Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Jemi këtu ku jemi

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.02.2023 16:13
Blerim Shala

Anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike. Sa më parë që është e mundur.

Kjo do të ishte përgjigjja përbashkuese e Qeverisë së Kosovës, e partive opozitare, e të gjithë qytetarëve të Kosovës, po të pyeteshin sot se cili duhet të jetë prioriteti absolut strategjik i Kosovës tash e tutje.

Aty, në Paktin NATO, është Amerika, janë të gjitha shtetet kryesore të Perëndimit që na kanë përkrahur në luftë dhe në paqe, dhe kur u bë Kosova shtet, apo, aty janë shtetet që më së shumti na mbështesin sot e kësaj dite.

Inkuadrimi në Paktin NATO ka fituar shumë në peshë  (kjo vlerë është shumëfishuar madje), që nga 24 shkurti i vitit të kaluar, kur Rusia invadoi Ukrainën.

Kush do ta mendonte, para kësaj dite, që Finlanda dhe Suedia, të njohura për neutralitetin e tyre tradicional ushtarak, do të kërkonin me aq ngulm që urgjentisht të bëhen pjesë përbërëse e Paktit NATO, po të mos ndodhte lufta në Ukrainë?

Pakti NATO, me misionin e KFOR-it, që nga viti 1999 është pjesë e Kosovës. Kështu, me siguri do të mbetet edhe për shumë vite të tjera. Por, Kosova nuk është në Paktin NATO. Ende.

Është supozuar, me të drejtë, nga skena politike kosovare, deri në këtë datë  (të 24 shkurtit), që ndanë dy epoka dhe dy organizime gjeo-politike në Evropë dhe në Botë, që ajo ‘njohja universale’ e Kosovës si shtet i pavarur do të ndodhë në çastin kur flamuri i Republikës së Kosovës do të ngritet të East River, në selinë e OKB-së.

Atëherë, do të sigurohej një herë dhe përgjithmonë, pavarësia e Kosovës.

Kusht për një akt të këtillë solemn llogaritej që do të jetë njohja formale e Kosovës nga Serbia.

Pastaj, do të vijonin, pa ndonjë pengesë të madhe, inkuadrimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Tek e fundit, çka do të kishin kundër hyrjes së Kosovë në OKB Rusia dhe Kina, nëse Serbia do ta njihte Kosovën?

Por, gjërat në OKB janë përmbysur me themel, pas luftës së Rusisë në Ukrainë.

Thënë troç, edhe po të ndodhë njohja formale e Kosovës si shtet nga Serbia, Rusia do ta kthente mbrapsht aplikacionin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për shkaqe dhe motive të veta. Justifikimi i Moskës zyrtare në këtë rast do të ishte që tri shtetet e Perëndimit që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së  (SHBA, Britania e Madhe dhe Franca), duhet të pranojnë që Donbasi dhe Krimea e Ukrainës, janë pjesë e Federatës së Rusisë.

Po të mos ishte kjo luftë, mbase edhe kryeqendrat kryesore të Perëndimit  (Quint-i), sot e kësaj dite do të insistonin në Beograd që Serbia duhet ta njohë Kosovën sa më parë.

Jemi këtu ku jemi. Realiteti ndërkombëtar, i cili ende është në fazën e ‘punimeve të vrazhda’ në ndërtimin e një Rendi të ri, ia ka imponuar Perëndimit dhe Kosovës që të kërkojë një rrugë tjetër për sigurimin e qëndrueshmërisë ndërkombëtare afatgjatë të shtetit të Kosovës.

Kjo rruga e re për Kosovën, këmbëngulë në arritjen e shpejtë  (gjatë këij viti), të një Marrëveshjeje Themelore për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ka në qendër të veten njohjen faktike nga Serbia, të ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura, të cilat kanë territoret e veta, kufijtë e vet, sovranitetin e tyre, subjektivitetin ndërkombëtar.

Kjo situatë nuk do të ndryshojë kurrë. Këtë e di shumë mirë Beogradi zyrtar.

Megjithatë, raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat është dashur të njohin një trajektore pozitive të normalizimit të marrëdhënieve, sa më shumë që do të ecte para dialogu i Brukselit  (i nisur në vitin 2011), kanë pësuar një degradim të madh, edhe për shkak të dështimit të përgjithshëm të dialogut të Brukselit dhe rolit që këtu ka pasur BE-ja.

Jemi këtu ku jemi. Duhet thënë sërish.

Kur të merren parasysh të gjitha faktet e njohura politike, por edhe ato që njihen pak ndër ne, mbërrihet në një konkludim që nuk kemi shumë alternativa, apo thënë edhe më hapur, nuk ka asnjë mundësi apo alternativë tjetër për Kosovën, pos që të provojë arritjen e Marrëveshjes Themelore me Serbinë, duke përmirësuar ndjeshëm pozicionin/ raportet në BE/ NATO, me shtetet që nuk kanë njohur pavarësinë. Ky përmirësim, në epilogun e tij, tok me nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore, do të duhej të siguronte përmbylljen e ‘njohjes universale’ të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Paktin NATO.

S’do mend që në atë rast, hyrja e Kosovës në Paktin NATO  (së pari), do të ishte çështje vitesh. Dhe poashtu, do të hapej edhe porta e integrimit në BE.

@klankosova.tv

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme