Kriza e Elitës Politike Prapa Bllokadës 123 string(13) "Artan Mustafa" NULL nga Artan Mustafa 20.01.2016 20:46 20.01.2016 20:46 Bllokada në Parlamentin e Kosovës shkaktohet nga kriza e elitës politike në rrënim që ka dështuar ta lëvizë vendin, në mënyrë domethënëse, përtej gjendjes sociale që e ka pasur tri dekada më parë. Aktorët kryesorë politikë vuajnë nga mungesa serioze e legjitimitetit dhe besueshmërisë, ndërsa zërat liberalë dhe liderët e rinj margjinalizohen. Opozita duke gjuajtur boca gazi lotsjellës për ta bllokuar çdo seancë të tentuar të Parlamentit të Kosovës (një nga përjashtimet e rralla mbetet fjalimi mysafir i Presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, më 29 tetor). Opozita duke organizuar protesta të zemëruara (përfshirë mbulimin e shpenzimeve të autobusit për pjesëmarrësit e distancave më të largëta) me kërkesën që Qeveria të dorëhiqet. Dhe një grup komikësh duke tallur udhëheqësit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët sot gjenden në krye të establishmentit. Këto janë pamjet kryesore të Kosovës së katër muajve të fundit – që ngadalë po e manifestojnë një krizë më të gjerë në elitën politike, e cila nuk do të tejkalohet lehtë, sepse bëhet fjalë për një elitë ose të konsumuar nga qëndrimi i gjatë në pushtet dhe keqpërdorimi i ekzagjeruar i tij, ose që promovon kauza që në masë të madhe nuk ndjehen nga popullata. Veprimet e Opozitës kanë në thumb dy marrëveshje të nënshkruara brenda 24 orësh vere, në Bruksel dhe në Vjenë, në muajin gusht. Me të parën, Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, aranzhojnë një Asociacion për të bashkërenduar punën e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Marrëveshja e dytë, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, përcakton kufirin mes tyre. Opozita pohon se marrëveshja e parë i hap rrugë ndarjes etnike të Kosovës, ndërsa marrëveshja për kufirin ia fal Malit të Zi 12.000 hektarë tokë. Derisa Mali i Zi e ka njohur Kosovën dhe të dyja vendet gëzojnë marrëdhënie normale pa trafik të ngarkuar (as rishikimi i marrëveshjes s’do ta ndryshojë këtë), Prishtina dhe Beogradi vazhdojnë të vendosin kanale ndërveprimi përmes një dialogu që ka filluar më 2011 e të iniciuar si “teknik”. Të gjitha marrëveshjet që dalin prej tij janë neutrale për sa i takon statusit, por nuk janë edhe politikisht neutrale. Asociacioni në ngritje nuk është Organizatë Joqeveritare (OJQ), ashtu siç biseda me Serbinë nuk është thjesht teknike. Asociacioni do ta kompletonte një kornizë institucionale që reflekton historinë e konfliktit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe pohimet legjitime të tyre për vetëqeverisje. Në këtë kuptim, Kosova institucionalisht do të dukej më shumë si Belgjika ose Zvicra sesa si shtetet më homogjene Austria e Hungaria. Megjithatë, se cili do të jetë roli i ardhshëm i Asociacionit – përçarës a integrues – do të varet gjithmonë nga aktorët politikë dhe gjendja në Rajon e Europë. Edhe dialogu ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nuk do të përfundojë ndonjëherë, siç pret shumëkush në Prishtinë; ai do të ekzistojë dhe duhet ekzistojë në të ardhmen. Mirëpo, do të jetë e vështirë për koalicionin qeverisës që t’i konfirmojë dhe t’i zbatojë marrëveshjet, përkundër mbështetjes së aleatëve amerikanë e europianë, si dhe në masë të madhe dritës jeshile për Asociacionin nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Sepse, me gjithë numrin e madh të ulëseve në Parlament, koalicioni vuan prej delegjitimitetit serioz të ushqyer prej korrupsio-kriminalitetit (tema e skeçit të shumëklikuar, e pëlqyer, që përqeshte ‘planet strategjike’ të krerëve të UÇK-së) dhe kualitetit të ulët të qeverisjes. Në vend të kësaj, marrëveshjet dhe dy ngjarje në ardhje – Gjykata Speciale për krimet e luftës e pasluftës dhe zgjedhja e Presidentit të ri – mund të çojnë në më shumë krizë politike që kërcënon edhe marrëdhëniet etnike, edhe konsolidimin demokratik. Elita politike në kalbje e sipër ka organizuar lëvizjen e gjatë gati dy dekada për pavarësi nga Serbia: duke e deklaruar pavarësinë me sukses në vitin 2008, pasi 111 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe 23 të Bashkimit Europian e kanë njohur atë, por me rezultate të vogla sa i përket cilësisë së qeverisjes kur indikatorë kryesorë socialë krahasohen me gjendjen e vendit të tri dekadave më parë si krahinë në ish-Jugosllavi. Edhe elita në ngritje e Lëvizjes që e ka kundërshtuar pakon e pavarësisë si të pamjaftueshme, përballet me dilema besueshmërie. Indikatorët e qeverisjes Duke folur në televizion në dhjetor, shkrimtari nacionalist Rexhep Qosja thoshte se e kishte mbështetur UÇK-në për luftën kundër Qeverisë së Serbisë në periudhën 1998-1999, por kritikonte për herë të parë qeverisjen pasuese të liderëve të saj me vendin. Ai ka qenë mbështetës i rëndësishëm i liderit të UÇK-së Hashim Thaçi, aktorit më të fuqishëm politik në terren që prej vitit 1999. Qosja e quante luftën e UÇK-së revolucion. Në kuptimin e ngushtë teorik, ajo edhe mund të quhet revolucion, ngase veprimet e UÇK-së që patën nxitur intervenimin ushtarak të NATO-s rezultuan me rrëzimin dhe largimin e administratës dhe ushtrisë serbe nga Kosova (gjë që synohej nga shumica shqiptare) dhe menjëherë pas luftës u ngritën institucione të reja, pjesëmarrja politike ishte e madhe në tubime elektorale, njëjtë si pjesëmarrja në zgjedhjet e para parlamentare më 2001 – me diku 65.71%. Pra, plotësohet zëvendësimi radikal i institucioneve me të reja dhe pjesëmarrja e lartë që pason një revolucion. Sidoqoftë, sa i përket avancimit të gjendjes sociale të popullatës, krahasimi i të dhënave jep indikacione se ka pasur progres të kufizuar në fusha të rëndësishme — si në punësim — krahasuar me atë se ku ka qenë Kosova gjatë mesit të viteve ‘80 në Jugosllavi, përkundër pritjeve të tjera. Tabela: Bazuar në Buletinin vjetor të statistikave të Republikës së Kosovës (Zyra e Statistikave të Kosovës, 2015, dhe publikime tjera të saj), Jugosllavia 1945-1985: Analizë Statistikore (Zyra Federale e Statistikave e Jugosllavisë, 1986) dhe Anketa e Forcës së Punës e Kosovës (Banka Botërore, 2013). Ndryshimi më i madh në punësim përgjatë kohës bëhet nga 81.600 punonjës në administratën e re shtetërore, dukshëm më e madhe seç e kishte Kosova. Dhe fondet që shkojnë për skemat sociale mbulojnë rreth 350.000 njerëz, të cilët pastaj nuk llogariten si të papunë. Megjithatë, edhe punësimi në sektorin publik, edhe skemat sociale, janë shpesh hapësira të klientelizmit politik: punë dhe ndihmë sociale që deri diku përkthehen në vota. Serbët gati se nuk mbështeten nga këto skema sociale, ndërsa të dhënat e varfërisë për komunat ku ata janë shumicë janë më të këqija. Sistemi i tyre i shëndetësisë dhe i arsimit pothuajse plotësisht organizohet nga Serbia. Edhe pse ka pranuar vazhdimisht donacione në buxhet dhe tash me buxhet vetanak mesatar prej mbi 1.5 miliardë eurosh vitet e fundit, Qeveria me investimet e saj strategjike — të orientuara në infrastrukturë — nuk ka arritur as ta dyfishojë numrin e rrugëve që ishin të shtruara më 1984. Kurse hovi i ndërtimeve të shtëpive e banesave pas lufte është tërësisht privat-individual, ose i ndihmuar nga diaspora. Papunësia zyrtarisht është e raportuar 35.3% më 2014. Te kjo shifër arrihet nëse përafërsisht nga numri i përgjithshëm i popullatës largohen personat nën 18 vjeç, të punësuarit, përfituesit nga skemat sociale dhe studentët. Shumica absolute e studentëve nuk merr bursa, por përqindja teorikisht mund të jetë prapë e saktë nëse është llogaritur punësimin joformal. Nëse aplikohet llogaritja e njëjtë, papunësia ka qenë rreth 44 % më 1984, edhe pse me kushte më të mira për studentët. Punësimi në sektorin privat mbetet i dobët aq sa të ardhurat prej tij mezi tejkalojnë të ardhurat nga puna në sektorin publik. Ky është dështimi më i madh. Më shumë se 100.000 njerëz, shumica e tyre shqiptarë, e kanë lënë Kosovën më 2014 dhe 2015 në kërkim të vendeve të punës në Bashkim Europian. Sipas statistikave qeveritare, rreth 18.000 veta kishin emigruar në Perëndim në vitin 1989 vitin kur Kosovës i ishte revokuar autonomia. Varfëria e përgjithshme ishte raportuar 29.7% më 2011. Cilësia e jetës, të drejtat e minoriteteve, liria e shprehjes dhe shanset ekonomike janë faktorë të rëndësishëm për legjitimitetin e Qeverisë. Natyrisht, statistikat nuk e përshkruajnë gjendjen e plotë dhe resurset mund të jenë shpërndarë në pjesë të reja të shoqërisë krahasuar me tri dekada më parë, mirëpo prapë vështirë se mund të flitet për transformime revolucionare, sidomos duke marrë parasysh shkallën e luftës dhe numrit të saj të viktimave. Përkundrazi, shumë më tepër para është koncentruar në duart e shtresës së re të pasur – e ndërlidhur me lëvizjen e pavarësisë. Bllokada e reformave partiake Qeverisjen e dëmton korrupsioni. Jo shumë larg pasi u emërua Kryeministër, Isa Mustafa e gjeti veten në krye të lajmeve për, sado bizare, faktin që zyra e tij servisonte një makinë zyrtare te kompania e drejtuar nga i biri. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka qenë punonjës në administratën kosovare që bojkotohej në masë nga shqiptarët në fillimet e qeverisjes së Slobodan Milosevicit, ka udhëhequr Komunën e Prishtinës pa ndonjë sukses të ndjeshëm në periudhën 2007-2013 dhe është kritikuar për veprimet makiaveliste kur insistoi kundër, e më pas ndryshoi kamp, duke hyrë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), pasi kishte bllokuar ngritjen e institucioneve për gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare më 2014. Zërat në partinë e tij që e kritikonin, në mesin e tyre edhe deputetë të Parlamentit që shiheshin liderë të mundshëm, me shpejtësi u hodhën jashtë pozitave të larta partiake. Marrëveshja që e ka bërë Mustafën Kryeministër të dytë të Kosovës së pavarur pritet ta inaugurojë Hashim Thaçin si President. Aleati i ngushtë i Thaçit, Kadri Veseli, udhëheqës i ish-Shërbimit të Inteligjencës në Kosovë (SHIK) që ka funksionuar ilegalisht gjatë 1999-2008 në shërbim të interesave të PDK-së, është Nënkryetar aktual i PDK-së dhe Kryetar i Parlamentit. Meqë Thaçi është nisur për Presidencë, Veseli dhe jo ndonjë figurë e re bëhet realisht lideri i PDK-së. Gjatë qeverisjes së PDK-së në Kosovë, SHIK-u i Veselit ka ushtruar pushtet mbi administratën shtetërore, biznesin dhe mediat. Skandalet e korrupsio-kriminalitetit të anëtarëve të PDK-së dhe SHIK-ut udhëheqin brenda elitës politike. Katër nga liderët e PDK-së, përfshirë Thaçin e Veselin, përmenden në raportin e politikanit zviceran Dick Marty paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës në dhjetor 2010. Teksa Thaçi përgatitet për detyrat e shefit të shtetit, duke u bazuar në këtë raport po themelohet Gjykata Speciale që në masë të madhe do të merret me krime të supozuara të UÇK-së kundër serbëve dhe kundërshtarëve politikë shqiptarë në periudhën 1998-2000. Atëherë kundërshtari i tyre kryesor ishte LDK-ja. Të dy partitë, që tani disa herë bashkëqeverisin, kanë shtypur reformën e brendshme. Disa ish-këshilltarë dhe zyrtarë të PDK-së së voni po afrohen me partinë kryesore opozitare, Vetëvendosjen. Për këtë, pozicioni i këtyre ditëve i Rexhep Qosjes është domethënës. Edhe dy partitë në Opozitë të cilat i janë bashkuar protestave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, kanë dalë nga UÇK. Nisma vjen edhe nga PDK. Lidershipi i të dy partive ka prapa vetës afera korrupsioni, mungesë përkrahjeje relevante është përballur me akuza për krime lufte. Gjithashtu edhe liderët e tyre përmenden në raportin e Marty-t. PDK, LDK, AAK dhe Nisma, të gjitha, kanë qenë pjesë e rëndësishme e lëvizjes për pavarësi dhe të gjitha kostove të saj. Përfshirë edhe dështimin për t’i integruar më shumë serbët në Kosovë pas luftës, prandaj e kanë bërë Kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vucic zë të rëndësishëm politik brenda Kosovës. Nacionalistët e rinj Partia kryesore në Opozitë, Vetëvendosje, është diçka tjetër dhe prapë e kompleton fotografinë e krizës në elitën politike të Kosovës. Ndonëse është shpesh intelektualisht më tërheqëse, pasi, përkundër oponentëve, zyrtarët e saj mund ta lidhin një fjali e ta thonë atë në mënyrë elokuente, besueshmëria e saj politike mbetet e ulët brenda elektoratit dhe prapa kësaj ekzistojnë arsye të forta. Vetëvendosje kurrë nuk ka pranuar ngjarjet e rëndësishme të historisë së re të Kosovës. Më saktë, rezultatet e negociatave të Parisit më 1999 të cilat çuan në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s dhe rekomandimin e ish-ndërmjetësit të OKB-së Martti Ahtisaari për statusin që rezultoi me deklaratën e pavarësisë më 2008. Ajo është kundër decentralizimit që forcon komunat me shumicë serbe, edhe më zëshëm kundër Asociacionit të propozuar për t’i bashkërenduar ato. Lëvizja synon bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet. Për këtë arsye, ajo simbolikisht organizoi një prej protestave anti-marrëveshje më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit Shqiptar. Veprimi për bashkim me Shqipërinë në kuptim afatgjatë mund të çojë në ndarjen etnike të Kosovës, ose së paku në ringjalljen e tensioneve ndëretnike, sesa në integrim. Herën e fundit kur një lëvizje nacionaliste u shfaq në Serbi, në fund të viteve ’80, edhe ajo, në fillim, atje shihej si intelektualisht tërheqëse, mirëpo më vonë pati pasoja katastrofale. Në të njëjtën kohë, cilësia e dialogut të saj me aktorët ndërkombëtarë është e ultë, pasi i sheh ata sipërfaqësisht vetëm si funksione neokoloniale në vend që të angazhohet për përfitim më të mirë nga kooperimi racional. Sa i përket aftësive të politikës partiake, VV me takt e përqendron kritikën tek ish-Kryeministri Hashim Thaçi, sepse ajo e di që ai është ende më i popullarizuari prej liderëve të gjallë të lëvizjes së pavarësisë dhe e ka drejtuar për shumë vite vijën e ashpër shqiptare. VV gjithashtu e di që një PDK me Kadri Veselin Kryetar, me të gjitha dyshimet për të, është më e dobët. Prandaj, beteja diskursive është se kush – PDK apo Vetëvendosje – duhet parë si kampione e patriotizmit shqiptar. Vetëvendosje është e specializuar në protesta dhe lideri i saj Albin Kurti ka përvojë protestuese prej vitit 1998. Ajo mund të mobilizojë masat dhe të mbajë tubime interesante për të pranishmit. Kjo dhe dashuria për t’iu referuar e diskutuar teoricienët klasikë gjermanë e italianë të politikës, e rrit pëlqimin e saj intelektual. Në anën tjetër, aftësia e saj për të mbledhur vota, përtej gjithçkaje, vihet në pikëpyetje, sepse është vetëm problemi i saj që të sfidojë dhe të bindë elitat kulturore dhe elektoratin e partive kryesore se ajo mund të ofrojë diçka më të mirë. Kritika ortodokse e sistemit – se ai është i keq, pa ofruar alternativa bindëse – për këtë nuk mjafton. Më e rëndësishmja është se, ndonëse është partia e vetme që e deklaron vetën në anën e majtë të politikës dhe ka program të definuar qartë ideologjik, diskursi i saj fatkeqësisht nuk përqendrohet në tema sociale. Kjo është frika kryesore për neutralët: a ia vlen të mbështet atëherë një Lëvizje tjetër në thelb nacionaliste? Prandaj, pohimet e saj, që sot i ka prioritet, vazhdojnë të mos ndjehen nga popullata si kauzë që ia vlen. Kur merret parasysh edukimi i tyre, pohimet nacionaliste duken edhe arkaike për këtë kohë dhe kontinent. Karta e saj më e mirë është kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai erdhi në pushtet më 2013 me votat e PDK-së gjersa sfidonte Isa Mustafën. Jo vetëm ka ndërmarrë disa iniciativa freskuese për të stimuluar biznesin e vogël, por Ahmeti e ka menaxhuar gati dy vjet Prishtinën pa asnjë skandal serioz korrupsioni. Kjo është arritja e tij kryesore. Në praktikë, ai duket politikan më i aftë se Kurti, nëse politikani matet nga kapaciteti për të marrë pushtet legjitim dhe për t’u koordinuar me aktorët relevantë në interes të komunitetit. Por, Ahmeti dhe disa kolegë të tij në VV që janë në thelb më liberalë, mbeten të margjinalizuar. Vetëvendosje është tjetër dhe pa hijen e korrupsionit, por ajo duhet me vendosmëri të largohet nga nacionalizmi, të bëhet e aftë për të bashkëvepruar me zërat relevantë siç janë serbët, dhe ta bindë elektoratin që përndryshe do ta mbështeste një opsion alternativ i lodhur nga jetëgjatësia në pushtet dhe performanca e establishmentit aktual. Qeverisja e mirë në Kosovë duhet të ofrojë hapësirë për dialog social, cilësi të jetës dhe të arsimit. Është një klishe që thotë se krizat janë gjithashtu mundësi, e që VV e ka për zemër. Realiteti është që pa reformë në partitë më të mëdha (që kërkon luftë serioze të brendshme) dhe pjekje të dukshme të Vetëvendosjes, kriza vetëm do të çojë në krizë. (Ky artikull fillimisht është publikuar në gjuhën angleze në http://www.univie.ac.at/eastblog, kurse në gjuhën shqipe në politiko.net)