Kujdes: Kjo krizë në Kosovë nuk është lojë - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kujdes: Kjo krizë në Kosovë nuk është lojë

123
string(13) "Leon Hartwell" string(57) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/09/leon.png"
29.09.2021 14:18

Në dukje e parëndësishme, por mosmarrëveshja mbi targat e automjeteve ka shkaktuar tension serioz dhe lëvizje trupash në Serbi dhe Kosovë.

Në Ballkan nuk është mirë të reagohet shumë vonë.

Kurdo që shpërthen konflikt, pashmangshëm që aty tërhiqen si amerikanët ashtu edhe evropianët. Ky është mësim i vjetër; Lufta e Parë Botërorë krisi me vrasjen e Arkidukës Franz Ferdinand në Bosnjë, derisa luftërat në Jugosllavi në vitet ’90-ta morën fund vetëm pas fushatës ajrore të NATO-s dhe zbarkimit të dhjetëra mijëra paqeruajtësve – 60 mijë në Bosnjë dhe Hercegovinë vetëm pas Marrëveshjes së Dejtonit.

Ngjashëm, dështimi për t’i dhënë një fund konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë që nisi më 1998, është duke shkaktuar probleme serioze.

Reagimet pas zhvillimeve të fundit nga SHBA, BE dhe NATO kanë qenë tejet të dobëta. Aleanca transatlantike duhet ta përdorë këtë krizë për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë-Serbi në vend se të bëhet thirrje “për të dyja palët” për de-eskalim.

Mosmarrëveshja rrjedh nga një rregullore e re kosovare që kërkon që automjetet që kalojnë nga Serbia të vendosin targa të përkohshme të regjistrimit. Kjo është e ngjashme me një rregull të vjetër serb për shoferët kosovarë për të theksuar se ata nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Si rrjedhojë u krijua rezistencë e menjëhershme nga komuniteti i vogël por i zëshëm serb në Kosovë: Serbët bllokuan dy pikëkalime kufitare dhe Kosova urdhëroi Njësinë Speciale të shkojë në kufi. Policia e Kosovës ka vëzhguar implementimin e masës së re dhe ka monitoruar situatën për të identifikuar dhunën e mundshme dhe zhvillime të papritura, duke pasur parasysh përdorimin e shpeshtë të autoriteteve nga ana e Serbisë për të nxitur konflikt në veri të Kosovës.

Këtë herë, megjithatë, Serbia reagoi me forcë, duke tubuar trupa përgjatë kufirit, përfshirë tanke T-72, automjete të blinduara Lazar 3 dhe automjete luftarake shumëqëllimshe M16-Millosh. Për më tepër, ajo dërgoi edhe avionë luftarakë Mig-29 dhe helikopterë prodhim i Rusisë përgjatë vijës kufitare. Manovrat ushtarake janë shoqëruar me një gjuhë shumë nxitëse nga ana e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në rast se dikush ia kishte huq mesazhit, Serbia bënte thirrje kah miqtë e vjetër në Kremlin për të diskutuar hapat e ardhshëm. Gjatë fundjavës, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq u takua me Ambasadorin e Rusisë në Beograd, Alexander Botsan Kharchenko, për të inspektuar trupat afër kufirit me Kosovën.

Qeveritë perëndimore përgjithësisht janë kundër rrezikut, veçanërisht kur bie fjala për forca ushtarake. Por SHBA dhe BE, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, nuk mund të largohen nga ngjarjet në Kosovë, vetëm sepse kanë tre mijë e 600 trupa paqeruajtëse të vendosura aty. Kjo përfshin një të ashtuquajtur batalion të harruar të trupave amerikane. Njësitë e KFOR-it kanë lëvizur më afër kufirit për të vëzhguar.

Pavarësisht kësaj, BE, NATO dhe SHBA u përgjigjën me deklarata për “të dyja palët” – duke u bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ulen tensionet – sikur të dyja palët të jenë barasfajtore për përshkallëzimin e konfliktit. Qëndrime të tilla i vendosin në pozita të barabarta viktimën dhe dhunuesin.

Për t’i shtuar fyerjet, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kërkoi që Kosova ta tërheqë Njësinë Speciale të Policisë. Kjo pavarësisht faktit që ndërtesat qeveritare në veri të Kosovës u dogjën, derisa tjetra u gjuajt me granata të cilat nuk plasën. Kështu, BE po i kërkon Kosovës që të përmbahet nga kryerja e policimit në territorin e saj në një kohë kur tensionet janë rritur.

Çështja e numrit të targave është minore, por e cila lidhet me një konflikt më të gjerë. Pas spastrimit etnik dhe mizorive të tjera të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt 2008. Pavarësia e Kosovës është e njohur nga SHBA dhe mbi 100 shtete të tjera anembanë botës. Pavarësia e saj nuk është e njohur nga Serbia, Rusia, Kina dhe pesë shtete anëtare të BE-së.

Këtë javë, SHBA dërgoi Zëvendësndihmës Sekretarin për Evropë dhe Euroazi, Gabriel Escobar, në Bruksel për bisedimet e udhëhequra nga BE midis palëve kundërshtare. Ai do ta mbështesë Përfaqësuesin Special të BE-së për bisedimet Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak  –  me shpresën për ta qetësuar situatën.

Ka tepër pak gjasa që bisedimet në Bruksel, apo ndërmjetësimi në një periudhë afatmesme, të sjellin zgjidhje për çështjen territoriale. Siç u argumentua në një dokument politikash ditëve të fundit, konflikti Kosovë-Serbi nuk është “pjekur për zgjidhje”. Arsyet për këtë janë të qarta: Së pari, Vuçiq deklaron se Kosova mbetet territor serb dhe së dyti, karrota e anëtarësimit në BE, e parë dikur si shumë e çmuar, po venitet si një insentivë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo ngase BE është duke e ndjerë lodhjen e anëtarësimeve të reja; Vuçiq, një lider autoritar, dëshiron që Serbia të bashkohet në BE për arsye ekonomike, por që është i pavullnetshëm që të ndërmarrë reforma politike pasi që kjo do ta kufizonte fuqinë e tij; dhe Serbia po krijon me shpejtësi alternativa për anëtarësim në BE, duke përfshirë marrëdhëniet e forta me Kinën.

Roli i Rusisë në përkeqësimin e çështjeve duhet pranuar gjithashtu. Sinqerisht, një luftë ndërshtetërore në mes të Serbisë dhe Kosovës do të ishte një fitore për Rusinë sepse do të garantonte përjashtimin e Serbisë dhe Kosovës nga BE dhe NATO në të ardhmen e parashikueshme.

Siç tregojnë situatat në Gjeorgji dhe Ukrainë, organizatat transatlantike janë alergji ndaj anëtarëve të rinj që janë në konflikte të vazhdueshme.

SHBA dhe BE nuk duhet të ndeshen për targat. Përkundrazi, nëse ato duan që të bëjnë përparim të vërtetë, ato duhet ta përdorin krizën si një mundësi për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes Serbi-Kosovë.

Ekzistojnë opsione të politikave afatshkurtra dhe afatmesme.

1. Të pranohet që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është i bllokuar dhe të parkohen alternativa për të ndihmuar zgjidhjen e një çështjeje të paqëndrueshme të sigurisë;

2. NATO duhet ta identifikojë Serbinë si provokatorin kryesor dhe që të kërkojë tërheqjen e saj në një distancë të arsyeshme nga kufiri i Kosovës;

3. KFOR duhet të vendoset plotësisht në veri të Kosovës dhe të përforcohet me aseste shtesë të NATO-së;

4. Një marrëveshje e fuqishme e mbrojtjes duhet nënshkruar nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet anëtare të BE-së për ta mbrojtur sovranitetin e vendit dhe për të siguruar parandalimin;

5. BE-ja duhet të përcaktojë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të Serbisë dhe Kosovës;

6. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Kosovës dhe shtetet anëtare të BE-së që e kanë njohur sovranitetin e Kosovës duhet t’i bindin pesë prapambetësit – Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën – që ta njohin Kosovën apo së paku të përmbahen nga pengimi i anëtarësimit të vendit në BE.

Dr. Leon Hartwell është ushtrues detyre i Drejtorit të Programit të Lidershipit Transatlantik në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane.

Tekst i publikuar në Cepa, i përkthyer nga KlanKosova.tv

lajme të ngjashme