Isa Mustafa e shkroi fundin e tij - Klan Kosova

Isa Mustafa e shkroi fundin e tij

123
string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg"
7 years më parë

 

 

Javë më parë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i mbushi 64 vjet. S’kishte aspak dyshime që ai sërish do të zgjidhej në postin e preferuar të Kryetarit të LDK. Gjasat që kjo të mos ndodhte ishin vetëm teorike.
Të dielën, kur nisi Kuvendi i LDK-së, dihej botërisht që Isa Mustafa do jetë fitues. Por, pritej një garë demokratike ku do të përsëritej Kuvendi i fundit demokratik i LDK.
Ishte i vetmi i kësaj natyre në Kosovën e pasluftës.
Por, nuk u përsërit.
Nuk ndodhi.
Gjithçka u kthye prapa dhe kryetari u rizgjodh me aklamacion. Një imitim i zbehtë i Kuvendeve kur Rugova ishte i pakontestueshëm. Edhe pse asgjë nuk mund të krahasohet edhe për shkak të kohës së luftës, dimensionit historik dhe pushtetit moral që i duhej Kosovës për qetësinë dhe unitetin e saj politik.
Por, tash pse ndodhi?
Duke e trajtuar këtë parti për një kohë të gjatë, kam vërejtur se për disa gjëra anëtarësia e saj – sidomos Këshilli i Përgjithshëm – është oportune, tepër lojale panevojshëm – në situatat kur gjithçka mund të ishte më mirë, por assesi kështu si ndodhi dje.
Kam parë zhvillimin e situatave dhe njerëzve.
E vërteta është se për një parti, në një vend si Kosova, që shumë pak kohë ka jetuar në një rend demokratik dhe në një rregull demokracie, është e natyrshme të gjesh këso strukture fituese. Është e natyrshme që njerëzit që nuk prodhojnë asnjëherë ide dhe akuzojnë – bëhen fitues.
Dhe, zhgënjimi vjen për faktin se të gjithë kemi faje se e kemi përkrahur një ndryshim që po sillte fryma tjetër nga Isa Mustafa.
Por, ky Kuvend tregoi se LDK-ja definitivisht është klan politik.
Mungoi debati i brendshëm, mungoi struktura dhe sistemi vendimmarrës në një kuvend, që pritej të mbahej në qetësinë e vet dhe pa probleme.
Sado duket se Kuvendi i fundit nuk e pengon këtë parti të funksionojë, me gjithë pakënaqësitë individuale, e vërteta tregon se LDK do të dëmtohet rendë.
Të tjerët thonë se këtë e shëron pushteti i saj që mundëson punësim dhe privilegje.
Mirëpo, ku është faji ynë publik?
Kur Isa Mustafa bëri denoncimin e tij të famshëm, atëbotë e gjithë LDK-ja ndjeu se gjërat po ndryshonin për të mirë. U fitua ndjenja: “Aha, Isa ia nisi, të tjerët do ta ndjekin”.
Pastaj, disa nga ne që e dinin se çka do të thotë të kujdesesh për LDK-në që po fundosej, shkruam vazhdimisht.
Ishte guxim i madh ta marrësh një LDK të tronditur për vite.
Mirë për LDK, mirë për Kosovën, mirë për demokracinë – thuhej ndër të gjithë ne.
Mendoj se dihet çfarë ndodhi më vonë.
Ia falëm Isës të gjitha humbjet në zgjedhje. Dhe i besuam që heshtja e tij prej profesori nuk do të jetë kurrë antidemokratike dhe aklamative.
Unë për vete kam qenë kundër që Isa Mustafa të kandidohej për kryetar të LDK-së.
Për shumë arsye: mosha, ndërrimin i gjeneratës, betejës së një gjenerate të re për ta ngritur këtë parti, etj.
Megjithatë, hiq dashamirësinë time publike që ai ta lë postin, kurrë nuk kam besuar se në konkurrim për kryetar të LDK-së do të përsëritë idenë aklamative, ku Rugova zgjidhej për arsye krejt tjera, e assesi të atilla çfarë u panë të dielën.
