Kërkesa e rrezikshme dhe e turpshme 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 12.12.2022 15:11 12.12.2022 15:11 Kërkesa e Presidentit Aleksandar Vuçiq për vendosjen në Kosovë të një mijë ushtarëve dhe policëve serbë është një kërkesë ligjësisht e paqëndrueshme, politikisht e dëmshme, ndërkombëtarisht e rrezikshme dhe moralisht e turpshme. Me gjasë këtë të enjte, me 15 dhjetor pra, Qeveria e Serbisë do të formalizojë këtë kërkesë duke ia dërguar Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Majorit Angelo Michele Ristuccia. Nuk ka kurfarë rastësie këtu: Qeveria e Serbisë do ta bëjë këtë kërkesë po të njejtën ditë kur pritet që Qeveria e Kosovës të aplikojë në BE për të nisë procedurën e marrjes së statusit të shtetit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Edhe në këtë mënyrë, Beogradi zyrtar do të përpiqet pra të mëdyshë apo zbrapsë një të drejtë të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Synimi i Presidentit të Serbisë kësaj radhe, është kryekëput propagandistik. Por, pasojat e këtij qëllimi të Aleksandar Vučić-it shkojnë shumë përtej një zhurme mediatike e cila u krijua ditëve të fundit në Serbi, në Kosovë dhe në rajon. Në aspektin legal, siç dihet fare mirë nga përmbajtja e Marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës (9 qershor, 1999), sipas Nenit V të tij, Komandanti i KFOR-it është i vetmi autoritet për interpretimin e gjendjes së paqes dhe të sigurisë në Kosovë dhe të validitetit të kësaj Marrëveshjeje, e cila ndryshe, në tërësinë e saj është brenda Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (10 qershor, 1999). Pra, vetëm Komandanti i KFOR-it (e kjo do të thotë, Aleanca Veri-Atlantike), ka të drejtën dhe përgjegjësinë e interpretimit të Marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës. E mund të merret me mend se çfarë qëndrimi kanë Gjenerali Ristuccia dhe Pakti NATO për një kërkesë të tillë të Serbisë, e cila edhe vetëm në këtë formë (si kërkesë), është provokim për një luftë të re në këto anë të Ballkanit. Pastaj, dihet që KFOR, por edhe EULEX, nuk janë në Kosovë vetëm në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por edhe në vijim të Ftesës së Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrit Hashim Thaçit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në muajin shkurt të vitit 2008. Në aspektin ndërkombëtar, kjo kërkesë është e rrezikshme, sepse do të bëhet në kohën kur në Ukrainë po vazhdon lufta e nisur me agresionin e Rusisë, në muajin shkurt të këtij viti. Është pra një kontekst i ri rajonal dhe ndërkombëtar, i njohur për të gjithë Evropën. Lidershipi i Serbisë, i cili është i vetmi në Evropë që nuk ka aplikuar sanksione ndaj Rusisë, me këtë kërkesë, objektivisht, vëhet drejpërdrejtë në dobi të interesit të Vladimir Putinit-it dhe të Moskës zyrtare për zgjerimin e frontit të tij me Perëndimin në Ballkanin Perëndimor. Në aspektin politik, propozimi i Presidentit të Serbisë është i dëmshëm. I dëmshëm për raportet edhe ashtu të tensionuara në mes të Kosovës dhe Serbisë, për shkak të zhvillimeve të njohura në Veriun e Kosovës. I dëmshëm gjithsesi edhe për ndërmarrjen e re ndërkombëtare, të artikuluar përmes Nismës Evropiane (apo franko-gjermane) për intensifikimin e dialogut të Brukselit në drejtim të arritjes së Marrëveshjes themelore për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjatë vitit të ardhshëm. Më në fund, kërkesa e Presidentit të Serbisë është moralisht e turpshme. Dihet shumë mirë se çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta, ngjarje këto të cilat kulminuan me luftën, në vitet 1998, 1999. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, të bëra në Kosovë nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe, janë konfirmuar në disa Aktgjykime të Tribunalit të Hagës për krime lufte (ICTY). Presidenti i Serbisë jo që nuk po shfaqet me pendesë për të gjitha këto krime të bëra nga Serbia në Kosovë ndaj shqiptarëve (këtë nuk e ka bërë asnjëherë deri më tash), por me këtë propozimin e tij, vetëm sa po e ringjallë edhe një herë kujtesën e të gjithë atyre familjeve të cilat i kanë humbur më të dashurit e tyre në këtë luftë. Në Kosovë as tash dhe as kurrë nuk mund të ketë kthim të forcave ushtarake dhe policore serbe. Këtë, në fakt, e di fare mirë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić. Por ja që identiteti i tij themelor politik, nuk e lë atë që mos ta bëj një propozim i cili më shumë se gjithçka tjetër, dëshmon natyrën e mirëfilltë të pushtetit të tij në Serbi.