Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

I vetëm!

123
string(11) "Rexhep Hoti" NULL
nga Rexhep Hoti 06.09.2018 21:13

1.

Përkufizimi i interesave vitale të kombit dhe shtetit gjithmonë është proces i vështirë. Edhe më e vështirë është mbrojtja e tyre. Mbi të dyja dhe më i ndërlikuar është avancimi i tyre. Për një shtet të sapolindur në gjiun e familjes së shteteve, koha e fillimit është sikurse koha e foshnjës. Ajo është e ndjeshme, e pafuqishme, e pasigurt, vetë moti politik jorrallë është një gaz i shpresës në kohë zhvarrimi.

Në kohën kur ka një kufij të përfundimit të normalizimit prej partnerëve ndërkombëtarë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (2019), Rendi i Sotëm Botëror nuk është bërë i varur dhe i ndërvarur vetëm nga lëvizjet e befasishme të shteteve totalitare, diktatoriale apo autoritare.

Nuk është bërë i tillë as vetëm nga ndikimet e interesave të shteteve të fuqishme e supershteteve në krye me SHBA-në. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, Rendi Ndërkombëtar është duke u goditur befasisht edhe nga shtetet me rotacion tradicional demokratik.

Natyrisht, mendja e etur për mendim politik, por e thirrur edhe për nga natyra e vet, e ka filluar tashmë ndërtimin filozofik të rrëfimit mbi analizën dhe sintezën e stërkeqjes së demokracisë, mbi rrugët dhe shtratin ku duhet ta bëjë gjumin politika. Prandaj, pyetja a po i vjen fundi demokracisë, a po vdes ajo si kryemekanizmi më i mirë i rregullimit të politikave të filozofisë politike për individin dhe kolektivitetin brenda një shteti – është duke i marrë format e trajtimit shumë seriozisht. Në qoftë se i marrim vetëm oscilimet e politikave të jashtme dhe të brendshme të Presidentit Obama dhe të Presidentit Trump, atëherë mund të shihet sa e pafuqishme është bërë demokracia përballë fuqisë së politikave të kapitalit. Në këtë pikë u thye edhe BE-ja me Britaninë e Madhe e mu për këtë arsye mund të ngjiten sërish. Princat e papengueshëm tash më mirë eksperimentojnë se sa që dikur luftonin.

 

2.

Shpërbërja e BRSS-së dhe e RSFJ-së, si një epilog përmbyllës i Luftës së Ftohtë, ishte vetëm akti i parë i ngjarjeve politike që sapo kishin filluar në skenën botërore, pasi u mprehën shpatat për një gjysmë shekulli ndërmjet të dyja blloqeve që i kishte bota. Bashkë me entuziazmin naiv të ftesës për demokraci të shoqërive që sapo kishin dalë nga diktatura, që nga ato të Europës Qendrore e deri te ato Juglindore, radha u kishte ardhur shteteve autoritare.

Ende pa u ftohur krejtësisht Lufta e Ftohtë, filloi Pranvera Arabe. Krahas lëvizjeve të tilla filluan edhe veprimet anësore të ndryshimeve globale. Fundamentalizmi, radikalizmi dhe terrorizmi, u shfaqën sakaq nëpër dhëmbëzoret e braktisur e të pavëmendshëm të Rendit Botëror. Ishte në ligjin e pashkruar të proceseve se Perëndimi i Afërt e i Largët do të mund të goditej gjithashtu pas shembjes së Bllokut Lindor. Tronditjet prej zhdrejtpeshimit të Bllokut të Kuq nuk mund të mos kalonin tutje. Ndonëse në përmasa të kontrolluara, tashmë është duke ndodhur Pranvera e Perëndimit të Afërt e të Largët nga politikat klimatike të mjedisit, te tregjet botërore, te siguria dhe stabiliteti i shteteve dhe bashkësive të tyre, te ekonomia, kultura, bota digjitale, media, shoqëria civile e deri te përkatësia e popujve dhe më shumë. Thjesht, nga një vijueshmëri e partneriteteve mbi parime e interesa, ka filluar trendi i ashpër për interesa me ose pa parime! Ajo është e tillë sot midis princave të Europës dhe kushërinjve tejoqeanikë.

 

3.

Përkundër që shqiptarët e kanë një shtet të sapolindur, kjo kohë dhe ky Rend Botëror është i tyre. Por, çfarë është duke ndodhur në të vërtetë me përmbylljen e madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Në këndvështrimin e faktorit të brendshëm, klasa politike e Kosovës është barrikaduar pa përjashtim së bashku me shoqërinë civile e me mediat që janë tradicionalisht të politizuara në njërën anë, kurse Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës, i vetëm, është në anën tjetër!

Zyrtarisht në mbështetje të tij nuk është e deklaruar as PDK-ja, të cilën e drejtonte dikur. Madje, edhe Ekipi i Qeverisë për Dialog ka qëndrime krejt tjera.

