Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Katër mësimet nga Veriu i Kosovës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 03.10.2021 11:58

Gjendja në Pikat/ Kalimet kufitare në Jarinje  dhe Bërnjak, prej të shtunës pasdite (me 2 tetor) i është kthyer normalitetit.

U arrit, mbi të gjitha, në vijim të Marrëveshjes së Brukselit të së enjtes  (30 shtator), ai shtensionimi apo de-eskalimi i situatës së rëndë në Veri të Kosovës, i cili u kërkua për disa ditë me këmbëngulje nga SHBA dhe BE.

Prej kësaj të hëne  (4 tetor), do të aplikohet Reciprociteti në qarkullimin rrugor në mes të Kosovës dhe Serbisë (përmes letrave ngjitëse), teksa një zgjidhje eqëndrueshme dhe e përhershme e gjithë këtij rrëfimi për Lirinë e lëvizjes, synohet të arrihet deri me 21 prill të vitit të ardhshëm.

Në një ushtrim të rekapitulimit në këtyre ngjarjeve, duket që janë disa mësime që mund të nxirren nga zhvillimet në këtë pjesë të Kosovës në dy javët e fundit.

Mësimi i parë, mbase edhe më i rëndësishmi është që dialogu në Bruksel, nuk mund të vazhdojë kështu, në këtë mënyrë, apo, duke u shndërruar në bisedime për menaxhimet e krizave të veçanta  (siç ishte rasti edhe kësaj here, e siç ka qenë shpeshherë në të kaluarën), të cilat mbyllen me Marrëveshje të përkohshme.

Krejt çka ndodhi në këto javët e kaluara vetëm sa konfirmon dhe mbështetë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës së Kryeministrit Kurti, por edhe të gjithë skenës politike të vendit, që bisedimet në mes të instancave më të larta të Kosovës dhe të Serbisë, tash e tutje duhet të përqëndrohen në arritjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ka si themel të vetin njohjen reciproke në mes të dy shteteve.

Nuk do të thotë që me një ‘sigurisë automatike’ do të mundësohet një përmirësim imediat i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si të ndodhë fillimi i këtyre bisedimeve për atë temën kryesore të këtij dialogu. Mund të ketë tensionime të reja, ndërlikime të mëdha të shumëllojshme. Por do të dihet, si këtu, si në Beograd, ashtu edhe në kryeqendrat e Perëndimit, që po flitet për çështjen kyç, dhe që brenda një periudhe të caktuar kohore, mund të mbërrihet në epilogun e kësaj ndërmarrjeje, e cila në fazën e tashme, kur BE është lehtësuese, ka nisur tash e gati njëmbëdhjetë vjet.

Mësimi i dytë, poaq i rëndësishëm është që bashkëpunimi në mes të Administratës Amerikane të Presidentit Biden dhe lidershipit të sotëm të BE-së, duhet të intensifikohet, siç ndodhi zatën në këto javët e krizës në Veri, ashtuqë të ndihmohet, në mënyrë sinjifikative, dialogu i Brukselit, për tu marrë me atë kryetemën për të cilën u fol më parë.

Për të pasur sukses ky dialog, duke marrë parasyshë gjendjen reale në raportet në mes të këtyre dy shteteve, është i pashmangshëm një rol i drejtpërdrejtë i Amerikës dhe BE-sështyrjen përpara të një Agjende të qartë të dialogut, me synimin i cilat tashmë është artikuluar në mënyrë eksplicite nga Administrata Amerikane  (e Presidentëve Trump dhe Biden), dhe në mënyrë implicite nga shtetet kryesore të BE-së: Njohjen reciproke në mes të dy shteteve.

Nuk ka pra gjë sekrete apo të panjohur sa i përket epilogut të këtyre bisedimeve. Pyetjet në të cilat duhet gjetur përgjigjen janë: Kur dhe si duhet të bëhet kjo Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, bazuar në njohjen reciproke.

Por, për arritjen e saj, siç u pa edhe në adresimin e një teme krejtësisht të veçantë, kësaj që përkonte me tabelat e veturave, duhet një qasje më dinamike e SHBA-së dhe e BE-së.

Mësimi i tretë i cili përkon me zhvillimet në dy javët e fundit në Veri, nuk paraqet kurfarë risie dhe as befasie, as për ne në Kosovë dhe as për për shtetet kryesore perëndimore, por kësaj here, kjo situatë u sipërfaqësua, nëse mund të thuhet ashtu, në mënyrën më të vrazhdë dhe më brutale të mundshme. Pra, u kuptua si asnjëherë më parë se cili është roli i shtetit të Serbisë në Veriun e Kosovës, çfarë ndikimi, në të gjitha aspektet e mundshme, në këto anë të Kosovës ka Aleksandar Vučić, Presidenti i Serbisë, dhe çka është krejt në gjendje ky pushtet të bëjë  (përfshirë edhe manovrat e rrezikshme ushtarake në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë), në mënyrë që të pamundësojë fuqizimin e rolit të autoriteteve të Kosovës në Veri.

Adresa pra e problemeve dhe tensioneve në Veri u bë me e ditur se kurrë, gjë që do të duhej të merrej parasyshë edhe prej faktorëve kryesorë ndërkombëtarë.

Mësimi i katërt dhe i fundit (teksa me siguri mund të ketë edhe mësime të tjera në ndonjë Analizë më të detajuar), ka të bëjë me mënyrën se si u rreshtua skena politike e Kosovës ndaj kësaj sprove që bartte në vete rreziqe të nduarnduarta, kur dihet se në çfarë ambienti problematik operuan, për 13 ditë, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

U dëshmua që në këto raste, mund të arrihet goxha lehtë ai uniteti apo konsensusi politik midis të gjitha forcave relevante në vend, për mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës.

Kështu duhet të jetë edhe tash e tutje. Në këtë kontekst, mbase do të ishte mirë nëse ndodhë intensifikimi i komunikimit në mes të Qeverisë dhe Opozitës parlamentare në adresim të çështjeve themelore të sigurisë së vendit, por edhe të dialogut të Brukselit.

 

©klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme