Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Këmbanat e shurdhëra të alarmit 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 31.05.2022 09:12

Cila është dhuna në shoqërinë kosovare? Cilat janë trajtat e saja më të shpeshta? A ka  mbërri dhuna në këtë vend, me statistikë dhe me mënyrat si shfaqet, në nivelin kur duhet  të dëgjohen këmbanat e alarmit? 

Me gjasë, përgjigja më e saktë, më e qëndrueshme në këto pyetje, dhe shumë të tjera të  cilat mund të pasojnë është kjo: Dhuna është fenomen i çdoditshëm në shoqërinë kosovare,  reagimi ndaj saj, kur bëhet fjalë për opinionin publik, për të gjithë ne pra, është i  atypëratyshëm, spontan, i përkohshëm, deri në rastin tjetër kur ndodhë sërish një rast tjetër  i dhunës, çfarë ishte edhe ky shumë i rëndë, me vrasjen e një të riu në qytetin e Ferizajit. 

Jemi pak më të organizuar, si qytetarë, si shoqëri, kur rastet e dhunës qëllojnë a targetojnë  gratë prej burrave apo fëmijtë prej baballarëve (në përgjithësi, të keqpërdorimit të  fëmijëve), kur kemi të bëjmë pak a shumë, me dukurinë të cilën e definojmë si dhunë në  familje. 

Veçmas kur kjo (dhunë) ka marrë trajtën më brutale, më tragjike, të vrasjes, ne jemi në  gjendje të organizojmë edhe protesta në qendër të qyteteve tona, duke kërkuar, gjithsesi me  të drejtë, që policia dhe gjyqësia të bëjnë më shumë për ndëshkimin e këtyre krimeve të  cilat trondisin çdo shoqëri. 

Por ky mobilizim është i përkohshëm, gjë që është e kuptueshme. Parakalimi i çdoditshëm  në qytet për një kauzë, edhe nëse ajo është krejtësisht e drejtë, si në këto raste me viktimat  femra dhe fëmijë, nuk mund të ndodhë, dhe nuk ka farë efekti të madh. Nëse mesazhi i një  proteste të këtij lloji nuk merret vesh me të parën, atëherë vështirë që kjo do të ndodhë me  përsëritjet e saja. 

Natyrisht, adresat e para të përgjegjësisë kur ndodhë ai erupcioni i dhunës në formë të  vrasjes, janë të njohura për të gjithë: Policia, gjyqësia, politika zyrtare. Krimi dhe autori i tij duhet të pësojnë nga shteti, kur krimi dhe autori kanë goditur qytetarin  e këtij shteti, kanë lënduar një shoqëri të tërë. 

Ndëshkimi i këtillë, lë gjurmë në mënyrën se si rrjedhin më pas ngjarjet në një shoqëri. Megjithatë, shkalla e dhunës në një shoqëri, edhe në këtë të Kosovës, nuk është në  përpjestim të drejtë me mënyrën se si funksionon rendi dhe ligji në një shtet.  Nuk janë vetëm këto dy elemente, të cilat së bashku e bëjnë atë statistikën e dhunës dhe të  krimit në një shoqëri. 

Shumëçka, realisht varet prej nesh, se si funksiojmë si shoqëri, me atë ‘fuqinë e butë’ të  cilën e ka secila shoqëri, prej edukimit, arsimit, kulturës, muzikës, mediave, etj.etj. Gjendja në një shoqëri, jo vetëm kur bëhet fjalë për këtë çështjen konkrete (e cila kësaj  here u shfaq pas një vrasjeje në Ferizaj), por edhe për shumë të tjera, është reflektim i  mënyrës së organizimit tonë të përgjithshëm, përpos këtij segmenti klasik të raportit në  mes të rendit/ ligjit dhe krimit. 

Mbase, çdo krim dhe secila dhunë në masë të madhe është reflektim i mënyrës se si  funksionon një shoqëri, çfarë vlerash mbanë nga tradita, cilat vlera të reja i promovon, si  arrinë të ruajë baraspeshën më mes të zhvillimeve të reja teknologjike, ta zëmë, (Interneti, telefonat e mençur, etj.etj.), dhe rrjedhave të pritshme në atë shoqëri. Këtu ia vlenë të  shtohet që edhe Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 ka lënë pasoja evidente në shëndetin  psikik te të gjithë ne, si individë, dhe poashtu, në gjithë shoqërinë kosovare, si tërësi. Në rastin e vrasjes në Ferizaj, kjo është mëse evidente, sepse me gjasë, ajo është pasojë,  pos tjerash, edhe e mënyrës së jetesës, e përceptimit të jetës si të tillë, e cila del si kopje e  video-klipeve, e jo si një jetë e rëndomtë. 

Nuk ka gjë të zakonshme këtu. 

Nëpër studiot tona televizive po bëhen tashmë analizat që lidhin kulturën e jetesës së  këtillë, me vdekjen tragjike dhe të dhunshme si pasojë të saj. 

Por, pas disa ditëve, e tëra do të harrohet. Do të vazhdojmë të merremi me zell me temat e  përditshme politike. Deri në një tjetër vrasje të rëndë që do të na bëjë të mendojmë, për  disa orë dhe një ditë të tërë, se çfarë jemi në të vërtetë si njerëz dhe si shoqëri. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme