Integrimi i komuniteteve pakicë nuk mund të bëhet përmes dëmtimit të shtetit ku mu ato pakica do të integrohen - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Integrimi i komuniteteve pakicë nuk mund të bëhet përmes dëmtimit të shtetit ku mu ato pakica do të integrohen

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
08.12.2015 09:48

Në Kosovë janë vendosur dy mekanizma për të garantuar atë që quhet “mbrojtje e pakicës nga tirania e shumicës”.

I pari ka të bëjë me pakicat etnike. Një aspekt i mbrojtjes së tyre kushtetuese dhe ligjore është e ashtuquajtura shumica e dyfishtë. Ky mekanizëm garanton se për ndryshime kushtetuese ose për kalimin e legjislacionit ‘vital’, në Kuvendin e Kosovës nevojiten votat e shumicës së dyfishtë të deputetëve të Kuvendit. Kjo do të thotë se përpos shumicës së paraparë me ligjet përkatëse, nevojiten edhe votat e shumicës së deputetëve që i përfaqësojnë komunitetet që mbajnë ulëse të garantuara (Serbët, Turqit, Boshnjakët, Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët).

I dyti ka të bëjë me mbrojtjen e pakicës politike që në gjuhën e përditshme është opozita. Kjo bëhet përmes mekanizmit të shumicës absolute ose e dy të tretave të votave të të gjithë deputetëve. Duke filluar nga zgjedhja e Presidentit të vendit, ndryshimet kushtetuese e deri tek ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare bëhen me dy të tretat e votave të deputetëve. Ky mekanizëm garanton opozitë politike në Kosovë, por garanton edhe ligjshmëri dhe kushtetutshmëri të vazhdueshme përmes pamundësimit pothuajse efektiv të veprimeve të mundshme afatshkurtra të një qeverie.

Në rrethanat ekzistuese, në Kosovë ka opozitë politike por nuk ka opozitë “efektive” të numrave. Kjo do të thotë se në Kuvendin e Kosovës mekanizmi mbrojtës kundër veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë nuk është funksional, kjo për faktin se partitë në pushtet kanë më shumë se tetëdhjetë deputetë të gatshëm për të votuar për politikat e Qeverisë. Me fjalë tjera, Opozita i ka më pak se dyzet deputetë, të nevojshëm për ta bllokuar një marrëveshje apo një politikë jokonsensuale. Në rrethana të zakonshme ky edhe nuk do të kishte qenë ndonjë hendikep. Por, në rrethanat e Kosovës paraqet problem tepër serioz për konsolidimin e shtetit dhe të demokracisë.

Këto rrethana janë të llojeve të ndryshme. E para ka të bëjë me vet aranzhimet kushtetuese të Kosovës. Përderisa pakicat etnike ende e mbajnë të drejtën e vet të vetos, që do të thotë bllokimin e cilitdo legjislacion apo marrëveshje që ato pakica e konsiderojnë të keqe apo nuk e pëlqejnë, në të njëjtën kohë janë mu këto pakica që me ulëset e tyre në Kuvend, në një mënyrë e bëjnë proceduralisht dhe juridikisht të pavlefshme pakicën politike. Mosvënia në votim e ndryshimeve kushtetuese për ta shndërruar Forcën e Sigurisë në Forca të Armatosura është rasti më tipik.

Sidoqoftë, nëse ulëset e garantuara për pakicat janë një aranzhim i pranuar me konsensus, krijimi i një Qeverie që i ka mbi dy të tretat e votave dhe e cila pas vetes e ka një histori qeverisëse nepotiste, korruptive, të kriminalizuar, të shantazhuar e çkamos tjetër, nuk është veprim konsensual.

Është kjo Qeveri ajo që e ka degraduar arsimin aq keq saqë pothuajse me plot të drejtë universitetet quhen “shkolla të natës”. Është kjo qeveri ajo që i ka politizuar skajshëm bordet e ndërmarrjeve publike. Aq keq janë politizuar dhe aq banalisht është politizuar mendësia qeverisëse saqë edhe pse i ka mbi dy të tretat e votave nuk i mjafton një vit kalendarik për ta plotësuar bordin e Agjencisë së Privatizimit.

Është po kjo Qeveri ajo që i ka shndërruar Ambasadat tona në agjenci turistike. Po, po, gati krejt çka bëjnë ambasadat tona është aranzhimi i vizitave të zyrtarëve shtetërorë, më shumë turistike se sa zyrtare. Aq më keq, për shkak të mendësisë klienteliste, jo shtetformuese, gati gjysma e ambasadave funksionojnë me ushtrues detyre të Ambasadorëve. As edhe një vit pas ardhjes në pushtet, kjo Qeveri nuk po mund t’i funksionalizojë ambasadat.

Lista e dështimeve të Qeverisë së më shumë se dy të tretave është e gjatë. Edhe në sferat qeverisëse ku Opozita nuk ka pasur rol, kjo Qeveri ka dështuar. Dhe mu kjo Qeveri provoi t’ia tregojë ligjin Opozitës politike për dy çështje për të cilat në cilindo vend normal kërkohet konsensus. Konsensusi kërkohet për çështje të cilat mund ose do të kenë efekt afatgjatë për vendin, apo për ato procese të cilat mund të jenë të pakthyeshme.

Qeveria e Kosovës nuk e mori fare mundin që të dialogojë me Opozitën para nënshkrimit të Marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe dhe për atë për Demarkacionin me Malin e Zi. Në fillim kjo Qeveri shfaqi arrogancë të numrave; më vonë arrogancën verbale; në fund e shfaqi edhe arrogancën e përdorimit të forcës policore.

Tanimë është më se e qartë se nëse Opozita nuk do të ishte sjellë ashtu siç u soll (veprime të cilat nëse shihen të veçuara si një snapshot mund edhe të kritikohen), sot do të ishim në një situatë tepër të rëndë dhe të pakthim për Kosovën.

Kushdo që ka menduar se duke e krijuar një shumicë politike parlamentare me mbi dy të tretat e votave mund të imponojë çfarëdo aranzhimi ligjor dhe kushtetues, ka gabuar rëndë.

Kushdo që ka menduar dhe vazhdon të mendojë se rruga e integrimit të komunitetit serb në jetën shoqërore dhe politike të Kosovës është përmes zbehjes së kushtetutshmërisë dhe arkitekturës institucionale e shtetërore të Kosovës, prapë ka gabuar rëndë. Kjo rrugë jo vetëm se nuk ndihmon në integrimin e komuniteteve por aq më keq, e rrënon të ardhmen e vendit në të cilin ato komunitete synohet të integrohen. Edhe nëse nuk ka ngjashmëri kushtetuese në mes Kosovës dhe Bosnjës, konceptualisht po ndiqet logjika e njëjtë; integrimi i komuniteteve përmes zbehjes së autoriteteve qendrore shtetërore dhe forcimi i autoriteteve lokale edhe duke i multiplifikuar ato.

Edhe aranzhimet nën tavolinë për pakicën dhe shumicën politike këtë logjikë e kanë pasur.

Qeveria jonë, edhe Kryeministri edhe zv. Kryeministri, kanë dështuar ta kuptojnë këtë gjë. Kanë dështuar, sepse as nuk kanë synuar më shumë se sa ardhja në pushtet dhe mbetja në pushtet, respektivisht.

 

lajme të ngjashme