Krimi i organizuar si zgjatim i shtetit të Serbisë - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Krimi i organizuar si zgjatim i shtetit të Serbisë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
10.12.2021 09:58

Komunikata e Administratës Amerikane për ‘Krimin e organizuar transnacional të bazuar në Kosovën Veriore’, me emrat e përveçëm të njohur për opinionin publik në Kosovë, është konfirmimi më i mirë i mundshëm i disa të vërtetave me të cilat Kosova bashkëjeton, me vite dhe decenie të tëra, pa qenë në gjendje t’i adresojë dhe t’i zgjidhë si duhet.

Para se të gjithash, ky krim i organizuar në Kosovën Veriore, është i sponzorizuar nga shteti i Serbisë. Zatën, kjo Komunikatë e Administratës Amerikane i drejtohet Beogradit zyrtar, sepse në Washington dihet mirë se kush dhe si qëndron prapa një organizate të këtillë kriminale.

Kemi të bëjmë, nëse mund të thuhet ashtu, me një ‘Partneritet publiko-privat’, në mes të këtij Grupi të organizuar kriminal dhe shtetit të Serbisë.

Ky partneritet është krijuar qëmoti në këtë pjesë të Kosovës, teksa viteve të fundit është bartur edhe në Serbi.

Veriu i Kosovës ka mundur të shërbejë si ‘territori bazë’ i këtij bashkëpunimi, për shumë shkaqe. Ai ka qenë i pakontrolluar dhe i paadministruar nga UNMIK-u në kohën kur Kosova ka pasur një udhëheqje ekzekutive ndërkombëtare. Pushteti i Kosovës, Zyra Civile Ndërkombëtare  (në atë periudhën e Pavarësisë së mbikëqyrur), dhe EULEX-i nuk arritën të bëjnë pothuaj asgjë për ta ndryshuar gjendjen në vitet e para të ekzistimit të shtetit të Kosovës. Dialogu i Brukselit solli nisjen e ndërmarrjes së integrimit politik të komunitetit serb në institucionet lokale dhe qendrore të vendit, por sundim të mirëfilltë të ligjit në këtë pjesë të Kosovës nuk ka, pikërisht për shkak të ekzistimit të këtij ‘Partneriteti publiko-privat’ në mes këtij Grupi të krimit të organizuar dhe shtetit të Serbisë. Për më shumë, ky bashkëpunim mori trajtat e menaxhimit me ‘Listën Serbe’ në Kosovë, dhe në projektet e përbashkëta ekonomike dhe biznesore të cilat bëhen në Veri të Kosovës dhe në Serbi.

Pra, realisht, ky Grup i krimit të organizuar, është shumë më tepër se sa një organizatë transnacionale kriminale.

Krijimi, forcimi dhe ekzistimi i tij është rezultat i mungesës së Sundimit të ligjit në Veri të Kosovës, është pasojë e një gjendjeje të trashëguar në Prishtinë, të zhvillimeve të njohura në këto anë të vendit, mbi të gjitha, është konsekuencë e një politike sistematike të shtetit të Serbisë, pa marrë parasyshë se kush ka qenë në krye të tij, që duke i përdorur të gjitha mjetet e mundshme, politike, ekonomike, financiare, por edhe këto të kësaj natyre kriminale, ta ruajë kontrollin e Veriut të Kosovës, apo, që ta pamundësojë integrimin e plotë dhe të mirëfilltë të tij një herë në Administratën e UNMIK-ut, e pastaj edhe në Pushtetin e Republikës së Kosovës.

Ky Grup i organizuar kriminal pra ka qenë dhe mbetet zgjatim i shtetit të Serbisë, i cili, gjithashtu, përdoret për ushtrimit e presionit, i cili shpeshherë nënkupton edhe frikësimin, mbi qytetarët serbë të Kosovës, jo vetëm sa herë ka zgjedhje për pushtetin komunal dhe qendror të Kosovës, por edhe në rastet e tjera.

Zatën, edhe Misioni vëzhgues i BE-së në zgjedhjet e fundit lokale, teksa pati fjalë të zgjedhura për cilësinë e organizimit të votimit në thuaja gjithë Kosovën, ngriti shqetësimin për deficitin e demokracisë në pjesët e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kur të merren parasyshë të gjitha këto fakte, të cilat janë grumbulluar vit pas viti në Veriun e Kosovës, nuk është aspak për tu habitur që askush në Washington, e si u pa më pas edhe në Bruksel dhe në kryeqendrat e tjera evropiane, nuk e drejton gishtin kah autoritetet e Kosovës si fajtore dhe përgjegjëse për ekzistimin e këtij Grupi të krimit të organizuar.

Përkundrazi. Secili që ka sadopak njohuri për Kosovën në shtetet kryesore të Perëndimit, e di fare mirë që Komunikata e Administratës Amerikane për  ‘Krimin e organizuar transnacional të bazuar në Kosovën Veriore’, ka si adresë të veten pushtetin e sotëm në Serbi.

Ky Grup do të shpërbëhej brenda pak ditësh, poqëse lidershipi i sotëm i Serbisë, do të vendoste që të heq dorë prej tij dhe t’i jep fund këtij ‘Partneriteti publiko-privat’.

Diçka e tillë nuk duket se mund të ndodhë në një të ardhme të afërt, kur dihet roli politik që ky Grup ka edhe në Serbi, e jo vetëm në Kosovë, gjë që pastaj, me gjasë, do të shprehej edhe në mënyrën se si do të bëhej dialogu në Bruksl.

Sidoqoftë, edhe kjo Komunikatë e Administratës Amerikane konfirmon që situata në Kosovën Veriore, kështu si është, si është trashëguar nga e kaluara, është e paqëndrueshme dhe patjetër duhet të ndryshojë për të vendosur Sundimin e ligjit dhe demokracinë e mirëfilltë edhe në këtë pjesë të Kosovës.

lajme të ngjashme