Nuk dua ta pranoj as arsyetimin me ndajfoljen “nëse”:
Nëse Isa humb, do të bie Qeveria;
Nëse Isa humb, do të bie gjykata speciale;
Nëse Isa bie shkohet në zgjedhje;
Nëse Isa bie s’ka LDK dhe lider që bashkon LDK-në,
Dhe shumë “nëse” oportuniste dhe jodemokratike.
Isa Mustafa dhe LDK u kthye në parti si PDK, AAK, Vetëvendosje – ku statutet dhe demokracia janë karikaturë.
Por, nuk e di nëse e dinë të gjithë se ç’dëm i është bërë Kosovës me Kuvendin e LDK-së të së dielës. Është bërë dëm edhe në rrafshin e gjasave të saj për të ardhmen demokratike edhe – siç e kam vërejtur – në rrafshin e ndihmës që Kosova të ecën drejt demokracisë dhe drejt funksionimit të idesë politike plurale.
Shikoni ku jemi pesë ose gjashtë vjet pas marrjes së LDK-së nga Isa Mustafa.
Me zgjedhje aklamative të kryetarit.
Nga kjo perspektivë, pas gjashtë vitesh, e shoh se në LDK një pjesë e njerëzve kanë hyrë nga kureshtja, të tjerët për të shitur mend, e disa edhe më keq: për të ngatërruar punë.
LDK-ja për disa ka qenë një dhimbje dhe është ende dhimbje, kurse për disa të tjerë ka qenë dhe vazhdon të jetë biznes.
Në qarqet oborrtare që e rrethojnë Isa Mustafën, ka të tillë që mendojnë se ai është një politikan jashtë formateve të zakonshme. Isa shikohet si një burrë i veçantë. Edhe pjesa e popullit që voton Isën, po kështu kultivon këtë besim mbi qetësinë e tij.
Unë i takoj një kategorie tjetër të atyre që prej të dielës nuk janë me portretizimin e tillë për Isa Mustafën.
Kam shfaqur shumë qëndrime pozitive dhe kritike, por asnjëherë admiruese.
Por, ka qenë ndryshe kur e kemi përkrahur.
Në fillim të krizës së madhe të LDK-së, Isa kishte përkrahjen thuajse unanime të elektoratit.
Pas këtij Kuvendi, LDK do të kthehet në një lloj depresioni. LDK-ja do të jetë në defanzivë.
Dhe, nëse i shikojmë zhvillimet në LDK që nga ardhja e Isës për kryetar, nuk mund të mos vërehet se e gjithë kjo periudhë i takon atij, se ai ishte konstanta e vetme krahas të gjithë sfiduesve të jashtëm dhe të brendshëm që kanë punuar në këtë ose në atë mënyrë për dobësimin dhe eliminimin e tij.
Në vend që Isa të ngadhënjejë mbi LDK-në, LDK-ja dhe ai arritën që pas zgjedhjeve të Kuvendit ta përçajnë panevojshëm partinë.
Tregimi im për Isa Mustafën nuk mund ta sqarojë enigmën e suksesit të tij, pse ai mbeti gjithë këto vite faktor në politikën kosovare.
Por, ndoshta të gjitha ato që ndodhën të dielën flasin për mjedisin dhe mentalitetin.
Kur kthehem prapa, nëse do të mund të ndërtoja një rrëfim deri më sot, mendoj se do të mund të mblidheshin shumë dëshmi se në të gjitha proceset Isa Mustafa ka qenë – dhe ka mbetur – një figurant, por me një fat të jashtëzakonshëm të shquarjes funksionale, që nuk ia lejonte fundosjen politike pa u kryer vetë procesi i tij politik.
Thënë më thjesht, nuk besoj se roli i Isës ka qenë i përcaktuar nga LDK.
Për mua, e vërteta e tij është më e thjeshtë, më e përtokshme, megjithatë me peshën që këto pesë vitet e fundit i shndërruan në – Vitet e Isa Mustafës.
Edhe ngritja e tij është më shumë e tipit të frymëzimit të çastit, dhe jo e bërë me plan.
Ashtu do të jetë edhe fund ii tij.

 

Kjo kolumne është publikuar fillimisht në Politiko.net