Kemi nevojë ta mbyllim hendekun e vaksinimit 123 string(13) "Josep Borrell" string(59) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/06/AA11_2.jpg" nga Josep Borrell 03.06.2021 17:37 03.06.2021 17:37 Deri në fund të majit të vitit 2021, vetëm 2.1% e afrikanëve kanë marrë së paku një dozë të vaksinës COVID-19. Ne duhet ta mbyllim hendekun e vaksinimit midis shteteve me ekonomi të zhvilluar dhe vendeve në zhvillim për ta shmangur atë që Tedros Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e ka quajtur “vaksinimi aparteid”. Ta bësh diçka të tillë është edhe moralisht e drejtë, edhe në interes të të gjithëve. Prandaj, ne kemi nevojë për një veprim global shumëpalësh për ta shtuar prodhimin e vaksinave dhe për ta përshpejtuar shpërndarjen e tyre në mbarë botën. Që nga fillimi i pandemisë, kjo ka qenë rruga që e ka zgjedhur BE-ja. Tani e kemi edhe rrugën që është përcaktuar nga liderët e G20-ës në Samitin Botëror të Shëndetit më 21 maj në Romë. Pandemia ende po vret mijëra njerëz çdo ditë dhe, me ritmin aktual, e tërë bota nuk do të vaksinohet para vitit 2023. Por, një popullsi botërore e vaksinuar gjerësisht është mënyra e vetme për t’i dhënë fund pandemisë; përndryshe, shumëzimi i varianteve ka të ngjarë ta dëmtojë efektivitetin e vaksinave ekzistuese. Vaksinimi është edhe parakusht për heqjen e kufizimeve që po i pengojnë ekonomitë dhe liritë tona. Këto kufizime e penalizojnë tërë botën, por i rëndojnë edhe më shumë vendet në zhvillim. Vendet e përparuara mund të mbështeten më shumë në mekanizmat socialë dhe levat e politikës ekonomike për ta kufizuar ndikimin e pandemisë në qytetarët e tyre. Nëse ky hendek i vaksinimit vazhdon, ai rrezikon ta përmbysë trendin e rënies së varfërisë dhe pabarazive globale në dekadat e fundit. Një dinamikë e tillë negative do ta frenonte aktivitetin ekonomik dhe do t’i rriste tensionet gjeopolitike. Kostoja e mosveprimit do të ishte me siguri shumë më e lartë për ekonomitë e përparuara sesa ajo që ne kolektivisht do të duhej ta paguanim për ta ndihmuar vaksinimin në mbarë botën. Prandaj, BE-ja e mirëpret planin 50 miliardë dollarësh të propozuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të qenë në gjendje që ta vaksinojmë 40% të popullsisë botërore në vitin 2021 dhe 60% të saj deri në mes të vitit 2022. Për ta arritur këtë qëllim, ne kemi nevojë për veprim shumëpalësh të bashkërenduar ngushtë. Ne duhet t’u rezistojmë rreziqeve që i paraqet “diplomacia e vaksinave”, me të cilën sigurimi i vaksinave po lidhet me qëllimet politike dhe “nacionalizmin e vaksinave”, duke i rezervuar vaksinat për vetvete. Ndryshe nga të tjerët, BE-ja i ka refuzuar të dyja që nga fillimi i pandemisë. Deri tani, ne kemi qenë aktori i vetëm global që po vaksinon popullatën e vet ndërsa, në të njëjtën kohë, eksporton sasi të mëdha të vaksinave dhe që i ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme shpërndarjes së vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta. Evropianët mund ta ndjehen krenarë për këtë fakt. Në vitin 2020, BE-ja e ka mbështetur kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave në shkallë të gjerë dhe i ka kontribuar në masë të konsiderueshme gjeneratës së re të vaksinave mRNA. BE-ja pastaj u bë prodhuesi kryesor i vaksinave COVID-19 me – sipas OBSH-së – rreth 40% të dozave të përdorura globalisht deri më tani. BE-ja gjithashtu i ka eksportuar 240 milionë doza në 90 shtete, që është pothuajse po aq sa kemi