Koha e rreshtimeve të mëdha 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 27.05.2022 09:45 27.05.2022 09:45 Thyerjet e mëdha në histori, të cilat rëndom janë një dyzim i zhvillimeve të planifikuara dhe atyre fare aksidentale, të cilat përçojnë në vete atë elementin e befasisë së madhe, imponojnë rrethana krejtësisht të reja si për kombet dhe shtetet e mëdha, ashtu edhe për kombet dhe shtetet e vogëla. Adaptimi apo përshtatja në këto rrethana është rruga e vetme për të gjitha kombet dhe shtetet. Për më shumë, marrja e vendimeve kapitale është e pashmangshme. Ndodhë pra rreshtimi i kombeve dhe shteteve, në përputhje me rrethanat e reja. Sa më parë që merret vendimi në këto raste, është më mirë. Shtyrja e tyre nuk sjell qartësi, urtësi dhe mend shtesë. Përkundrazi. Kur Muri i Berlinit ra, në nëntorin e vitit 1989, në shembullin e Jugosllavisë së atëhershme (RSFJ-së), ndodhi rreshtimi i të gjitha kombeve dhe njësive federale. Serbia e atëhershme, me Slobodan Miloševićin në krye, nuk e pa të arsyshme t’i merr fare parasyshë ‘Lëvizjet tektonike’ në politikën evropiane dhe botërore të asaj kohe. Përkundrazi, Serbia vazhdoi me të vjetrën, thuajse ‘Lufta e Ftohtë’ është ende në fuqi, duke llogaritur që supremacia e saj evidente (dhe brutale) ushtarake do të mjaftojë për ta rikompozuar shtetin ekzistues sipas planeve dhe vullnetit të Beogradit. Çka po ndodhte në Evropë dhe në Botë, nuk i interesonte fare Serbisë. Ajo pra, mund të thuhet edhe kështu, abstenoi nga historia, duke pretenduar që mundet vet ta krijojë historinë. E kundërta ishte me thuaja të gjitha njësitë tjera federale, përfshirë këtu edhe Kosovën, edhe pse në atë kohë, në Prishtinë tek pati nisur të formohet skena pluraliste politike. Siç po konstaton ditëve dhe javëve të fundit Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ky vendim i lidershipit të atëhershëm të Serbisë, ka pasur pasoja të pandreqshme për rrjedhën politike dhe historike në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Që prej 24 shkurtit të këtij viti, kur nisi agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, askush i gjallë nuk ka mundur dot të parashikojë që Rusia do të dështojë kaq keq ushtarakisht, dhe që të gjithë që merren me analiza politike dhe historike kanë mundur të konstatojnë saktë fundin e një Rendi Ndërkombëtarë të krijuar pikërisht në rrënojat e Murit të Berlinit dhe ‘Luftës së Ftohtë’. Ndodhi pra një thyerje e madhe politike dhe historike, kur njëlloj si në vitin 1989, nuk mundesh të mos artikulosh përgjigjen tënde, nuk ke si t’i ikësh rreshtimit tënd, si komb dhe si shtet, sepse diçka e tillë është e domosdoshme. Kosova e ka pasur fare lehtë ta bëjë këtë, sepse Vendimi i vitit 1989 është ende në fuqi, si dhe pse çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës janë ndërrmarje të përbashkëta të Kosovës, SHBA-së dhe Evropës. Kosova si shtet ka siguruar në vijim të këtij përcaktimi të qartë, që në ditët e para të Luftës në Ukrainë, në mbështetje të këtij shteti dhe populli të saj, një respekt prej SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë është gjetur në një pozitë më të vështirë të mundshme, për shkak të politikës së tij hibride rajonale dhe ndërkombëtare, e cila ka mundur disi të funksionojë, apo të mbahet në fuqi, deri në shkurtin e këtij viti. Aleksandar Vučić e di mirë që pa marrë parasyshë sa do ta shtyjë vendimin e tij, në fund nuk do të mund t’i ikë atij. Porositë e ditëve të fundit të Ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili e njeh shumë mirë rajonin (këtë e dimë të gjithë ne), janë fare të qarta: Serbia duhet të drejtohet kah Perëndimi, sepse ka kaluar koha kur ka mundur ta balansojë orientimin kah Perëndimi me ate kah Lindja (Rusia dhe Kina). Megjithatë, Presidenti i Serbisë dëshiron tutje të ’blejë kohë’ për vete, ashtuqë të mos i rrezikojë marrëdhëniet e tij me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin, prej të cilave varet në masë të madhe siguria energjetike e Serbisë. Një herë këtë e bëri nën pretekstin dhe justifikimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 3 prillit, e tani, për shtyrjet e reja ofron shpjegime të paqarta dhe të mjegulluara. Vučić shpreson që në javët dhe muajtë e ardhshëm, në bazë të rrethanave të cilat eventualisht do të krijohen në terren, në frontet e Ukrainës, dhe në raportet politike në mes të Kijevit dhe Moskës, ky do ta ketë më lehtë ta merr vendimin e tij, apo të përcaktohet kah do t’ia mbajë. Diçka e tillë megjithatë, vështirë që mund të ndodhë në javët dhe muajtë e ardhshëm. Por, pa marrë parasyshë se çka do të ndodhë në fushëbetejat e Ukrainës dhe në negociatat në mes të Ukrainës dhe Rusisë, kur bëhet fjalë për vendimin që Presidenti i Serbisë duhet ta merr, nuk do të ndryshojë gjë prej gjëje. Nuk do të ketë dhe aq së mund të ketë kthim në situatën para 24 shkurtit, edhe nëse ta zëmë Putin dhe Rusia do të pajtoheshin që të dalin jashtë Ukrainës me forcat e veta ushtarake (ndërsa një gjë e tillë është tej çdo imagjinate). Evropa ka ndryshuar një herë e përgjithmonë. Këtë e di mirë Presidenti i Serbisë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.