I gjithë Ballkani Perëndimor në Paktin NATO 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 20.12.2022 16:08 20.12.2022 16:08 A mund të jesh shtet stabil në Evropë, në aspektin e sigurisë, duke qenë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian, por jo edhe anëtar i Aleancës Veri-Atlantike? Kjo pyetje, tash një vit (në dhjetorin e vitit 2021), mbase, nuk do të bëhej fare. Asush nuk ka mundur të supozojë, dymbëdhjetë muaj më parë, që në Evropë, mund të ketë luftë të mirëfilltë (e jo luftë hibrid), çfarë po bëhet tash e dhjetë muaj në Ukrainë, si pasojë e invadimit të Federatës së Rusisë mbi një shtet sovran. Për Moskën zyrtare të Vladimir Putin-it, që nga ‘Revolucioni demokratik’ në Kijev (dhe në Ukrainë), apo, qysh nga viti 2014-të, të qenit pjesë e BE-së, nuk ka pasur kurfarë dallimi si të jesh anëtar i Paktit NATO. Ukraina brenda BE-së, për Rusinë ka pasur të njejtën domethënie si të qenit shtet anëtar i Paktit NATO. Për Rusinë, BE-ja dhe NATO janë një: Janë Perëndim, ku roli i SHBA-së, në njërën apo tjetrën mënyrë, të drejtpëdrejtë apo të tërthortë, është vendimtar. Kjo zatën u mor vesh gjatë gjithë këtij viti. Po të mos ishte Amerika e Presidentit Biden, Ukraina tashmë do të ishte e okupuar nga Rusia, teksa shteti tjetër të cilit do t’i vërsulej Moska, do të ishte Moldavia. Ndërsa Finlanda do të mund të bëhej gati për ballafaqim ushtarak me Rusinë. Po të mos ndodhte pra Lufta në Ukrainë, çështja e sigurisë dhe e stabilitetit të një shteti evropian, nuk do të shtrohej për trajtim fare, teksa prej 24 shkurtit (të këtij viti), e këndej, kjo (çështje), ka marrë ngjyrime pothuaj dramatike. Në Paktin NATO janë 30 shtete, e në BE, 27 shtete. Dy shtetet e BE-së që kanë aplikuar për të hyrë nën ‘ambrellën e mbrojtjes’ së aleancës Veri-Atlantike janë Finlanda dhe Suedia. Qytetarët dhe Qeveritë e këtyre dy shteteve, nuk kanë menduar fare para një viti, që do të detyrohen me të shpejtë të aplikojnë për anëtarësim në Paktin NATO. Janë vetëm dy shtete që janë në Paktin NATO, e nuk janë në BE: Islanda dhe Norvegjia. Bëhet fjalë për dy shtete, të cilat pa ndonjë telashe politike dhe procedurale do të mund të bëheshin pjesë e BE-së. Sepse dihet që ka edhe shtete të tjera që janë tash e sa vjet në NATO, teksa synojnë (tash e disa vjet, apo madje, për decenie të tëra), të hyjnë edhe në BE. Të tilla janë Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi. Qipro është në BE, por së paku në rrethanat e tanishme, ende nuk do që t’i ngritet flamuri në selinë e Aleancës Veri-Atlantike në Bruksel. Rusia e Putin-it është përpjekur ‘me mish e me shpirt’ (si thuhet), të parandalojë zgjerimin e Paktit NATO me shtetet e Ballkanit Perëndimor në decenien e fundit. Dihet se çfarë kishte bërë krejt Kremlini, përmes ‘Lufës hibride’, që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të mos hyjnë në Paktin NATO. Tri shtetet e mbetura të Ballkanit Perëndimor që nuk janë as në NATO dhe as në BE janë: Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kosova ka vullnet të jetë anëtare edhe e NATO-s, edhe e BE-së. Pak ditë më parë, Kosova edhe formalisht aplikoi për t’u bërë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian. Në vitin e ardhshëm pritet që Prishtina zyrtare të përgatis dosjen edhe për të nisë rrugëtimin për në NATO, fillimisht përmes ‘Partneritetit për paqe’. Në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, zhvillimet në Ukrainë duket që kanë qenë vendimtare që ky shtet të marrë statusin e shtetit kandidat për t’u bërë pjesë e BE-së, teksa prej vitit 2006, ajo është në procesin për të qenë edhe në Paktin NATO. Serbia është pjesë e ‘Partneritit për Paqe’ që nga viti 2006-të, ndërsa nga viti 2012-të, është në negociata për të hyrë në BE. Te dy këto arritje, Serbia realisht ia ka borxh Kosovës: Ajo nuk ka qenë fare e gatshme që qysh 16 vjet më parë të hyjë në paradhomën e Aleancës Veri-Atlantike (kjo ka ndodhë me një intervenim të prerë të Administratës Amerikane të Presidentit George W. Bush, për ta inkurajuar pushtetin e atëhershëm të Serbisë për ta pranuar pavarësinë në ardhje e sipër të Kosovës), dhe poashtu, nuk ka pasë rezultate të duhura për ta nisë udhëtimin kah BE (edhe një herë, kësaj here BE-ja ka dashtë ta shtyjë para në këtë mënyrë pranimin e Serbisë të realitetit në Kosovë). Serbia nuk mund të hyjë në BE, pa e njohur formalisht Kosovën. Kjo dihet në Beograd. Megjithatë, përvoja e një përmbysjeje të madhe që ndodhi këtë vit në Ukrainë, e vë në mëdyshje atë orientimin e njohur të Serbisë për ‘neutralitetin ushtarak’, dhe orientimin politik kah BE-ja. Gjithnjë e më shumë do të kuptohet, si në Serbi, por edhe në Bruksel, që Serbia nuk mund të jetë një shtet stabil, pa qenë njëkohësisht edhe në BE, edhe në NATO. Tek e mbrama, i gjithë Ballkani Perëndimor, nuk mund të qetësohet dhe të stabilizohet një herë e mirë, pa qenë i tëri në hartën e Aleancës Veri-Atlantike.