përdorur brenda BE-së. BE-ja me shtetet anëtare dhe institucionet financiare të saj – atë që ne e quajmë “Ekipi i Evropës” – po u jep si donacion vaksina fqinjëve në nevojë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Ajo synon t’i jep si donacion së paku 100 milionë doza më shumë për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme para fundit të vitit 2021, siç është rënë dakord në Këshillin Evropian të fundit. Me 2.8 miliardë euro, Ekipi i Evropës ka qenë gjithashtu kontribuuesi kryesor në strukturën e COVAX-it, i cili ua mundëson vendeve të varfra që të kenë qasje në vaksina; rreth një e treta e të gjitha dozave të COVAX-it që janë shpërndarë deri më tani janë financuar nga BE-ja. Sidoqoftë, kjo përpjekje është ende larg nga të qenit e mjaftueshme për ta parandaluar zgjerimin e hendekut të vaksinimit. Për ta plotësuar këtë hendek, vendet që i kanë njohuritë dhe mjetet e nevojshme duhet t’i rrisin kapacitetet prodhuese të tyre, në mënyrë që të munden edhe t’i vaksinojnë popullatat e tyre, edhe të eksportojnë më shumë vaksina, siç po bën BE-ja. Në bashkëpunim me prodhuesit e vaksinave, ne po punojmë që t’i rrisim kapacitetet e prodhimit të vaksinave të BE-së në më shumë se 3 miliardë doza në vit deri në fund të vitit 2021. Partnerët tanë industrialë evropianë janë zotuar t’i shpërndajnë 1.3 miliardë doza të vaksinave para fundit të vitit 2021, nëpër vendet me të ardhura të ulëta pa ndonjë profit, ndërsa nëpër vendet me të ardhura të mesme me çmime më të ulëta. Ata po ashtu janë zotuar t’i shpërndajnë edhe mbi 1.3 miliardë doza për vitin 2022 – shumë nga të cilat do të shpërndahen përmes COVAX-it. Të gjitha shtetet duhet t’u shmangen masat kufizuese që ndikojnë në zinxhirët e furnizimit të vaksinave. Ne gjithashtu duhet ta lehtësojmë bartjen e njohurive dhe teknologjisë, në mënyrë që më shumë vende të mund të prodhojnë vaksina. Nga ana jonë, ne jemi duke i inkurajuar fuqishëm prodhuesit evropianë që ta bëjnë këtë, veçanërisht në Afrikë. Unë mora pjesë në samitin e Parisit për mbështetjen financiare për Afrikën më 18 maj, ku udhëheqësit e kontinentit theksuan se Afrika i importon 99% të vaksinave të saj. Kjo duhet të ndryshojë. Ekipi i Evropës po e lanson një nismë për këtë qëllim – mbështetur nga një financim në vlerë prej 1 miliardë eurosh nga buxheti i BE-së dhe institucionet financiare evropiane për zhvillim – me partnerët afrikanë për ta rritur kapacitetin prodhues në Afrikë për vaksinat, ilaçet dhe teknologjitë shëndetësore. Licencimi vullnetar është mënyra e privilegjuar për ta siguruar një bartje të tillë të teknologjisë dhe njohurive praktike. Nëse rezulton të jetë e pamjaftueshme, Marrëveshja ekzistuese TRIPS dhe Deklarata e Doha-s e vitit 2001 tashmë e parashohin mundësinë e licencimit të detyrueshëm. Sipas disa shteteve, këto fleksibilitete janë megjithatë shumë të vështira dhe shumë të ngadalta për t’u përdorur. Për ta përshpejtuar këtë bartje të teknologjisë, BE-ja do të dalë me një propozim të ri në kuadër të OBT-së deri në fillim të qershorit. Pandemia e COVID-19 na e ka përkujtuar se shëndeti është një e mirë publike globale. Aksioni ynë i përbashkët global i vaksinave kundër COVID-19 për ta mbyllur hendekun e vaksinimit duhet të jetë hapi i parë drejt një bashkëpunimi global shëndetësor të mirëfilltë, siç është paraparë në Deklaratën e Romës që u miratua pa ca kohe në Samitin Global të Shëndetit. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.