Isa Mustafa dhe shokët nuk po e shpenzojnë vetëm LDK, por edhe Kosovën 123 string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg" nga Ardian Gjini 08.02.2016 12:34 08.02.2016 12:34 Në fillim të vitit 2014 LDK e pat refuzuar propozimin e Aleancës që të thirrej mocion votëbesimi për qeverinë Thaçi. Në vend të votëbesimit dhe shkarkimit të asaj qeverie, LDK dhe Isa Mustafa e patën zgjedhur rrugën e marrëveshjes për të shkuar në zgjedhje në Qershor. Marrëveshja e Shën Valentinit të vitit 2014 në mes Mustafës e Thaçit ia mundësoi këtij të fundit që ta konsolidonte fushatën e tij përkundër qeverisjes skandaloze dhe përkundër ardhjes në pushtet për herë të dytë pas procesit zgjedhor shkatërrues të dimrit të vitit 2010. Ia mundësoi edhe një herë zbrazjen e arkës së shtetit për t’i blerë votat e qytetarëve të varfër të Kosovës, vetëm për t’i varfëruar edhe më shumë. Në vend se ta dërgonte në shtëpi si të shkarkuar, Mustafa ia mundësoi Thaçit t’i fitonte zgjedhjet edhe një herë. Këtë marrëveshje e kishte bërë saktësisht tri vite pas marrëveshjes së “zarfit” ku dy të përmendurit më lartë dhe Behxhet Pacolli ishin marrë vesh për mandatin e Presidentes Jahjaga, për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejtë nga populli, për ndryshimet kushtetuese, etj. Edhe pse dihej botërisht se ajo marrëveshje ishte bërë vetëm sa për t’ia lëmuar egon Pacollit të cilit iu mor karrigia e Presidentit, prapëseprapë ishte marrëveshje publike, e përcjellë me foto me fytyra të buzëqeshura të tre politikanëve dhe të Ambasadorit Amerikan e cila u shkel. As Mustafës e as Thaçit nuk iu bëri përshtypje fare shkelja e marrëveshjes, e Pacolli nuk kishte çka të bënte. Pas zgjedhjeve të fundit, Mustafa bëri marrëveshje me Aleancën dhe Nismën dhe e shkeli vet. Ky kapitull është më i freskët në memoriet tona dhe nuk do shumë shpjegim. Por përfundimi është saktësisht i njëjtë. Në vend se ta dërgonte Thaçin në opozite, Mustafa e mbajti në pushtet dhe atë si shef efektiv të vetin (sa për sqarim, shef është ai që mund ta shkarkojë dikë kur të dojë e jo ai që e ka emrin “Shef”). Sidoqoftë, në kohën e Ibrahim Rugovës hiq se hiq, por as në kohën e Fatmir Sejdiut, LDK nuk është shquar me kulturë të pehlivanllëqeve të cilat ia mësoi Isa Mustafa me disa shokë. Qëndrimi në shtëpinë e Pacollit deri në mesnatë vetëm për të mos e lënë që të shkojë në listë me PDK-pavarësisht kush i qiti çajat – apo edhe mbledhjet e gjata me opozitën në kohën kur negocionte me PDK nuk janë asgjë tjetër pos pehlivanllëqe të cilat e kanë një kosto. Njëjtë si duket kishte i ndodhur edhe Fatmir Sejdiut i cili kishte dalë nga zyra e Presidentit me këshilltarin e tij “besnik” pa bërë fare fushatë të brendshme, për të humbur për pak vota nga i njëjti. Isa Mustafa e ka kuptuar koston kur e ka humbur Prishtinën për shkak të pehlivanllëkut te Gazmend Muhaxherit. Ai e di, por aq ia bën. Të gjitha operacionet e tij janë për hir të tij dhe të disa pehlivanëve, jo për LDK e as për shtetin. Nuk janë për LDK sepse nuk bën ta thërrasësh votuesin që të votojë kundër PDK e SHIK e pastaj t’i mbajë të njëjtit në pushtet. Nuk është për shtetin sepse Mustafa nuk mendon për shtetin. Nuk bën sakrificë për shtetin. Në të kundërtën do të kishte lejuar të krijoheshin Forcat e Armatosura në vitin 2013 dhe nuk do t’i kishte nënshkruar marrëveshjet skandaloze në verën e vitit të kaluar. Është definitivisht në interes të Mustafës dhe shokëve, sepse i vë në karrige të pushtetit pavarësisht çka ndodh me LDK, pavarësisht çka ndodh me vendin. I mban larg gjyqit dhe afër tenderëve. Mustafa dhe shokët po e shpenzojnë gjithë kreditin që i ka mbetur LDK nga Rugova. Mustafa e quan gomar një lider të opozitës ndërsa tjetrit ia përmend një akuzë të ndytë serbe për të cilën është shpallur i pafajshëm hiq më pak se nga Tribunali i Hagës. Në periudhën e Mustafës nuk ka ndodhur as liberalizimi i vizave, as Brezovica, as Trepça, as lufta kundër korrupsionit, as depolitizimi i bordeve, as reforma në administratë, as rritja ekonomike, as krijimi i vendeve të punës, as përmirësimi i imazhit të Kosovës në botë. Në kohën e Mustafës ka ndodhur antagonizimi më i paparë në historinë politike të Kosovës; ka ndodhur humbja e territorit te vendit; ka ndodhur marrëveshja për kompetenca ekzekutive për Asociacionin; ka ndodhur ikja e njëqind mijë qytetarëve nga vendi; ka ndodhur tallja e Serbisë me të dhe me Kosovën. Tani është e qartë se Kosovës nuk i duhen as politika e as politikanë si Mustafa. Është po ashtu e vërtetë se ka edhe politikanë tjerë që nuk i duhen skenës politike të vendit sepse nuk i kanë sjellë asgjë të mirë përpos statusit dhe privilegjeve të veta personale. Por Isa me shokë tani është më i ekspozuari. Kosova nuk ia ka borxh pehlivanllëqet askujt.