Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

‘Kontrata shoqërore’ për vaksinim

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 25.09.2021 11:01

Nëse atje fare në fillim të Pandemisë, në dimrin e vitit 2020, kur ishin njëqind (a kush e di sa) të panjohura për Covid-19, dhe kur kërcënimi prej tij pati marrë trajtën edhe të panikut tek popullata e gjithë Botës, do të ofrohej, me një akt mrekullie hyjnore, vaksinimi për mbrojtjen prej këtij virusi, s’do mend që nuk do të mbetej kush pa e zënë rendin për ta marrë vaksinën dhe për tu mbrojtur kështu nga kjo murtaja e Shekullit XXI.

Kush nuk do të besonte atëherë që thuaja në gjithë Botën, kur prej fillimit të këtij viti do të ofrohej mundësia për imunizim, përmes vaksinës, do të kishte rezistencë të madhe kundër detyrimit që të merrej vaksina, gjithmonë duke u thirrur në liritë dhe të drejtat individuale.

Edhe tek ne, në Kosovë, ka pasur përpjekje për organizime të tilla, teksa në rrjetet shoqërore (edhe këtu ndër ne) ka ‘epidemi’ të mirëfilltë prej teorive konsiprative të të gjitha llojeve, të cilat mëdyshin cilësinë e vaksinave, apo, pretendojnë (këto ‘teori’), që ato mund të të lënë me pasoja të gjithëfarshme shëndetësore.

Çfarë po ndodhë, në këtë aspekt, pra, në këtë relacionin midis një oferte për imunizim, dhe një të drejte dhe lirie të njeriut për ta kundërshtuar ate, apo, për t’ia mohuar karakterin obligativ, detyrues të vaksinimit, realisht, të kthen në fillet e organizimit shoqëror të njeriut, teksa kjo çështje, do të jetë gjithmonë aktuale, sa të ketë shoqëri njerëzore dhe organizim shtetëror.

Liria e pakufishme, e paorganizuar në një shoqëri njerëzore, e pakufizuar me ligje dhe me pushtet, sipas teorive politike (por edhe sipas përvojave të shumta, të njohura pak a shumë për të gjithë), sjell rrëmujë, kaos, tragjedi.

Për këtë shkak, siguria si e tillë, një siguri për të gjithë, është në themelet e çdo organizimi shoqëror, i cili pastaj kodifikon, përmes ligjeve, liritë dhe të drejtat e secilit njeri.

Nëse nuk ka siguri themelore në atë shoqëri, nuk ka gjë prej gjëje, apo, në atë shoqëri sundon frika dhe mbizotëron një ankth i përhershëm politik.
Kërcënimi i Pandemisë, që nga ditët e para të paraqitjes së Covid-19, ka qenë, në radhë të parë, çështje e sigurisë së gjithëmbarshme, prandaj, së paku në fillimet e saj, kufizimet e shumta të cilat imponoheshin si reagim i parë, urgjent, i gati të gjitha shteteve, duke përfshirë këtë edhe mbylljen në shtëpi dhe banesa të thuaja gjithë popullatës, nuk hasnin në kurfarë reagimi.

Jeta e secilit prej nesh ishte në pyetje, sepse Covid-19 ishte (dhe kështu ka mbetë edhe sot e kësaj dite), një sëmundje vdekjeprurëse, e sigurimi i jetës është obligim individual, i secilit prej nesh, dhe kolektiv (i gjithë shoqërisë), të cilit i nënshtrohen të gjitha të drejtat e mundshme.

Për më shumë, kjo logjikë imponohej sepse Covid-19, ishte një sëmundje ngjitëse, prandaj, si në fillimet e organizimit shoqëror, interesi i secilit prej nesh, përputhej me interesin e të gjithë të tjerëve, për ta ruajtur veten dhe njeri-tjetrin.

Heqja dorë, e vullnetshme asokohe, prej një morie të drejtash të garantuara me Kushtetutë dhe me ligje, përkonte me atë interesin parësor: Shpëtimin e jetës sonë, të më të afërmëve tonë, të gjithë të tjerëve.

Ishim të gjithë të pambrojtur, dhe ishim solidarë me njeri tjetrin, brenda një koncepti të ri human që u klasifikua asokohe si ‘Egoizëm altruist’: Duke menduar për veten, mendoja për të gjithë të tjerët.

Në ndërkohë, apo, që prej se na është ofruar kjo mbrojtja më e mirë e mundshme ndaj virusit, përmes vaksinimit, ka ndodhë ai ‘rebelimi’ i atyre të cilët sigurinë e të gjithëve, përmes imunizimit kolektiv, ia nënshtrojnë të drejtave dhe lirive individuale, sepse nuk mund të ketë detyrim ligjor që secili prej nesh të vaksinohet.

Liritë dhe të drejtat e njeriut përcakohen qartë në Kushtetutat dhe ligjet e shteteve demokratike, kudo në Botë, për ta mbrojtur njeriun nga pushteti, por në këtë rast, Kushtetuta dhe ligjet më të mira të një shteti demokratik, nuk mund të mbrojnë dot nga virusi, i cili i godet të gjithë, pa kurfarë dallimi etnie, race, feje, moshe, gjinie, orientimi politik.

Në anën tjetër, sikur ky individ, që në emër të garantimit të lirive dhe të drejtave të veta e refuzon vaksinimin, do të pësonte vetëm vet në rast të infektimit nga mutacionet e reja të këtij virusi, diçka e tillë, tek e fundit, do të mund edhe të pranohej, megjithëse edhe në këtë rast, do të bëhej fjalë për rrezikimin e një jete njeriu.

Por, këtu, siç dimë, rrezikohet shëndeti edhe i shumë të tjerëve, duke u nisur këtu prej familjarëve apo më të afërmëve tanë, sepse ne, që infektohemi të parët, bëhemi bartës të virusit te shumë të tjerë.

Këtu pra, vështirë që mund të gjinden argumente të qëndrueshme, të cilat sigurinë e të gjithë neve, apo, shëndetin e të gjithëve, do t’ia subordinonin lirisë dhe të drejtave të njeriut, të cilat në këtë rast pra, objektivisht, janë kërcënim për stabilitetin e një shoqërie, të një shteti.

Sidoqoftë, nëse vitin e kaluar, Covid-19 dëshmoi edhe një herë që ende ka shumë ‘hesape’ të papërfunduara në relacionin më mes të Njeriu dhe Natyrës, dhe që ato duhet patjetër të merren parasysh tash e tutje (veçmas në këtë dimensionin ambientalist), çfarë ndodhi gjatë këtij viti, me këto kundërshtimet, madje edhe organizimet politike anti-vaksinë, tregoi edhe një herë që natyra e Njeriut tutje mbetet një e panjohur e madhe, zbardhja e plotë e të së cilës, me gjasë, nuk do të ndodhë kurrë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme