Kolumnistët ballëngrysur zviceranë! - Klan Kosova

Kolumnistët ballëngrysur zviceranë!

4 vjet më parë

Kjo letër nuk do të duhej të dërgohej nga Shqipëria por nga Kosova. Por meqë Shqipëria dhe jo Kosova është zyrtarisht vend pjesmarrës në Kampionatin Europian në Francë,  po e lëmë me Shqipërinë. Nëse njeriu do të numëronte dhe bashkonte lojtarët e kombëtareve të Shqipërisë dhe Zvicrës, të cilët kanë prejardhje nga Kosova, atëherë kjo do të ishte e mjaftueshme që në Francë të bëhej një Kombëtare nga Kosova. Pra le të flasim hapur: Zvicra dhe Shqipëria pa këta lojtarë nga Kosova zor se do të kishin arritur të shkonin në Francë!

Kjo është pikëlluese. Me një mënyrë të padurueshme erdhi tek fyerje dhe kërkesa për futbollistët që të sqaronin dhe pranonin. Ushtrohej presion në lojtarët e kombëtareve me moton: “Jeni për Zvicrën apo për Kosovën?”. Kam lexuar një mori të kolumnistëve zviceranë dhe nuk mundja, nuk doja ta besoja, se çfarë shtronin në pyetje. Kjo ballëngrysje është fillimi i një rrëfimi pikëllues i cili përfundonte me teori konspiracioni tek media në Shqipëri. Atje në të vërtetë u lansua edhe një teori bizare: perëndimi ka për qëllim që të shqiptarët në Ballkan t’i ndajë në dy ekipe kombëtare. Pra, konspiracionistët dilnin edhe me propozimin: shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë mundësisht ta bëjnë vetëm një Kombëtare në mënyrë që të mos ndahen.

Kisha shpresuar që ta gjej së paku një dhe të vetmin kolumnist, pamarrparasysh zviceranë apo shqiptarë (nga Shqipëria), i cili me një dhe të vetmin rresht do ta tregonte historinë dhe para së gjithash arsyen e pranimit të Kosovës në  Uefa përkatësisht Fifa. Por e kotë ishte ajo shpresë.

Për këtë shkak po e bëj vet: Kosovës për 25 vite me radhë nuk i është lejuar të ketë përfaqësuesit e saj të Futbollit në Europë. Pa sport. Pa ëndërra. Pa heronj! Me fillimin e shkatërrimit të ish- Jugosllavisë, proces ky i cili në këtë pjesë të Europës zgjati dhjetë vite (1990-1999) shqiptarët e Kosovës u shpërndanë gjithandej si refugjatë dhe azilkërkues. Pas çlirimit në vitin 1999 Kosova u vendos nën protektoratin e OKB-së deri në vitin 2008 kur edhe e shpalli pavarësinë. Por Serbia edhe mëpas pengonte praninë në sportin ndërkombëtar.

Së paku katër gjenerata të të rinjve nga Kosova u desht të mbanin trikotë e kombeve tjera ose të përfundojnë në ujërat e anonimitetit. Kjo tash mori fund!

(Kjo kolumne është botuar në gazetën prestigjioze zvicerane NZZ)