Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Interesi jetik i Amerikës dhe i Perëndimit në Kosovë  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 20.08.2021 12:32
Blerim-Shala

Me aq dije që kemi për zhvillimet ndërkombëtare, (e ajo është, duhet pranuar, fare modeste,  sepse këndejpari pakkush përcjell ngjarjet ndërkombëtare të cilat nuk janë të lidhura  drejtpërdrejtë me Kosovën), ditëve të shkuara ia mësymë që të bëjmë analizë krahasimtare  në mes të rastit të Afganistanit, ku ashiqare u shënua një dështim historik dhe politik i  Amerikës dhe Perëndimit, dhe atij të Kosovës, i cili njihet, anasjelltas, si shembull i  suksesit politik dhe historik të Amerikës dhe Perëndimit. 

Kështu ka qenë në vitin 1999 (në vitin e çlirimit të Kosovës), kështu ishte edhe në vitin  2008 (kur Kosova u bë shtet i pavarur), kështu është edhe sot e kësaj dite. Megjithatë, nuk pati hezitime ndër ne, gjatë kësaj jave, që edhe në këtë kontekstin kosovar,  i cili njëmend nuk ka gjë të përbashkët me atë të Afganistanit, të imgjinohen pamje dhe  tabllo të largimit të mundshëm të forcave amerikane nga Kosova. 

Madje, pati edhe propozime të ndryshme se si do të duhej ne, qysh tash, të nisnim  përgatitjet eventuale për tu përballur me një sprovë të ngjashme me atë që ndodhi, në  përmasa të një tragjedie katastrofale, në Afganistan. 

U përmend tashmë që këtu para se të gjithash, vjen në shprehje ajo dija jonë krejtësisht e  kufizuar për rrethanat ndërkombëtare, jo vetëm atje larg në Afganistan, por edhe këtu fare  afër, në rajon dhe në Evropë. 

Ballkani Perëndimor si i tillë, ka qenë dhe mbetet interes strategjik i SHBA-së, Aleancës  Veri-Atlantike dhe i BE-së. 

Në fillimet e luftërave të shkaktuara me shkatërrimin e përgjakshëm të ish-RSFJ-së, atje  në vitet 1991-1994, mendohej dhe vlerësohej, gabimisht, në BE, që kriza më e madhe që  shpërtheu në Evropë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ngadhnjimit ndaj Komunizmit  (i cili u sigurua realisht prej SHBA-së dhe Paktit NATO, dhe jo prej BE-së), do të mund të  zgjidhej prej BE-së vet, me përkrahjen e OKB-së, pa ndonjë rol të veçantë të Amerikës dhe  NATO-s. Vet Administrata e Presidentit Bush, në largim e sipër, dhe ajo e Presidentit Bill  Clinton, në fillimet e veta, nuk patën treguar fare interesim që të merren me këtë tragjedi  që prishi ‘Muajin e mjaltit’ të Evropës së bashkuar. 

Megjithatë, në vitet 1994, 1995, nisi angazhimi i mirëfilltë politik, diplomatik dhe ushtarak  i Amerikës dhe i NATO-s, për ta ndalur luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë. U kuptua atëherë që Partneriteti trans-atlantik është kusht pa të cilin nuk bën nëse  dëshirohet të imponohet dhe të mbahet paqja në këto anë të Evropës. Ky Partneritet, siç e dimë të gjithë ne, ishte jetik për t’i hapur udhë zgjidhjes ushtarake dhe  politike të çështjes së Kosovës, në vitet 1998-2008.  

Ky Partneritet zatën bëri që Administrata e Presidentit George W. Bush, t’i mbajë forcat  amerikane në kuadër të Misionit të KFOR-it në Kosovë (me parimin e Collin Powell-it,  Sekretarit të Shtetit, ‘Së bashku kemi ardhë në Kosovë, së bashku do të largohemi’),  megjithë premtimeve gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, për tërheqjen  e tyre nga Kosova.

Administrata e Presidentit Biden, siç u pa edhe nga Samiti i NATO-s dhe ai SHBA-BE, të  mbajtur kohë më parë në Bruksel (në muajin qershor), e ka si vlerë sipërore të veten  ruajtjen dhe fuqizimin e këtij Partneriteti. Ndërsa në Konkluzat e këtyre dy Samitave,  vërehet mirë se cili është relacioni i SHBA-së, NATO-s dhe BE-së ndaj Kosovës dhe në  përgjithësi, ndaj Ballkanit Perëndimor. 

Por tek ne, numri i atyre që janë marrë me Konkluzat e Samitit të NATO-s dhe të atij  SHBA-BE, ku flitet qartë për Kosovën, mund të matet me gishtat e një dore, në krahasim  me dhjetëfishin e atyre që janë të zot të bëjnë vlerësime dhe konkludime kategorike për  gjendjen e tanishme në Afganistan dhe për pasojat për Rendit Ndërkombëtarë të këtij  pësimi (evident) të SHBA-së dhe Perëndimit, në përgjithësi. 

Në anën tjetër, prania ushtarake amerikane dhe e NATO-s në Kosovë, e ka qartë  justifikimin legal ndërkombëtarë përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB së (10 qershor, 1999). Ky status nuk mund të ndryshohet dot (teksa, me motive krejtësisht  të ndryshme, Kosova dhe Serbia nuk janë të interesuar të ketë ndryshim të këtij statusi të  KFOR-it), pa u përmbyllur Rezoluta 1244, e kjo nuk mund të ndodhë dot pa e arritur  Marrëveshjen Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e  marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve. 

KFOR-i, apo NATO, gjegjësisht SHBA-ja si faktori kryesor në Aleancën Veri-Atlantike,  që prej qershorit të vitit 1999, janë garantues të paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit në  Kosovë. 

Kështu do të jetë derisa të mos bëhet Marrëveshja ligjësisht obligative e Kosovës dhe  Serbisë, e cila në thelbin e saj duhet ta ketë njohjen reciproke në mes të dy shteteve. Megjithatë, supozohet që një Mision ushtarak ndërkombëtar do të vazhdojë të qëndrojë në  Kosovë, edhe më pas, për ta ofruar mbështetjen ushtarake për zbatimin e kësaj  Marrëveshjeje. 

Kosova si shtet, dëshiron të bëhet së pari, pjesë përbërëse e familjes së Aeancës Veri Atlantike, pastaj edhe e BE-së, teksa anëtarësimi në OKB poashtu është synim strategjik i  Kosovës. 

Por aktualisht, këto synime legjitime të Kosovës janë të zënë peng nga Status Quo në  raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo nga mungesa e Marrëveshjes Finale politike  midis këtyre dy shteteve. 

Në të kundërtën, po të kishte Marrëveshje Gjithpërfshirëse të Kosovës dhe Serbisë për  normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, gjithsesi me  përkrahjen e madhe të SHBA-së, Kosova do të mund brenda një periudhe afatmesme të  bëhej shtet anëtar i Paktit NATO, gjë që përfundimisht do t’ia ofronte Kosovës atë sigurinë  supreme ushtarake dhe politike. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme