Koha si çmimi më i shtrenjtë i mundshëm politik 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 15.10.2022 10:35 15.10.2022 10:35 Faza finale e marrjes së vendimit të BE-së për përfshirjen e Kosovës në ‘Listën e Bardhë’ të Schengenit, apo, për t’ia mundësuar qytetarëve të Kosovës udhëtimin në Evropë (në Zonën e Schengenit), vetëm me pasaportën biometrike, nuk nisi pak ditë më parë, megjithë paralajmërimeve të shumta që vinin nga vet Brukseli. Kosovarët shpresojnë që kjo është hera e fundit që nga BE marrin lajme të kësisojta, për shtyrje të këtij vendimi të merituar prej nesh që nga muaji mars i vitit 2018. Mbase, kur do të shpallet në Brusel ky lajm (i mirë), pakkush në Kosovë do të besojë me të parën që më në fund, u krye edhe kjo punë. Qytetarët e Kosovës nuk e kanë merituar këtë trajtim nga Bashkimi Evropian, dhe nga disa shtete të BE-së, të cilat, për më shumë bëjnë pjesë në atë kampin e anëtarëve të këtij komuniteti politik që qysh në ditët e para të ekzistimit të shtetit të Kosovës, e ka pranuar dhe mirëpritur ate. I dimë të gjithë rrethanat në Evropë. E dimë edhe më mirë situatën në Kosovë, si dhe në shtetet përreth nesh të cilat që tash e 13 vjet e kanë këtë të drejtë për qytetarët e tyre. Dhe kur të gjitha këto fakte dhe njohuri bëhen së bashku, askush këndejpari nuk mund ta kuptojë dhe ta shpjegojë pse kjo çështje nuk është zgjidhur me kohë (qysh në vitin 2018), por është lënë për dimrin e vitit 2022. Raportet e Kosovës me BE-në, në katër vitet e fundit, në masë të madhe janë definuar me temën e mungesës së Liberalizimit të vizave, sepse ky ka qenë ai momenti kyç për qytetarët e Kosovës. Për më shumë, në kërkim të një interpretimi më racional të gjithë këtij pështjellimi rreth Liberalizimit të vizave, ka kohë që ndër ne qarkullojmë spekulimet sipas të të cilave, ne nuk do ta marrim këtë të drejtë pa bërë këtë apo atë punë që ka të bëjë me dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse, së paku formalisht, këto janë dy çështje krejtësisht të ndara. Por, kjo nuk do të thotë që në qarqet e larta të BE-së, nuk ndodhë kushtëzimi i fitimit të kësaj të drejte, me ‘sjelljen konstruktive’ në procesin e dialogut. Sidoqoftë, tash e së paku katër vjet, siç u përmend tashmë, ka ndodhur dukuria e koncentrimit të thuaja të gjitha raporteve të Kosovës dhe BE-së në këtë temë, e cila në rastet e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ka qenë parimisht më e lehtë, pak a shumë fare teknike, dhe që ka zgjatur pak vite, e jo si në rastin e Kosovës, dhjetë vite të plota. Për këtë shkak, në përgjithësi, kur do të ndodhë (më në fund), Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, Brukseli, me gjasë, do ta ‘shesë’ këtë vendim si një shpërblim të madh për Kosovën, në të njejtën kohë kur me gjasë, Bosnja dhe Hercegovina do ta merr statusin e shtetit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian. Nuk kemi të bëjmë, pra, me të njejtën vlerë politike, me po të njejtën arritje të një shteti. Udhëtimi pa viza ka rëndësi të madhe për qytetarët e Kosovës. Pa dyshim. Megjithatë, synimet kryesore të Kosovës si shtet, kanë të bëjnë me marrjen e statusit të shtetit kandidat për t’u bërë pjesë e BE-së, me nisjen e një rrugëtimit për të hyrë në BE, në Aleancën Veri-Atlantike. Edhe në këtë rast dihet përgjigjja e Brukselit (kryeqytetit të BE-së por edhe të Paktit NATO): Duhet bërë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, për ta marrë më pas njohjen e Kosovës nga pesë shteteve të BE-së (apo katër shteteve të Paktit NATO), dhe tutje, për t’i hapur edhe formalisht dyertë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe në BE. Në përgjithësi, Kosova dhe populli i saj e kanë paguar më së shtrenjti çmimin për të qenë e lirë, e pavarur, për të pasur perspektivë evro-atlantike. Çmimi më i shtrenjtë i mundshëm, pos atij natyrisht që njeh luftën dhe viktimizimin e dhjetëra mijëra qytetarëve të saj, është koha. Duket që sërish, si askush tjetër në rajon, do të duhet me kohë ta paguajmë çmimin e pritjes për të siguruar qëndrueshmërinë ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.