14:04, 28 Gusht 2018 Autor: Stefan van Dijk

Kur njerëzit flasin për Kosovën, ata ndoshta kujtojnë vendin e shkatërruar nga lufta në fund të viteve 1990.

Ajo që ata ndoshta nuk e mendojnë është fakti se nuk ka vend në Evropë që mund të mburret me më shumë yje të popit për kokë banori si Kosova.

Para se të ju tregoj se kush janë ata yje të popit, më lejoni të theksoj se ky nuk ishte rasti kur e vizitova për herë të parë këtë vend, në vitin 2004.

Çdo gjë ishte ndryshe. Ishte pesë vjet pas luftës, shumica e rrugëve ishin të shkatërruara, kamionët e OKB-së dhe automjetet e NATO-s ishin kudo dhe Kosova ende nuk ishte shtet.

Cilat kompani të vendeve perëndimore do të investonin në një vend të tillë? Cili turist do të ishte aq i pakujdesshëm sa të hynte në atë zonë? Asnjë.

Serbia nuk ndihmoi pasi u përpoq të bllokonte gjithçka për ta vënë Kosovën edhe më tej në sy të publikut.

Serbia po lobonte në mënyrë aktive kundër pjesëmarrjes së Kosovës në UEFA, FIFA, Olimpiadë, Kombe të Bashkuara dhe kështu me radhë.

Përpjekja për ta bërë Kosovën si tokë të mbushur me kriminelë dhe ekstremistë muslimanë ishte e lehtë, pasi askush nuk mund të shikonte si ishte në të vërtetë.

Epo disa njerëz të tjerë mund ta shihnin sigurisht. Si unë për shembull. Në vitin 2004, gjeta veten në një vend magjepsës si Kosova me netët e gjata të verës, rrugë jashtëzakonisht të sigurta, njerëz mikpritës, male të bukura, birra vetëm një euro, dhe shumë zonja simpatike dhe të bukura (ndërsa unë isha 20 vjeç atë kohë dhe nuk isha në lidhje dashurie).

Përveç kësaj, kam përjetuar një klimë shumë të moderuar fetare. Ndonëse shumica e njerëzve janë të fesë myslimane, ata ende e mbajnë gjallë fiigurën e murgeshës katolike, Nënë Terezës.

Për ta thënë më thjesht, kam mbetur i mahnitur nga ky vend. Pas udhëtimit tim të parë vendosa të migroja në vitin 2012, së bashku me gruan time që punon në kujdesin shëndetësor. Kishte kaluar shumë kohë. Kosova u bë republikë, po ndërtoheshin autostrada, kompani ndërkombëtare po studionin vendin, dhe NATO dhe OKB nuk ishin të pranishëm në të gjitha vendet më.

Gjëja që mbeti e njëjtë ishte qëndrimi mikpritës i popullit, i kombinuar me një shpirt pro-perëndimor. Asnjë vend në Ballkan nuk është aq pro-BE sa Kosova, dhe ndoshta asnjë popull në botë nuk është aq pro-amerikan sa kosovarët.

Duke kuptuar se ky vend ka moshën më të re mesatare në Evropë, ju mund të kuptoni pak më mirë se sa është unik ky vend. Dhe ndoshta pse prodhon aq shumë yje të pop-it.

Aktualisht, në Holandë (vendi prej nga vij unë), Dua Lipa ka qenë në numrin një një listat e muzikës pop për më shumë se 10 javë.

Ajo është një shembull i përsosur i atmosferës pozitive të kryeqytetit kosovar, Prishtinës.

Një këngëtare tjetër, gjithashtu me origjinë nga Prishtina, është femra me numrin më të madh të hiteve në vendin e saj dhe ajo është, Rita Ora.

Dhe për shkak se Will Smith këndon këngën zyrtare të Kupës së Botës me këngëtaren kosovare Era Istrefi, i bie që aktualisht tre zonja nga ky vend janë në top listat e muzikës pop.

Dhe kjo nuk është një gjë e keqe për një vend me vetëm 1.8 milion banorë, apo jo?

Për shkak se unë dua të bëj të ditur se sa i ëmbël është ky vend, unë  menaxhoj tre faqe ndërkombëtare për  Kosovën.

Unë jap informacione rreth ekonomisë, turizmit, këshillave të udhëtimit dhe tregimeve rreth sporteve dhe këngëtarëve.

Dhe me kompaninë time lokale, unë i këshilloj të huajt për të bërë biznes në Kosovë. Aktualisht, Kosova është numri 40 në Indeksin Botëror të Bërjes së Biznesit të Bankës Botërore.

Kjo i bën ata si të dytët më të mirët e Ballkanit. Vetëm gjashtë vjet më parë, ata ishin numri 119. Imagjinoni këtë!

Nëse dëshironi të jetoni dhe punoni në Kosovë, është e rëndësishme të shihni të gjitha zhvillimet e vogla dhe të mëdha. Nga autobusë të rinj të qytetit me ajër të kondicionuar në autostrada të reja. Nga medalja e parë e artë në Lojërat Olimpike, tek Lonely Planet që ju emëron si një nga destinacionet më të mira të vitit 2018.

Ka gjithmonë gjëra për t’u shqetësuar, siç është shkalla e lartë e papunësisë.

Por është një kënaqësi e madhe për të jetuar në një vend si ky dhe madje një gëzim më i madh për ta parë këtë vend në rritje.

Stefan van Dijk është një ndërmarrës dhe specialist i komunikimit digjital.

(Botuar në emerging-europe.com, përkthyer nga klankosova.tv)

 

 

 

Lajme të tjera