje), e kanë elektrizuar skajshmërisht shoqërinë, edhe ashtu të përçarë kosovare. Derisa spektri politik edhe mund të arsyetohet që proceset e tilla, që në thelb janë profesionale, i përdorin për kauzat e tyre politike, një përgjegjësi e veçantë do të duhej të adresohej tek të gjithëprofesionistët, të cilët duke e analizuar këtë proces nga një këndvështrim i ngushtë, pa fakte të qëndrueshme dhe adekuate kanë krijuar një perceptim të gabuar në opinionin e gjerë. Kemi vërejtur se profesionistët janë orientuar në sqarimin e të dhënave hartografike, statistikore e juridike, duke u bazuar në të gjeturat e tyre përkatëse. Me këtë rast janë evidentuar dy tabore profesionale. Në njërën anë është komisioni shtetëror për shënjimin e kufirit, i cili ka ofruar të dhënat e veta hartografike, kadastrale dhe statistikore nga të cilat është nxjerrë rezultati i vijës së kufirit, i cili ka përputhshmëri të plotë me të dhënat për periudhën kohore 1974-2015. Në anën tjetër është grupi i ekspertëve që kundërshtojnë procesin aktual të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, të cilët gjithë argumentimin e kanë të bazuar në të dhënat hartografike të periudhës kohore para vitit 1971. Në opinionin publik kjo ka krijuar një perceptim të gabuar profesional. Sqarime për argumentet e kontestuara Nga muaji nëntor kemi dëgjuar e lexuar deklarata, artikuj shkencor e gazetareskë dhe intervista mediatike të shumta, të cilat në vazhdimësi e kanë kundërshtuar procesin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Ne do të përmendim të gjitha argumentet kontestuese me qëllim që të japim sqarime për secilin prej tyre. Ekziston ndryshueshmëri e vazhdueshme e argumenteve të cilat tregojnë për larminë e hartave me ndryshim të vijës kufitare, që rrjedhimisht kanë ndryshuar edhe të dhënat për sipërfaqet e territorit (që pretendohet se po humbet), pa krahasuar të dhënat aktuale me ato të periudhave kohore të më hershme. Fillimisht është trumbetuar se me procesin e shënjimit të vijës kufitare më Malin e Zi, Republika e Kosovës humb territor prej 120km2. Pas përfshirjes së grupit të profesionistëve, dhe analizave më të detajuara që ata kanë bërë, është publikuar se territori i humbur nga ky proces është mbi 82km2. Me rastin e analizës së të dhënave vektoriale nga Euro Geographics, është thënë se Kosova po humbë 66km2, dhe së fundmi vërehet se sipas hartës së derguar nga R. Serbisë, në GJND, gjatë procesit të kontestimit të pavarësisë së Kosovës, ekziston humbje e territorit prej rreth 42km2. Sqarim – Larmia numerike e sipërfaqes së Kosovës e bazuar në të dhëna hartografike, nënkupton se hipoteza e ngritur për humbjen e territorit, është jo profesionale. Si e tillë cila nuk mund të ketë përputhje të argumentuar me asnjë dokument zyrtar për periudhën kohore 1974-2015. Kjo larmi e të dhënave hartografike, e pa përputhshme me të dhëna statistikore dhe kadastrale, tregon për joseriozitetin e analizave shkencore, të cilat i bëjnë ato të konsiderohen si të pavlefshme dhe të pabazuara në fakte. Është diskutuar për një kohë të gjatë se kriteri kadastral i përdorur nga ana e komisioneve përkatëse, nuk është i bazuar në praktika ndërkombëtare dhe është përdorur për herë të parë vetëm me rastin e shënjimit të vijës së kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Sqarim – Të gjitha praktikat e shteteve të dala nga RSFJ tregojnë se kriteri kadastral ka qenë faktor determinues në përcaktimin e kufinjve në mes tyre. Ekzistojnë shumë dokumente shkencore dhe zyrtare që e dokumentojnë këtë fakt. Sipas këtyre marrëveshjeve kanë qenë dy parime bazë për fillimin e shënjimit të kufirit në mes tyre: respektimi i gjendjes administrative të para 25 Qershorit 1991 (para fillimit të luftës në ish Jugosllavi) dhe përdorimi i dokumentacionit kadastral si kriter bazë në procesin e shënjimit të kufirit (provë për të dokumentuar administrimin e teritorit nga njëri apo shteti tjetër). Gjithashtu është diskutuar në masë të madhe se Republika e Malit të Zi, nuk ka të dhëna kadastrale për pjesën lindore të saj, përkatësisht hapësiren gjeografike të Çakorrit dhe burimeve të Lumit Bjelluha. Sqarim – Së fundmi është argumentuar se Mali i Zi, ka në disponim të gjitha të dhënat kadastrale (kadastër përshkrues) për zonat e lartëshenuara, duke përfshirë fletat poseduese, hartën e blloqeve kadastrale dhe listen e parcelave kadastrale, me numra kadastral dhe emra të pronarëve, ose trashigimtarëve juridik (harta nr. 1) Përdorimi i hartave topografike me shkallë 1:25000 dhe 1:50000, si argumente përshënjimin e vijës kufitare, nuk konsiderohen si dokumente