Jashtë binarëve: Presidenti i Serbisë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 25.09.2022 09:56 25.09.2022 09:56 Živela Srbija. (Rroftë Serbia). Në këtë mënyrë, ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dha fund fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kur më pas u pyet pse në këtë mënyrë konkludoi porositë e tij politike, ai u përgjigj pa një pa dy: Nëse mundet Zelenskyy (Presidenti i Ukrainës) orë e çast të thërrasë Slava Ukraini (Lavdi Ukarinës), pse unë nuk mund të deklaroj Rroftë Serbia. Edhe pse kurrë nuk është shquar me një politikë të baraspeshuar dhe maturi në politikë, lideri serb Vuçiq, si asnjëherë më parë, kësaj radhe, gjatë qëndrimit të tij në Nju-Jork, në fillimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është përpjekur maksimalisht të dëshmohet si një politikan që është jashtë binarëve të një politike të logjikshme, e lëre më pro-perëndimore. Serbia nuk është në kurfarë rreziku prej askujt, pos prej vetëvetes, apo, prej lidershipit të vet. Prandaj, thirrja ’Rroftë Serbia’ nuk ka asnjë kuptim dhe asnjë domethënie në një ambient çfarë është Salla e madhe e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ukraina është e rrezikuar me themel nga 24 shkurti i këtij viti, kur Vladimir Putin, presidenti i Rusisë, urdhëroi agresionin ushtarak mbi një shtet sovran. Qëllimet e Putinit, pos tjerash, nënkuptonin, në versionin e butë (merreni me mend), ’denacifikimin e Ukrainës’ dhe vendosjen e një regjimi kukull në Kijev, dhe anë versionin tjetër, të egër, shkatërrimin e Ukrainës si një shtet të pavarur. Ishte e kuptueshme, e logjikshme, e pritshme, madje, e domosdoshme, që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, çdo ditë të rezistencës ushtarake të Ukrainës, (e cila ishte befasuese madje edhe për Administratën e Presidentit Biden), ta përcjell me atë porosinë kumbuese, ’Lavdi Ukrainës’. Nuk ka pra gjë të përbashkët në mes të këtyre dy shembujve, të Serbisë dhe të Ukrainës. Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, shfrytëzoi në mënyrën më të paskrupullt të mundshme foltoren e selisë së OKB-së në East River të Nju-Jorkut, për të tërhequr një tjetër paralele historike dhe politike, ku në qendër të analizës së tij ishte integriteti territorial i Serbisë/ RFJ-së (në vitin 1999), dhe i Ukrainës (në vitin 2022). Vuçiq nënvizoi që ai dhe Serbia janë për ruajtjen e tërësisë territoriale të Ukrainës, por në vitin 1999, kur tërësia territoriale e Serbisë/ RFJ-së u cenua, pakkush e mbrojti politikën e Beogradit. Ky krahasim i Presidentit të Serbisë jo vetëm që është tej mase paradoksal, por realisht, është fyes për historinë e njohur për të gjithë. Madje, edhe për vet Vuçiqin, sepse ai ishte atëbotë pjesë e Qeverisë së Serbisë. Historia dhe politika zyrtare e Serbisë e atyre viteve, përfundoi, e tëra, në Tribunalin e Hagës për krime të luftës në ish-RSFJ, për themelimin e të të cilit, në vitin 1992, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pati votuar edhe Federata e Rusisë. Pjesa kryesore e kësaj historie të turpshme përkonte me Kosovën, me luftën e viteve 1998 – 1999, me atë mal krimesh të bëra në gjithë territorin e Kosovës, e cila u shndërrua atëherë në një arkipelag varrezash masive. Atë që e bëri Serbia në Kosovë, në vitet 1998 – 1999, po e bën Rusia në Ukrainë, gjatë vitit 2022. Ky është krahasimi i vetëm i qëndrueshëm dhe i logjikshëm. Zatën, saktësia e këtij krahasimi u konfirmua këto ditë nga vet Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i tij i Jashtëm, Nikola Selakoviq. Vuçiq u takua në Nju-Jork me Sergey Lavrovin, Shefin e diplomacisë ruse, me siguri për t’ia komunikuar atij qëndrimin që Serbia është për ruajtjen e tërësisë territoriale të Ukrainës. Në anën tjetër, homologu serb i Lavrovit, Nikola Selakoviq, jo vetëm që u takua me kryediplomatin e Rusisë, por për më shumë, midis Nju-Jorkut, nënshkruajti me të marrëveshjen për konsultime bilaterale në politikën e jashtme në mes të Serbisë dhe Rusisë. Kjo marrëveshje ka vlerë dyvjeçare. Kjo Marrëveshje e Selakoviqit dhe Lavrovit, është një tjetër sulm ndaj logjikës nga Beogradi zyrtar. Dy shtete që kanë marrëdhënie shumë të afërta, çfarë janë Serbia dhe Rusia, nuk kanë kurfarë nevoje që të nënshkruajnë marrëveshje të re për konsultime bilaterale në çështjet e politikës së jashtme. Kush i ndalon diplomacitë e këtyre dy shteteve që të konsultohen, besa edhe të koordinohen në temat kryesore të politikës së jashtme. Mediat ndërkombëtare përcollën këtë lajm nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pak a shumë në këtë mënyrë: Serbia që aspiron të hyjë në BE, nënshkruajti sot marrëveshje bilaterale me Rusinë, teksa vazhdimisht refuzon të mbështesë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Nuk ka kurfarë dyshimi që kjo marrëveshje (krejtësisht e kotë), u nënshkrua dhe u bë midis Nju-Jorkut në mes të Serbisë dhe Rusisë, ashtu që lideri serb Aleksandar Vuçiq të tregojë veten, në mënyrën më të sakt dhe më të sinqertë të mundshme. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.