Në shkrimet e mëhershme është bërë e njohur “deridiku” e vërteta e bisedave prapa perdeve prej njerëzve meritorë, miq të mëdhenj, që e kanë mbjellë në tokën e Kosovës pavarësinë dhe sovranitetin e saj. Diçka është bërë e ditur e diçka duket se ende është në proces.

Dhe meqenëse të gjithë janë kundër Hashim Thaçit, dhe në të njëjtën kohë, asnjëri prej faktorëve me peshë politike nuk ka ofruar ndonjë propozim serioz mbi normalizimin e marrëdhënieve me pushtuesin e djeshëm, kjo e bën Presidentin e Kosovës të ketë avantazh në skenën politike. Duket se prapa këtij qëndrimi ekziston një strategji e paramenduar. Dhe lufta e tij edhe e vetme kundër të gjithëve për të ardhmen shqiptare duket se do të japë sukseset e para me ose pa shënim kufijsh.

Në mbështetje të kësaj situate dhe këtij çasti historik është edhe fabula politike e Thaçit nga Rambujeja e gjer më sot. Atdheu i do të gjithë njerëzit e vet njësoj, por jo me të gjithë mund ta ndërtojë syzheun e rrëfimit për ndeshjen e fundit me Serbinë. Ndonjëherë Atdheu flet vetëm me një njeri të vetëm dhe kur të vjen ora e kërkon mendimin dhe vendimin e të gjithëve. Dhe kjo natyrë e Atdheut është diskrecioni i tij i pashkruar!

 

4.

Në qoftë se do të arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në formën e projektpropozimit Thaçi – Aleksandër, ku shënimi i tokave do të përmbyllej “Një me Një”, atëherë marrëveshja do të ketë katër fitues potencialë me radhitje të përshkallëzuar dhe mundës tjerë në po atë formë. Nuk është e mundur kësaj radhe të fitojnë të gjithë. Ose jo ashtu sikurse i kanë planifikuar strategjitë tash e një kohë të gjatë disa prej faktorëve të dashuruar në vetvete. Diçka duhet ndryshuar te partnerët që përkohësisht do të ndihen të mundur. E vërteta është se edhe të mundurit nuk do të jenë humbës. Por, vetëm se bota po e ripozicionon krahun e mpirë ku e ka mbështetur deri më tash. Në këtë drejtim mund të supozohet se:

– Fituesit e parë do të jenë shqiptarët. Janë, rastësisht ose jo, në anën e Lirisë dhe të së Drejtës së Rendit të ardhshëm Botëror. Kosova do ta ketë të garantuar paqen dhe stabilitetin, rrugën e integrimit euroatlantik, të anëtarësimit në gjitha organizatat ndërkombëtare, rrugën e hapur të unifikimit kombëtar. Maqedonia dhe Mali i Zi do të jetë më pranë saj, Greqia do ta ndryshojë për të mirë sjelljen strategjike, politike e diplomatike me shqiptarët. Serbia do t’i nënshtrohet interesit të shqiptarëve për interesat e veta e jo nga frika – ajo, pa ata, nuk mund ta ndërtojë të vërtetën dhe të ardhmen për vetveten, prandaj do të vijë dita kur me krye të ulur do t’u thotë shqiptarëve: “Ju kërkojmë falje!”. Shqipëria do të bëhet më shumë Kosovë dhe anasjelltas, dhe përfundimisht, ideja e Ukshin Hotit, e mendjes politike shqiptare, me Prizrenin, mund të jetë e prekshme për gjithë brezin e sotëm shqiptar, duke i rritur dhe garantuar të drejtat e komuniteteve brenda hapësirave shqiptare, si vlera dhe pasuri që e fuqizojnë dritën e Lirisë së shqiptarëve.

– Fituesit e dytë do të jenë serbët. Fitorja e tyre e parë dhe më e rëndësishmja është se ata do të lirohen nga gënjeshtra dhe identiteti i rremë serb për afro 700 vjet. Serbia do ta ketë të garantuar komunitetin e vet dhe do ta hapë portën për ta unifikuar Republikën Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës me Serbinë. Do ta ketë rrugën e hapur për zhvillim ekonomik dhe në shtratin politik ka shanse reale t’i ketë dy dashuri, me rusët dhe amerikanët. Ajo do ta luajë këtë lojë për dy partnerë strategjikë. Natyrisht, “ndarja etnike” do të jetë më shumë sesa problem serioz në të ardhmen për Serbinë edhe pa Kosovën. Serbia po kërkon ndarje etnike, por vetë nuk është shtet etnik. Vojvodina dhe Sanxhaku janë dy copa të varura mbi kurrizin e saj. Loja politike do të vazhdojë me Serbinë edhe më tutje gjersa ajo të lirohet nga mallkimi dhe mëkati thënë me figurë.

 

(Vazhdon)

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme