21:37, 7 Janar 2020 Autor: Baton Haxhiu

Marrëveshje nuk pati as sot, ndonëse biseduan tri orë.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa kishin kohë sa të donin, pasi Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh periudhë përcaktuese për fituesit e zgjedhjeve në raport me marrjen e mandatit.

Çështja e afatit kohor për konsultim në mes të Presidentit dhe të partisë ose koalicionit fitues para nxjerrjes së dekretit për mandatim të Kryeministrit, prej të cilit fillon të rrjedhë afati 15 ditor i mandatarit të parë për formimin e qeverisë, nuk ishte ngritur si temë e as nuk ishte adresuar në vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Është pikërisht kjo zbrazëti kushtetuese të cilën Albin Kurti është duke e shfrytëzuar, me gjasë i bindur që nuk e ka kuptuar askush tjetër, për të fituar kohë derisa t’i bëjë numrat për formimin e Qeverisë, ndërsa e luan rolin e shpërfillësit kokëfortë me Presidentin e Republikës dhe aktron dorën e zgjatur për bashkëpunim LDK-së. Në të njëjtën kohë vepron njëanshëm dhe pa asnjë bashkërendim me partnerin e ardhshëm të koalicionit, si në rastin e propozimit dhe zgjedhjes së Kryeparlamentarit, pozicion ky që sipas marrëveshjes dhe diskutimeve do t’i takonte LDK-së, ashtu edhe në propozimin publik të emrave të zëvendëskryeministrit dhe të ministrave të Qeverisë VV-LDK.

Kushtetuta e Kosovës, përkundër faktit që nuk është eksplicite sa i përket këtij afati kohor, nuk mund të nënkuptojë që afati është i pakufizuar dhe në diskrecionin e plotë të fituesit të zgjedhjeve. Pa marrë parasysh ekzistimin ose jo të një shprehjeje specifike në Kushtetutë, kjo ide është në kundërshtim me sistemin e një demokracie parlamentare dhe parimet bazë të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Asnjë parti politike dhe asnjë institucion nuk mund ta mbajë peng një sistem kushtetues.

Këtë nuk mund të bëjë as Albin Kurti.

Është detyrë kushtetuese e Presidentit që ta sigurojë funksionimin kushtetues të institucioneve kushtetuese, ashtu siç është detyrim kushtetues i fituesit të zgjedhjeve që ta pranojë mandatin dhe të provojë të formojë qeverinë brenda afatit kushtetues 15 ditor, ose të refuzojë mandatin. Afatet e përcaktuara në Kushtetutë për mandatin e parë, për të dytin dhe për afatin kohor brenda të cilit shpallen zgjedhjet në rast të dështimit të formimit të qeverisë, flasin qartë për synimin kushtetues për formimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve, duke i dhënë mundësinë fituesit të provojë i pari, por jo duke i dhënë mundësinë të njëjtit për ta zvarritur procesin në pafundësi si rezultat i mungesës të një date të saktë në Kushtetutë. Fituesi nuk mund ta mbajë peng një sistem të tërë kushtetues derisa t’i ketë numrat për t’u bërë Kryeministër.

Megjithatë, çështja nuk është nëse Presidenti ka të drejtë kushtetuese që ta kërkojë propozimin e partisë fituese për mandatar, apo nëse ka të drejtë fituesi i zgjedhjeve ta zvarrit këtë proces duke gjetur arsye të nduarnduarshme për të mos refuzuar, por as për ta pranuar këtë mandat.

Esenca është tek fitimi i kohës për t’i bërë numrat – të cilët nuk janë, duke e shpërfillur institucionin e Presidentit të Shtetit deri në atë masë sa ta detyrojë të veprojë duke nxjerrë dekret përmes të cilit ia jep mandatin Albin Kurtit për Kryeministër.

A nuk “erdhi dita” në ditën kur Presidenti do ta dekretonte Albin Kurtin për ta formuar “Koalicionin e Shpresës” për Kosovën?

Jo, sepse kur i “erdhi dita” Albin Kurtit ai nuk i kishte lënë vetes asnjë partner, dhe për të fituar kohë, përmes 30 deputetëve të Kuvendit, 29 prej të cilëve janë të tij, do ta kontestonte vet dekretin e Presidentit i cili e bën atë Kryeministër.

Po në ditën në të cilën do të “vinte dita”, ai do e kontestonte “ardhjen e ditës së tij”, pra vetveten e tij, para Gjykatës Kushtetuese, dhe përmes këtij veprimi paradoksal do të fitonte edhe dy muaj kohë për t’i “bërë numrat”. Brenda kësaj periudhe kohore ai do e akuzonte në mënyrë të vazhdueshme Presidentin e shtetit për shkelje të Kushtetutës, ndërsa LDK-në, në versionin më të mirë, për mungesë vullneti për kompromis për t’i realizuar premtimet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Vet do e luante rolin e viktimës në të cilën mishërohet ngulfatja e realizimit të vullnetit të popullit nga një shtet i kapur, viktimizim ky që nuk do të rrezikohej shumë nga presioni publik për “kapjen e shtetit” në emër të luftës kundër të cilës i fitoi zgjedhjet, sepse e ka “të kapur” gjithashtu të gjithë makinerinë e linçimit publik.

Por, ky plan nuk është sekret. Shpërfillja e institucionit të Presidentit, i cili është duke e ushtruar funksionin kushtetues të mandatimit për Kryeministër të fituesit të zgjedhjeve, ka për qëllim zëvendësimin e arsyetimeve për shtyrje të pafundme të procesit të formimit të Qeverisë nga arsyetimet e rëndomta ditore “për mungesë kohe” dhe “udhëtime jashtë Prishtinës”, në një proces kontestimi të veprimeve të Presidentit në Gjykatën Kushtetuese, duke pezulluar gjithashtu afatet për bërjen e qeverisë.

Zhvendosja e arsyetimeve në shërbim të zgjatjes së procesit për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese do t’ia “hiqte të gjitha fajet VV-së” dhe do t’i spostonte ato tek “Presidenti” dhe tek “LDK-ja”. Kësaj të fundit jo vetëm që do t’i hidhej i tërë faji për mosbërjen e marrëveshjes, pa marrë parasysh hapat e njëanshëm të VV-së duke filluar nga zgjedhja e kryeparlamentarit, por gradualisht do t’i shtoheshin akuzat e udhëhequra nga mekanizmat linçues të VV-së në rrjetet sociale, me shpresën që ajo do të dorëzohej para një oferte e cila konsiston në vetëm 5 ministri në Qeverinë Kurti.

Kështu, Albin Kurti shpreson që do t’i bënte numrat por edhe Qeverinë duke e nënshtruar që në fillim partnerin e koalicionit, praktikë me të cilën sfidat që lidhen me formimin e Qeverisë i bëjnë të duken të lehta në raport me ato që i presin në qeverisjen e vendit.

 

 

Nesër: Nga çka ka frikë Albin Kurti?

 

 

Lajme të tjera