Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kosova është pjesë e ‘Botës së Lirë’

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 21.01.2021 12:31

Shteti krijohet një herë. Shteti është i përjetshëm. Kështu është edhe me shtetin e Kosovës. Pushteti krijohet sa herë të ketë zgjedhje në një vend. Kështu është edhe me Kosovën. Pushteti është i përkohshëm. 

Pushteti demokratik bazohet në rregulla, në norma, në traditë.

Pushteti demokratik krijohet nga vullneti i shprehur i qytetarëve në zgjedhje.

Pushteti demokratik pra, i ka tri shtylla mbajtëse: Legalitetin, Legjitimitetin dhe Kontinuitetin.

Këto ishin porositë dhe mësimet kyç që përcollën inaugurimin e Joseph Bidenit, këtë të mërkurë  (me 20 janar), në Washington, si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Biden, një politikan veteran i dy pushteteve në Amerikë (atij legjislativ dhe atij ekzekutiv, kur dihet roli i tij si Senator dhe si Zëvëndës-President në Administratën e Presidentit Obama), u shfaq, ashtu siç pritej, me fjalën e tij të parë presidenciale, me përrulje, me modesti, me sinqeritet, me theksimin e qartë të problemeve themelore me të cilat përballet sot SHBA-ja.

Amerika është shoqëri thellësisht e plolarizuar brenda vetes, është vend i goditur shumë keq nga Pandemia, e cila ka shkaktuar dëme marramedëse ekonomike dhe financiare, është shtet i cili abstenoi, vullnetarisht, gjatë mandatit të Presidentit Trump  (në vitet 2017-2021), nga roli i ‘liderit të Botës së lirë’.

Sidoqoftë, Biden e di mirë se cili është krye-problemi i Amerikës dhe krye-shqetësimi i tij: Ndasia e brendshme amerikane që kërcënon të shndërrohet në një dukuri të ngjashme me një hemorragji te një organizëm njerëzor që rrezikon jetën e tij.

Për këtë shkak, krye-porosia e tij në adresimin e ngjashëm me atë në Vatikan  (‘Urbi et Orbi’), apo, për Amerikën dhe gjithë Botën, ishte ajo që spikatte domosdoshmërinë e mëkëmbjes, apo edhe të ri-krijimit të një uniteti tek amerikanët.

Ky unitet është sfiduar shumë herë edhe në të kaluarën e këtij shteti të madh, por ai pastaj është ri-gjetur sipër vlerave të krijuara nga baballarët themelues të kësaj republike, të cilat vlera me gjasë, sot kanë një peshë a një rëndësi më të madhe se kurrë.

Pushteti, cilidoqoftë ai, nuk bëhet për të hyrë në një konflikt me shtetin dhe interesat e tij jetik, dhe nuk mund të mbahet dot  (për një kohë të gjatë), duke kthyer mbrapsht., apo, duke e zhvlerësuar, një kontinuitet historik dhe politik, një katalog vlerash të trashëguara prej gjeneratave të kaluara, duke refuzuar realitetin si të tillë, duke u thirrë në Popullizëm, i cili asnjëherë, në asnjë shtet, nuk ka qenë i suksesshëm politikisht dhe ekonomikisht për një kohë të gjatë, apo, vetëm sa i ka shkaktuar telashe të jashtëzakonshme një populli dhe një shteti.

Nuk di kush, as Biden dhe as bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, sa kohë do t’i duhet Administratës së re Amerikane, për ta kthyer mbarë këtë shtet pa të cilin e gjithë historia botërore e Shekullit XX do të ishte krejtësisht ndryshe, dhe pa lidershipin botëror të të cilit, rrjedhat politike dhe historike të këtij Shekulli (XXI) do të jenë shumë problematike dhe tepër të rrezikshme.

Nuk dihet madje, a do të ketë sukses kjo ndërmarrje e jashtëzakonshme politike, ekonomike, qytetëruese dhe kulturore  (poashtu), e cila nisi të ndodhë prej padites së 20 janarit në Washington.

Por, çfarë dihet është që as Amerika dhe as Bota e lirë  (pjesë e të cilës është edhe Kosova), nuk kanë tjetër alternativë pos që të jenë në ballë të këtij procesi të mëkëmbjes së Amerikës, të Evropës dhe të Perëndimit.

Amerika, Evropa dhe Perëndimi, realisht, shikuar nga ky prizmi i zhvillimeve historike në 75 vitet e fundit, kurrë nuk kanë qenë më të sfiduar se sa viteve të fundit.

Më në fund, duket që nuk di kush të tregojë se a ka kaluar e gjithë kjo tronditje e madhe politike dhe qytetëruese e Perëndimit. 

Shumëkujt ky krahasim dhe kjo paralele mund t’i duket e paqëndrueshme, e gabuar, madje, e çuditshme, por realisht, shteti i Kosovës, natyrisht, në rrethana shumëfisht të tjera dhe të ndryshme, ballafaqohet tash e sa vjet, dhe me gjasë, kjo përballje do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, me po këto sprova dhe probleme, me të cilat tash e sa vjet kanë punë Amerika, Evropa dhe Perëndimi.

Kosova është demokraci parlamentare si organizim i pushtetit, është demokraci liberale, kur flitet për vlerat mbizotëruese politike, është shtet që gjithsesi i takon Botës së lirë  (siç u tha tashmë, ‘status’ ky i cili nuk fitohet një herë e përgjithmonë), është shtet që synon të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe e Bashkimit Evropian.

Njëlloj si në SHBA dhe kudo në shtetet perëndimore, edhe në Kosovë, pushteti demokratik, i ka tri shtylla mbajtëse: Legalitetin, Legjitimitetin dhe Kontinuitetin.

Nuk mund të ketë përzierje të Legalitetit dhe të Legjitimitetit, apo edhe nënshtrim apo subordinim të njerit nga ai tjetri, sepse ndryshe rrezikohet me themel ekzistenca e shtetit të Kosovës.

Askush nuk ka të drejtë në këtë politikën kosovare që ta mohojë legalitetin apo, ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e shtetit të Kosovës, duke u thirrë në ‘vullnetin e popullit’, i cili përkon me legjitimitetin e një pushteti.

Shteti krijohet një herë. Kështu ishte edhe me Kosovën, me 17 shkurt të vitit 2008.

Shteti është i përjetshëm. Kështu do të jetë edhe me shtetin e Kosovës. 

Pushteti krijohet sa herë të ketë zgjedhje në një vend, në një politikë, siç është rasti edhe me Kosovën, me 14 shkurt të vitit 2021.

Pushteti është i përkohshëm. 

Shteti bëhet me Lëvizje të madhe politike, me Referendum, edhe me luftë. Siç ishte shembulli edhe i Kosovës, në vitet 1989-1999.

Dihet se si formohet një pushtet. Me vullnetin e qytetarëve, votuesve të tij, me procedura, duke respektuar plotësisht institucionet ekzistuese dhe ato që do të krijohen me zgjedhje, duke punuar dhe funksionuar në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e një shteti.

Kështu është edhe në Kosovë. Dhe kështu duhet të mbetet në Kosovë edhe pas këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në anën tjetër, në Kosovë, njëlloj si në Amerikë, aktualisht vlejnë ato tiparet kryesore sipas të të cilave, shoqëria kosovare është thellësisht e polarizuar, teksa Kosova si vend, është e goditur shumë nga Pandemia, ndërsa dëmet ekonomike dhe financiare, realisht janë të tillë saqë shquajnë një rrezik të madh për stabilitetin social të këtij shteti.

Por për dallim prej Amerikës, ku duket që pika më e lartë e polarizimit politik dhe e pasojave të një Popullizmi tashmë është arritur dhe tash e tutje, mund të pritet kthimi kah realiteti, në Kosovë ka të ngjarë që tek na presin muajtë dhe vitet kur ky polarizim do të na shfaqet me pasojat e veta më të rënda për të gjithë ne.

Natyrisht, këndjellja e pritur, e synuar  (dhe e dëshiruar) e Amerikës në vitet e ardhshme përmes Administratës së Presidentit Biden, pastaj, ndreqja e raporteve në mes të SHBA-së dhe Evropës  (dhe rivendosja e partneritetit Trans-atlantik), dhe ri-gjetja e organizimit politik dhe qytetërues të Perëndimit,  do të duhej të na ndihmonte edhe neve shumë që ta kalojmë edhe këtë kapitull të pashmangshëm në zhvillimet politike në Kosovë.

Megjithatë, ne e kemi gjithsesi hisen kryesore në stabilizimin e shtetit të Kosovës, poaq sa e kishim edhe në krijimin e shtetit të Kosovës.

Këtë do ta marrim vesh përditë e më shumë.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme