Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Katër të vërtetat për dialogun Kosovë – Serbi

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 17.07.2021 15:32

E vërteta e parë: Nuk ka shtet dhe qeveri në Perëndim, e cila nuk e di se si do të duhej të përmbyllej dialogu i Brukselit, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë.

Madje, këtë e dinë fare mirë edhe pesë shtetet e BE-së  (Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), të cilat e përbëjnë atë grupin e shteteteve që në vitin 2008, nuk iu bashkuan 22 anëtarëve të BE-së që mirëpritën pavarësinë e Kosovës.

Pra, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka tjetër epilog pos atij i cili normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e sheh të kodifikuar me Marrëveshjen Gjithpërfshirëse dhe Ligjësisht Obligative, e cila do të ndërtohej mbi njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, do të kenë fqinjësi të mirë, në synimin e tyre të përbashkët për tu bërë sa më parë që është e mundur shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

E vërteta e dytë: Nuk ka shtet dhe qeveri në Perëndim, e cila mund të parasheh afatin kohor brenda të të cilit do të mund të arrihej dhe nënshkruhej Marrëveshja në mes të instancave sipërore të Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun e Brukselit, diplomati sllovak, Miroslav Lajčak, disa herë ka potencuar që nëse ka vullnet të dy palëve, për pak muaj do të mund të bëhej Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, realisht, kjo nuk është e vërteta e plotë për kornizën kohore brenda të së cilës do të kryhej puna rreth këtyre bisedimeve.

Motivi kryesor shtytës i Serbisë dhe i liderit të saj, Presidentit Aleksandar Vučić, për ta bërë këtë Marrëveshje me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, përkon me mundësitë reale që Serbia t’i afrohet shumë fazës përfundimtare të anëtarësimit të saj në BE.

Ky afat kohor, i cili aktualisht nuk ekziston, për shkak të vendnumërimit të ndërmarrjes së zgjerimit të BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, (ndërsa dihet që ky status asnjanës i këtij procesi është imponuar në radhë të parë nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron), është realisht, kusht pa të cilin nuk bën, nëse dëshirohet që të ecet shumë më shpejtë në bisedimet e Brukselit, në drejtim të Marrëveshjes së synuar.

Shumëkush mund të thotë këtu që lidershipi i Serbisë, me motive të cilat do të duhej kryekëput të lidheshin me të tashmen dhe të ardhmen e Serbisë, dhe me distancimin kualitativ nga një histori e rëndë dhe tragjike e Serbisë në Kosovë, do të duhej të ishte vet i interesuar, edhe pa këtë ‘Çmimin e madh’ të anëtarësimit në BE, ta bënte Marrëveshjen me autoritetet e Kosovës, e cila në themelet e veta do ta kishte njohjen reciproke.

Por, ky qëndrim nuk ekziston në Serbi, dhe për më shumë, ai nuk pritet të ketë përkrahje të mirëfilltë në skenën politike të këtij shteti.

E vërteta e tretë: Kryeqendrat e Perëndimit, pra, Washingtoni, Brukseli, Berlini, Parisi, Londra dhe Roma, aq sa nuk dinë se kur do të mund të arrihet Marrëveshja në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, (dihet siç u tha tashmë raporti i varëshmërisë së këtij fakti me atë afatin kohor të integrimit të Serbisë në BE), e dinë gjithashtu që koha nuk punon në favor të zvarritjes së ndërmarrjes së bisedimeve të Brukselit. Thënë ndryshe, ashtu edhe siç është artikuluar tashmë qartë në të gjitha Analizat në Amerikë dhe në Evropë, mungesa e rezultatit final në këtë dialog, si dhe ngecja tashmë trevjeçare në pozicionin e BE-së për procesin e zgjerimit të vet me shtetet e Ballkanit Perëndimor, do të shfrytëzohet  (siç po ndodhë tashmë), nga Rusia dhe Kina, dhe do të mund ta destabilizonte këtë anë të Evropës.

Realisht, kjo e vërtetë nuk mund të koekzistojë me atë parapraken, apo, po del që vet BE-ja, me pasivitetin e vet real i cili nuk mund dot të zbutet, e as të tejkalohet, me një aktivitet verbal, është kontribuese për këtë paqartësi afatmesme në Ballkanin Perëndimor, e cila është burim lëkundjes së gjithëfarshme tek gjashtë shtetet e këtij Ishulli politik evropian, të rrethuar nga të gjitha anët me shtetet anëtare të BE-së dhe të Aleancës Veri-Atlantike.

E vërteta e katërt: Kryeqendrat e Perëndimit, teksa e dinë fare qartë se cili duhet të jetë elementi kyç i Marrëveshjes Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës, apo, njohja reciproke  (zatën, dy Administratat e fundit amerikane, të Presidentëve Biden dhe Trump, e kanë artikuluar edhe publikisht këtë qëndrim), dhe derisa e dinë që sa më parë që është e mundur Kosova dhe Serbia duhet ta nënshkruajnë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, nuk e kanë aspak të qartë se si kryengociatorët e Prishtinës dhe Beogradit do të mund të arrijnë tek epilogu i bisedimeve.

Në të vërtetë, për këto kryeqendra, versioni ideal do të ishte, gjithnjë duke iu referuar të Vërtetës së parë  (për njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë), nëse me një ndihmë jo edhe aq të madhe të lehtësuesve të këtij dialogu  (BE-së), vet palët e përfshira në te, apo, instancat më të larta të Kosovës dhe Serbisë, do të dakordoheshin për përmbajtjen e kësaj Marrëveshjeje, duke ruajtur disi edhe ‘Konstruksionin e sigurisë’ në gjithë rajonin  (pra, duke mos ndryshuar kufijtë e Kosovës dhe Serbisë), dhe duke mos rrezikuar edhe atë organizimin e brendshëm të pushtetit në Kosovë  (për t’iu shmangur një Përbindëshi Administrativ çfarë paraqet Bosnja dhe Hercegovina).

Natyrisht, ky përshkrim paska më i stërholluar i qëndrimeve të kryeqendrave perëndimore, në parim është kontribues në këtë aspektin teorik të kësaj ndërmarrjeje. Por, në mungesë të një vullneti për ta imponuar disi këtë epilog të procesit të bisedimeve të Brukselit, apo, me insistimin për të mos u parë si dikush që po bën presion të madh për ta bërë Marrëveshjen mbi këto parime, praktikisht, ky përshkrim nuk bën shumë punë, për të mos thënë që nuk bën punë fare.

Realisht, Kosova si shtet nuk ka mundësi reale për ta bindur Serbinë se puna e dialogut duhet të merr fund sa më parë, dhe atë, me Nenin 1 të saj që flet për njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Këtë potencial të mirëfilltë e ka Perëndimi. Pa e shfrytëzuar ate në diplomaci dhe në politikë, është tej imagjinatës të besohet që do të ketë, në një të ardhme të afërt, Marrëveshje Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme