Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Koronavirusi dhe koalicioni i “tradhtarëve”

123
string(13) "Hisen Berisha" string(59) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/08/hiseni.jpg"
nga Hisen Berisha 19.03.2020 21:00

1. Mosveprimi prevenues i penalizueshëm

Fillimisht emërtimi Korona, më dukej si term i njohur dhe ndërkohë e kuptova se po me asocionte në birrën elitare Corona dhe kënaqësinë që të jep ajo.

Por, Corona si virus jo vetëm që s’të jep kënaqësi, por ka prodhuar një revolucion opinionesh publike të mbytura me teori konspirative që tejkalojnë coronën si epidemi shëndetësore dhe e kthejnë atë në një epidemi politike me karakter gjeopolitik dhe gjeostrategjik.

Se kemi të bëjmë me një situatë që kërkon vetëkujdes dhe kujdes institucional adekuat, kjo po se duhet marrë me seriozitet.

Se po t’i bëhet analizë kësaj situate, atëherë Qeveria dhe institucionet përkatëse janë vonuar në ndërmarrjen e hapave për parandalimin e situatës pandemike në kalimet kufitare për në brendi të Kosovës, gjë që nuk është bërë përkundër propozimit të Institutit Shtetëror të Shëndetësisë.

Çështja shtrohet se a bart dhe kush do ta bartë përgjegjësinë për ketë mosveprim. Kjo për vetë faktin se sipas parimeve juridike një veprim penal/krim mund të kryhet përmes (dare, facere et prestare) dhënies, veprimit dhe abstenimit.

Mosveprimi prevenues i Qeverisë pra është një kusht për t’i dhënë hapësirë shpërndarjes së virusit. Për më keq, edhe më tutje nuk po merren masa për ta izoluar, por vetëm për ta trajtuar virusin tek ata që e marrin. Pra, edhe më tutje hyrja e virusit apo personave që e bartin atë nga jashtë Kosove është e lejueshme, apo nuk është pamundësuar. Nisur nga vetëdijësimi ndaj fenomenit “corona”, çdo abstenim në veprim nga Qeveria është i penalizueshëm.

Veprimi më adekuat që duhet të bëhet edhe më tej është që të merren masat në pikëkalimet kufitare nga toka dhe ajri për në brendi të Kosovës, të ndalohen, karantinohen dhe testohen për mundësinë e sjelljes së virusit dhe rehabilitohen.

Ajo që na shqetëson me shumë është edhe forma e komunikimit me publikun dhe tendenca për të fshehur realitetin duke kontrolluar gjuhën e komunikimit dhe tendenca për ta treguar situatën joserioze në masën e saj, çka ka bërë që edhe qytetarët ta marrin me lehtësi. Kjo po ashtu ka precipituar edhe në thirrje dhe kërcënim të zyrtarëve lokaël nga qendra për të mos deklaruar realitetin në këto emergjenca. Siç njoftohet nga komuna më e prekur Vitia ku flitet për kërcënimin e kryetarit të komunës nga këshilltari i kryeministrit apo i drejtoreshës së QKMF-së nga vetë Ministri i Shëndetësisë etj. Këto forma diktati nuk e ndihmojnë situatën. Kjo situatë kërkon koordinim të gjithanshëm institucional. Kjo s’guxon të jetë temë e përfitimit politik mbi fatkeqësinë e qytetarëve.

Po ashtu, edhe daljet publike të përfaqësuesve institucionalë dhe kalimi i seriozitetit të situatës në lojëra populiste të tekeve dhe huqeve politike në mes të qeveritarëve aktualë me shkallë të lartë infantiliteti dhe vetëkënaqësia që i nxjerrë jo rrallë mbi kushtetutshmërinë dhe realiteti kushtetues institucional.

Koalicioni i tradhtarëve

Shkaktimi i krizës institucionale me shkarkime politike ministrash me arsyetimin se po shprehin mendimin e lirë, profesional dhe sipas gjykimit të tyre funksional me etiketime si tradhtarë janë tregues të hapur se Kryeministri Kurti, tanimë po provon të implementojë metodat e stalinizmin si doktrinë udhëheqëse të tij, pra eliminimet politike me etiketime konspirative.

Por, po harrohet se Kosova është shtet demokratik dhe se që nga viti 1988 jemi ata që luftuam dhe sakrifikuam për demokracinë si regjim shtetëror dhe do te jemi në gjendje të luftojmë prapë kundër kujtdo që pretendon të rikthejë elementet e diktaturave komuniste, tashmë të perënduara për botën demokratike. Kjo nuk përbën befasi, por është rrjedhojë e asaj që kam thënë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve se vetëm fitorja mbi 50% e një subjekti politik do të krijojë stabilitet politik dhe se çdo koalicion, cilido qoftë ai do të krijojë dhe gjenerojë vetëm krizë. Pra, nuk është koha për protagonizëm politik, por veprim të sinkronizuar të të gjitha institucioneve në shtet.

Mbase duhen penalizuar edhe krahu i partive të luftëtarëve që mbi parimin “to forgive but not to forget” duke mos bërë punën e parë ligjin mbi lustracionin i amnistuan dhe i lejuan ish-tradhtarët, bashkëpunëtorët e sigurimit jugosllav dhe pasardhësit e tyre që të jenë jo vetëm në institucione, por edhe në pozita vendimmarrëse, prandaj kemi sot këtë situatë kur mohohen pikërisht themelet e gjakut mbi të cilin u ngri shteti dhe vlerat e lirisë. Kështu që po tregohem softy me idenë e largimit të tyre nga procesi politik vendimmarrës ndaj penalizmit dhe po ashtu edhe ndaj qeveritarëve aktualë që dështuan në marrjen e masave për të ruajtur jetën e njerëzve në këtë situatë epidemiologjike.

Gjendja e Jashtëzakonshme në kualifikim konspirativ nga LVV

Duke i pasur parasysh të gjitha këto, me theks rrezikun për jetët e qytetarëve nga paaftësia, konfuziteti dhe politizimi i situatës nga qeveritarët është imediate që në vend të vendoset Gjendje e Jashtëzakonshme që do të jetë e vetmja formë e krijimit të disiplinës qytetare ndaj mundësive të përhapjes së virusit. Reagimet e qeveritarëve janë tërësisht infantile dhe me ketë e rrezikojnë shëndetin publik.

Pretendimet e presidentit të shtetit për rolin efektiv dhe efikas që mund të ketë Forca, bazuar edhe në misionin e saj nga fusha e Mbështetjes Ushtarake të Autoriteteve Civile, janë të qëndrueshme dhe po ashtu do të garantojnë siguri dhe stabilitet, jo vetëm ndaj epidemisë, por edhe në aspektin e sigurisë së përgjithshme në koordinim me PUN [Praninë Ushtarake Ndërkombëtare në Kosovë], pra si të vetmet kapacitete ushtarake me autoritet të koordinohen me KFOR si garantues të ambientit të sigurtë në Republikën e Kosovës.

Dështimi në qeverisje

Koronavirusi nuk mund të nxjerrë Kosovën nga proceset politike dhe të sigurisë të cilat ishin në proces apo që po krijohen në Kosovë dhe rajon. Qeveria me situatën e krijuar duket se po pretendon të krijojë alibinë e duhur që t’i shmangë çështjet e rëndësishme politike në proces. E pra, këto kërkojnë veprim, ashtu siç edhe jeta shtetërore zhvillohet në shumë drejtime njëkohshëm.

Forca posedon kapacitetet ushtarake për ketë fushë misioni dhe nëse nuk vihen në veprim, atëherë ndaj kujt dhe kur duhet të përdoren. Është shqetësues fakti se “eksperte të hendikepuara” dhe të porositura dalin me deklarata që e ushqejnë përçarjen mes institucioneve kryesore të shtetit, me interpretime tendencioze të Kushtetutës që ushqejnë krizën dhe nxisin lëvizje anarhiste qytetare. Kjo po se është refleksion i dështimit në qeverisje.

Gjeopolitikë & Gjeostrategji

Situata e krijuar po tregon edhe papërgjegjësinë e bartësve të institucioneve dhe paaftësinë për të përcjellë situatën edhe në aspektet gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Këto ditë është në zhvillim ushtrimi i përbashkët i NATO-s & partnerëve “DEFENDER 2020” në rajonin e Europës më i madhi në aspektin e angazhimit të trupave dhe pajisjeve. Në të njëjtën kohë, kemi edhe zhvillimet ruso–serbe për një ushtrim të përbashkët në rajon, gjegjësisht në Serbi dhe me fokus në afërsi të kufirit me Republikën e Kosovës dhe sistemet dhe armatimin raketor rus në drejtim të Kroacisë.

Pra, Serbia në vend se të pësojë njëjtë si Gjermania pas Luftës se Dytë Botërore është kthyer në një hegjemon dhe në vazhdimësi po e rrezikon sigurinë rajonale.

Kjo po që kërkon vëmendjen e NATO-s dhe USA, por do të duhej të jetë edhe temë kryesore në diplomacinë kosovare tashmë të nxjerrë jashtë kursit të veprimit nga vendimet e nxituara, infantile dhe të pa analizuara në aspektin e rikuperimit të shpejtë të situatës edhe ashtu fragjile diplomatike nga kryeministri dhe qeveria aktuale.

Rusia aktualisht planifikon të dërgojë edhe 200 fluturake luftarake në Serbi për të mbështetur ushtrimin e përbashkët me Forcat e Armatosura të Serbisë.

Ndërkohë që Serbia në forcat e veta ajrore vetëm në shkurt 2019 bleu luftarake ruse të tipit MIG 29 edhe katër sish dhe tani numëron gjithsej 10 të tilla, 17 fluturake për sulme ajrore, një transportues, 38 avionë luftarakë të dedikuar për trajnime dhe 44 helikopterë që i çojnë kapacitetet ajrore të Serbisë në 110 sish për goditje të ndryshme taktike zjarri si Ajër në ajër, Ajër në tokë, Mbështetje ajrore dhe Transport.

Paralajmërimi përgatitor për edhe një ushtrim të karakterit defanziv dhe për goditje të objektivave ajrore, natyrisht se Rusia do ta mbështesë Serbinë dhe do ta përdorë ketë ushtrim të demonstrojë fuqinë e vet në misione mbrojtëse si kundërvënie të ushtrimit fushor trajnues të planifikuar nga NATO.

Objektiva operacionale të këtij ushtrimi ruso–serb janë propaganda, kundër-inteligjenca, Psyc OPS që është standard procedural veprimi i operacioneve të ushtrisë ruse për të krijuar konfuzitet te forcat e vendit rivale dhe për të ngatërruar dhe prishur elementet thelbësore të misionit.

Qëllimi i Rusisë është që ta përgatisë Serbinë që të përfaqësohet në konfliktet e ardhshme, kuptohet jo në zonat e përgjegjësisë së NATO-s apo SHBA-së, por në zona strategjike të operimit si në Siri apo Afrikë.

A paraqet kjo rrezik për Kosovën? Kjo do të ishte çështja shqetësuese e institucioneve përgjegjëse të Kosovës dhe vet qeverisë përkrah situatës së krijuar nga epidemia e virusit.

Edhe pse personalisht mendoj se kjo do të përbënte minimumin e kërcënimit, kjo nuk na liron nga detyrimi i konsideratës ndaj zhvillimeve në fqinjin tonë me të cilin kemi ende konflikt, jo vetëm politik, të hapur!

Problemi do të vinte nëse pas përfundimit dhe tërheqjes ruse të lihen një sasi armatimesh dhe fluturakësh në Serbi. Kjo do të duhej të nxiste shqetësim real për sigurinë rajonale dhe të Republikës së Kosovës me fragjilitetin politik dhe mosbashkrendimin politik institucional dhe në raporte me partnerët tanë strategjikë nga qeverisja aktuale.

Përkundër futjes së Serbisë në sistemet e reja të armëve të siguruara nga Rusia, punën në përmirësimin e veprimit taktik ekipore midis Rusisë dhe Serbisë, përmirësimin e aftësive për QRF (Forca të Reagimit të Shpejtë), ekspediviteti në zbarkim në operacione, mundësia për të kryer operacione të përbashkëta në kufirin e Kosovës, operacionet inteligjente, operacione të kundër inteligjencës, kryerjen e operacioneve propagandistike kundër Kosovës, etj.

Megjithatë, mendoj se nuk ka me patjetër kërcënim imediat për Kosovën. Ushtria jonë mund ta përdorë këtë stërvitje, si një mision për të testuar veprimin në kohë reale kundër një armiku të mundshëm në të ardhmen dhe të forcojë punën ekipore me forcat e tjera miqësore në rajon dhe NATO.

Kosova dhe Shtetësia në ?

Pozicioni hierarkik të jep mundësi të të parit politikën në distancë, të proceseve politike dhe zhvillimore në kontekst me të gjerë gjeopolitik dhe gjeostrategjik.

Është parim ushtarak se nuk shohin si ai në krye të shkallëve, si ata që qëndrojnë në hierarki vertikale.

Por, papërgjegjësia e mbuluar edhe me mungesë transparence, përgjegjësie dhe llogaridhënie të tillët i bën të pushtetshëm dhe të rrezikshëm për stabilitetin politik dhe dimensione tjera në vend.

Si shtet i ri dhe me një stabilitet fragjil e sensitiv ju jemi nënshtruar shumë presioneve politike të shumë iniciativave me karakter gjeopolitik dhe gjeostrategjik për përmbylljen e shtetësisë sonë.

Deri më tani veç i kemi kaluar demonstrativisht dy opsionet e para të lansuara për zgjidhjen finale të procesit të shtetësisë së Kosovës dhe deklarativisht i kemi futur në proces dy të fundit.

Por, invazioni politik dhe ekonomik i unioni euroaziatk me lidership rus, ende po jep efekte të dëmshme në rajonin e Ballkanit dhe tani edhe në Kosovë.

Këto ditë me vendimin e qeverisë së re iu anulua kontrata kompanisë amerikane apo konsorciumit te shumëpërfolur për ndërtimin e TEC të ri. Ka arsyetime pro et contra për të dyja qëndrimet politike e profesionale tashme të polarizuara skajshmërisht.

Por, nëse ky anulim i hapë e rrugë gazit rus në rajon edhe në Kosovën që ende po lufton në mes “skiles e karidbes” të dy unioneve atij të BE qe e kemi orientim strategjik kombëtar dhe atij EUROAZIATK që vije nga skenarët ogurzi të liderëve të dëshpëruar e dështak të rajonit të Ballkanit. Ky hap po qe është hap në përmbushjen e objektivave të “mini” shengenit Rama – Vucic, “makro” shengenit Kurti apo ndonjë miniplani “marshall” që gjithsesi qojnë në zhbërjen e subjektivitetit shtetërorë të Kosovës.

Lugina në shtetrrethim!

Në ditët dhe javët në vijim do të kemi shumë aktivitete përreth kufirit të vendit tonë dhe shkelje të hapësirës ajrore dhe tokësore të Kosovës meqë tani më Serbisë i janë hequr kufizimet sa i përket tampon zonës së sigurisë në tokë dhe ajër.

Ndërkohë nga burime brenda Luginës së Preshevës veç njoftohet se Serbia ka koncentruar trupa enorme përgjatë vijës kufitare në tërë gjatësinë e saj me Republikën e Kosovës dhe po ashtu sasi të madhe trupash dhe pajisjet luftarake të blinduara në brendi të vendbanimeve me qytetarë shqiptarë që ngjajnë më shumë me shtetrrethim sesa masa të gjendjes së jashtëzakonshme në emër të luftës për izolimin e pandemisë epidemike.

Me të drejtë njerëzit e Kosovës janë të shqetësuar për lëvizjen e madhe të trupave dhe pajisjeve në të gjitha zonat e Europës, por kjo është normale po t’i referohemi lëvizjeve të tilla në të kaluarën, prandaj ne nuk duhet të indikohemi nga propaganda e Rusisë dhe Serbisë.

Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm për kufijtë tanë me fokus në aktivitete në fushën e kontrabandës dhe aktiviteteve gjatë javëve të ardhshme.

**

Ky shkrim është publikuar në profilin e tij në Facebook.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme