Kundër barbarizimit të trashëgimisë kulturore 123 string(16) "Shkëlzen Maliqi" NULL nga Shkëlzen Maliqi 21.10.2015 17:00 21.10.2015 17:00 Kontribut fushatës “Kosova në UNESCO” Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, biles edhe para se hartimit të Plani i Ahtisaarit, e kam botuar një shkrim, në gjuhën shqipe dhe në atë serbe, me titullin: “Kundër barbarizimit të trashëgimisë kulturore”. Në këtë shkrim e trajtoja çështjen e statusit të trashëgimisë së sfondit bizantino-ortodoks në Kosovë, për të cilën trashëgimi sërish janë duke u zhvilluar debate dhe polemika, sidomos në dritën e përpjekjeve të Kosovës që të bëhet anëtare e UNESCO-s, e që kundërshtohet ashpër, por shpresojmë pa sukses, nga Serbia. Fushata e sotme e egër e zyrtarëve dhe klerikëve serbë në trajtimin absolutisht përvetësues të kësaj trashëgimie, ma kujtoi këtë shkrim të hershëm timin, të cilit nuk kisha nevojë t’i shtoja asgjë që ta riaktualizoja. Andaj, po e ribotoj pa ndryshim, vetëm me ca korrektura të vogla gjuhësore dhe stilistike. Njëra nga temat e ndjeshme të negociatave për statusin e Kosovës është ajo e mbrojtjes të trashëgimisë kulturore dhe historike. Në parim, kjo temë nuk është dashur të politizohej fare. Trashëgimia kulturore dhe historike duhet të jetë e mbrojtur dhe e sigurt pa marrë parasysh se çfarë do të jetë statusi i Kosovës. Vlerat e kësaj trashëgimie janë universale dhe ato nuk mund të futen në regjimet aktuale të çarjeve dhe pjesëtimeve politike, etnike dhe fetare. Megjithatë, është për të ardhur keq që gjërat nuk qëndrojnë kështu dhe problemi i mbrojtjes së trashëgimisë buron nga një barbarizim i përgjithshëm i raporteve që është fuqizuar në tri dekadat e fundit. Ky barbarizim i raporteve, në trajtën përçmimit dhe mohimit të vlerave të tjetrit, e ka instrumentalizuar edhe trashëgiminë për nevojat e qëllimeve dhe fushatave aktuale politike, kombëtare dhe fetare. Dhe pikërisht monumentet më me vlerë janë instrumentalizuar më së shumti dhe, si pasojë, janë kërcënuar nga barbarizimi, çka nënkupton edhe rrezikun për zhdukjen e tyre. Për ta kuptuar sa më konkretisht problemin, do ta marr shembullin e monumenteve më me vlerë që ka Kosova – Manastirin e Deçanit (UNESKO-ja e ka futur në listën e trashëgimisë botërore), Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Graçanicës. Në Kosovë ka edhe trashëgimi tjetër të kategorisë më të lartë, por këtu do të kufizohem në këto. Nuk ka dyshim se këto tri objekte të kultit por edhe të arteve, janë një thesar me vlera universale dhe i takojnë njerëzimit, dhe jo ekskluzivisht ndonjë kulture, kombi ose feje të veçantë. Kuptohet, vlera e tyre universale nuk e kundërshton faktin se ato janë ndërtuar në rrethana specifike kulturore dhe historike, dhe se bëjnë pjesë në kulturën krishtere ortodokse. Mirëpo, në kontekstin e tensioneve të larta kombëtare dhe fetare në ish Jugosllavi, gjatë viteve 1980 qarqet nacionaliste serbe kanë bërë një reduktim radikal të kësaj trashëgimie kulmore duke e nacionalizuar dhe politizuar tej mase. Këto qarqe shpallën thjesht “serbizimin” e kësaj trashëgimie dhe, për më shumë, i konsideronin ato si tapi të sojta historike që dëshmojnë se Kosova duhet ti takojë Serbisë! Faktografia historike dëshmon të kundërtën: nuk mund të pohohet assesi se këto monumente kanë qenë serbe në kuptimin etnik të fjalës. Në kohën kur janë ngritur, ato kanë qenë tempuj të kultit të krishterë. Serbët në atë kohë nuk kanë qenë të konstituuar si komb në kuptimin modern të fjalës, ndërkaq në popullsinë e Kosovës mesjetare ka pasur edhe numër të konsiderueshëm të popullsisë dhe fetarëve që nuk kanë qenë me prejardhje serbe, ose në përgjithësi sllave. Thjesht, në mesjetë edhe shqiptarët kanë qenë po kështu të krishterë, dhe vendet e kultit për të cilët po flasim këtu u janë dedikuar edhe atyre, sikundër që edhe ndër krijuesit kryesisht anonim të këtyre kryeveprave nuk kanë mundur të janë vetëm serbët, por sigurisht ka pasur edhe arkitektë, dekoratorë, piktorë dhe ndërtues me prejardhje josllave, dhe pse jo edhe shqiptare. Një reduksion tjetër i rrezikshëm është ai politik, kur trashëgimia kulturore është shpallur tapi e Serbisë mbi Kosovën. Kjo tezë sa është politikisht e pasaktë (përmendoret e kulturës nuk duhet të shërbejnë assesi si “tapi” kombëtare dhe shtetërore!), po aq edhe implicite raciste. Nacionalistët serbë kanë demonstruar hapur superioritetin shtetëror dhe kulturore të serbëve në Kosovë, duke injoruar me këtë të drejtat demokratike dhe realitetin demografik të shumicës joserbe të popullsisë së Kosovës. Fakti se objektet më të rëndësishme të kultit janë trajtuar si “serbe”, dhe kanë figuruar lartë në shkallën e “argumenteve historike” mbi bazat e të cilave shteti serb arsyetonte të drejtën e sovranitetit mbi Kosovën kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës, ka sjellur deri te pasojat dhe konsideratat e gabuara te shqiptarët, se vërtet këto objekte janë “serbe” dhe “armiqësore”. Ku lloj i alienimit të shumicës së popullatës nga pjesa e rëndësishme trashëgimisë kulturore të Kosovës ka ndikuar edhe në sulmet revanshiste të ekstremistëve shqiptarë ndaj objekteve të trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe fetare të serbëve, kur janë djegur kisha ortodokse dhe Bogoslovia (Teologjiku) në Prizren, kisha ortodokse në Prishtinë, etj. Nga ana tjetër, ky alienim nga vlerat dhe resurset e trashëgimisë së Kosovës – që ka ndikuar në trajtimin e një pjesë të saj si vlera armiqësore, të jomirëpritura dhe të huaja – është sforcuar edhe nga politika agresive dhe gllabëruese e shteti serb dhe qarqeve nacionaliste serbe gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, dhe kjo pjesërisht vazhdon edhe sot, ndaj vlerave arkeologjike, historike, kulturore dhe religjioze që janë klasifikuar si joserbe dhe, për ta, si objekte armiqësore. Gjatë luftës, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe kanë shkatërruar tempujt e kultit islamik (p.sh., xhamitë në Gjakovë dhe Pejë), si dhe trashëgiminë historike dhe kulturore të shqiptarëve (p.sh., kompleksin muzeal të Lidhjes së Prizrenit). Imperializmi kulturor serb është shfaqur edhe në aktin e uzurpimit të koleksionit të thesarit të Muzeut të Kosovës, që para luftës janë bartur në Beograd, dhe ende nuk u janë kthyer pronarit të ligjshëm. Të gjitha këto që përmenda kanë ndikuar në krijimin e klimës së barbarizimit të përgjithshëm dhe të mohimit të ndërsjellë kulturor. Negociatat aktuale për statusin e Kosovës do të adresojnë këto ditë edhe çështjen e trashëgimisë dhe ky është një rast që të tejkalohet kjo qasje dhe praktikë barbare, duke theksuar faktin se kemi të bëjmë me vlera universale e jo partikulare. Disa përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe kohëve të fundit sikur tregojnë tendencën e depolitizimit të statusit të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke u kthyer në parimet universale edhe të vetë fesë ortodokse, dhe jo teorive reduksioniste se manastiret na qenkan pronë etnike dhe “tapi” të Serbisë për ta vazhduar sundimin e Kosovës. Nga ana tjetër, edhe te pala shqiptare janë bërë përpjekjet që t’i iket kurtheve të barbarizmit të trashëgimisë kulturore dhe të qëndrimit ndaj saj. Nëse vojvodët shqiptarë në mesjetën e vonshme e deri në fillim të shekullit XX, pra gjatë sundimit otoman, kanë qenë të angazhuar me kontratë për mbrojtjen e dy manastireve, atë të Deçanit dhe të Patrikanës në Pejë nga mujsharët dhe plaçkitësit e ndryshëm, dhe kanë arritur t’i ruajnë në një gjendje të mirë – këto monumente të trashëgimisë, por edhe e gjitha trashëgimia tjetër – duhet dhe mund të mbrohen dhe të kalojnë pa dëme tek brezat që nuk do të jenë të ngarkuar me paragjykimet e tejtheksuara të sotme. Më e rëndësishmja në negociata është krijimi e një klime të besimit se e gjithë trashëgimia kulturore dhe historike do të trajtohet në mënyrë të barabartë.