të mjaftueshmë për shënjimin e vijës kufitare në mes shteteve. Sqarim – Praktikat ndërkombëtare kanë treguar se hartat topografike, mund të ndihmojnë procesin e shënjimit të vijës kufitare, por për shkak të dallimeve në projeksion, shkallë, topografi, toponomi, e të dhëna administrative, me theks të veçantë në dallimet e vijave kufitare, e humbin vlerën e tyre si argumente determinuese në këto procese. Ato janë të vlefshme vetëm nëse janë pjesë e ndonjë marrëveshje të nënshkruar, dhe hasën në formatin e marrëveshjes në mes dy shteteve. Duhet të theksojmë se në vendet demokratike ushtritë e shteteve me harta topografike nuk përcaktojnë kufi, po ato kanë mandat ta mbrojnë atë. Vendosja dhe krahasimi i kufirit digjital me hartat e gjeoreferencuara të shkallës së madhe (mbi 1: 600000), dhe tendenca për të nxjerrur rezultate të sakta profesionale për devijim të vijës kufitare, është përpjekje vetëm sa për të kundërshtuar procesin. Sqarim – Gjeoreferencimi i hartës së flamurit dhe asaj të publikuar nga GJND, dhe vendosja e kufirit digjital mbi këto harta, duke ditur se rezolucioni dhe kualiteti i hartave është shumë i dobët, është përpjekje për të manipuluar opinionin publik. Nëse vertet gjeoreferencohet harta e flamurit sipas rregullave, atëherë do të vërejmë se kufiri i Kosovës i vendosur në flamur nuk dallon nga kufiri i prezantuar nga komisioni shtetëror (harta nr.2). Gjithashtu harta e prezantuar në GJND, tregon se lumi Bjelluah dhe qafa e Çakorrit gjendet jashtë territorit të Kosovës (Harta nr.3). Anashkalimi i bazës statistikore zyrtare, si argument për të devijuar vlerat numerike të sipërfaqeve, klasifikohet si anomali profesionale e shkencore. Sqarim – Vjetarët statistikor dhe të dhënat shkencore, paraqesin bazë të mirë të argumenteve të bazuara në dokumentacion administrativ dhe shkencor, për periudha të caktuara kohore. Shfrytëzimi i të dhënave statistikore ndihmon në krahasimin e të dhënave numerike për sipërfaqen e shtetit, komunës administrative dhe komunës kadastrale. Përputhja e tyre (numrave dhe vijave) me të dhënat hartografike dhe kadastrale ofron saktësi maksimale në përcaktimin e territorit të një hapësire gjeografike – shteti. Të gjitha të dhënat statistikore nga viti 1974 e deri më sot, argumentojnë një fakt të pakontestueshëm se sipërfaqja e komunës së Pejës është 603km2, përderisa sipërfaqja e R.Kosovës është 10887 apo 10906km2 (baza vektoriale) dhe 10908km2 (baza tekstuale). Sipas kësaj mund të konstatohet në mënyrë të argumentuar se komuna e Pejës, përkatsishtë R.Kosovës, nuk evidenton asnjë ndryshim negativ në sipërfaqet e tyre për periudhën kohore 1974 -2016. Ne bazë të gjithë këtyre fakteve më bëjnë përshtypje disa çështje: Pse profesionistët nuk përdorin referenca për të garantuar kronologjinë krahasimore për zhvillimin e analizës shkencore ose projektit me të cilin ata merren? Sa do të jetë i besueshëm një artikull hulumtues nëse nuk do të bazohet në referenca shkencore, statistikore e hartografike? A mund të devijohen faktet në mungesë të referencave relevante? Si është e mundur që profesorët të cilët ligjërojnë në universitet (për dekada) lëndët shkencore për bazat e statistikës/gjeostatistikës publikisht të kontestojnë besushmërinë e të dhënave statistikore? Kjo e ngritë një pyetje shumë të rendësishme. A thua është ligjëruar në mënyrë të drejtë para studentëve për zhvillimet hartografike dhe statistikore, apo statistika dhe hartografia po fillon me formësimin individual dhe shkencor të individit në pjesën e parë të shekullit XXI? Si është e mundur që ekspertët e parë të GIS në Kosovë, të cilët kanë eksperiencë në trajnime (përgatitje profesionale të kursistëve) për ketë fushë, që nga viti 2000, të shpjegojnë metodologjinë e matjes së sipërfaqes së poligoneve hapësinore në rrafsh përmes aplikacioneve të ndryshme tëGIS-it (ArkGIS, MapInfo, Geomedia, etj) dhe në vitin 2016 të kontestojnë një metodologji e tillë? Ajanë paguar keta individ/ekspert dhe kompanitë e tyre, për të shpjeguar metodologji profesionale(e cila do t’i mundësonte ekspertëve të ri, që t’i përdorin ato për punë profesionale), apo kanëshpjeguar dhe shpjegojnë thjeshtë gënjeshtra të shpifura? Si është e mundur që përgjegjësia profesionale, morale e patriotike për caktimin e vijave kufitare të shtetit të adresohet tek individët e jo tek institucionet shtetërore? Kjo paraqet guxim apo deformim të madh profesional, i cili vjen si pasojë e përpjekjeve për të krijuar hamendësim administrativ e shoqëror. Kur këto devijojnë krijojnë anomali profesionale, administrative e shoqërore për shtetin dhe individin.