Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ilir Meta mes zgjidhjes fallco dhe shtetit fallco

123
string(9) "Mero Baze" string(168) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/03/mero-baze-ibrahim-rugova-shqiptari-i-par-euml-q-euml-s-rsquo-u-p-euml-rkul-te-varri-i-enver-hoxh-euml-s_hd-1200x630.jpg"
nga Mero Baze 14.01.2019 20:13

Nëse Ilir Meta mendon se ka shmangur një shtet fallco, duke shkelur kushtetutën, në mosshkarkimin e Ditmir Bushatit dhe emërimin e ministrit të ri, ai nuk duhet të pranojë një zgjidhje fallco, si kjo që propozon kryeministri Edi Rama, e cila në fakt po e poshtëron Ilir Metën dy herë – edhe si President që shkel Kushtetutën, edhe si president që i bëhet e ditur se do të certifkohet si shkelës i Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese dhe pastaj duhet të përballet me përgjegjësitë e tij.

Edi Rama ka bërë gjestin më diabolik të mundshëm për të mos u tërhequr, por për ta zhytur Ilir Metën në paligjshmëri kushtetuese, duke e detyruar të pranojë se ka shkelur Kushtetutën, duke mos e shkarkuar Ditmir Bushatin.

Ai ka poshtëruar Presidentin e Republikës duke e detyruar atë të pranojë një zgjidhje artificiale në pritje të gjyqit të tij kushtetues, duke ia kthyer kundër pikën më të fortë që Ilir Meta po përdor për të shkelur Kushtetutën, mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

Praktikisht, kjo mungesë e ka bërë Shqipërinë një shtet fallco, nga ata që po përdorin mungesën e saj për të shkelur Kushtetutën. Zgjidhja artificiale, deri në pritje të Gjykatës Kushtetuese, është një zgjidhje kundër përpjekjes për t’u sjellë si President i një shteti fallco.

Tani Ilir Meta ka dy rrugë para tij.

E para është ajo që duket dhe më logjikja, që ta shkarkojë Ditmir Bushatin dhe ta emërojë Edi Ramën, Ministër të Jashtëm, por kjo është certifikim i shkeljes së Kushtetutës ndaj tij, në rastin e mëparshëm dhe një arsye që ai duhet të japë dorëheqje, kur Gjykata Kushtetuese ta certifkojë si të tillë.

Rruga e dytë është që Ilir Meta të vazhdojë të thotë se nuk kam dëshirë ta shkarkoj Ditmir Bushatin, pasi në fund të fundit me ato argumente aq qesharake sa ai përdori për të mos e shkarkuar në rastin Gent Cakaj, nuk ka ndryshuar ndonjë gjë.

Edhe Edi Rama shok i Baton Haxhiut është, dhe i Hashim Thaçit dhe të gjitha argumentet që kishte për Gent Cakën vlejnë dhe për shefin e Gent Cakës, përveç faktit që janë qesharake.

Pra, nëse do të jetë serioz nuk duhet ta bëjë as këtë dekretim dhe ta vazhdojë betejën politike për ta përdorur postin e Presidentit për luftë politike, në përpjekje për t’u bërë kryetar opozite.

Bazuar tek mënyra se si u soll një javë më parë, ky qëndrimi i dytë është më normali që duhet të mbajë, pasi ky qëndrim së paku i jep të drejtë politike vendimeve të tij. Nëse e ndryshon, ai certifikon shkeljet kushtetuese që ka bërë me vetëdije, hedh poshtë gjithë argumentet banale që ka përdorur dhe duhet të bëhet gati që në kuadrin e një “No more fake state”, të mos rrijë më në zyrë ditën që Gjykata Kushtetuese do ta certifikojë si dhunues të Kushtetutës.

Kështu që është më mirë të mos e pranojë as Edi Ramën dhe të bëhet heroi i opozitës, pasi siç e ka thënë Bujar Nishani, tani atë e do 80 për qind e shqiptarëve, ose të ik si shkelës i certifikuar i Gjykatës Kushtetuese.

Rasti i Fatmir Sejdiut në Kosovë, i cili dha dorëheqje me dinjitet kur Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje kushtetuese për dy funksionet e tij, edhe si lider partiak edhe si president, është një precedent që Ilir Meta duhet ta ketë parasysh ditën që Gjykata Kushtetuese do shprehet për çfarë ka bërë.

Burrëria është të vazhdojë të zgjedh të jetë si lider i opozitës në Presidencë pasi kështu së paku i justifikon vendimet antikushtetuese si vendime politike, se si president që pranon të certifikohet si shkelës i Kushtetutës, përmes kësaj zgjidhjeje fallco që i ofron Edi Rama, është dhe më qesharak.

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme