Graviteti historik dhe Graviteti i BE-së 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 28.05.2017 23:51 28.05.2017 23:51 Portali KoSSev nis një rubrikë të re “Në +38…”, në kuadër të faqes Dialog. Në rubrikën “Në +38…”, kolumnat e tyre javore në muajt në vijim do t’i publikojnë analisti nga Prishtina, Blerim Shala, dhe analisti nga Beogradi Dushan Janjiq (Dušan Janjić). Kolumnat e tyre do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës. Kolumna e parë “Ringjallja e etnonacionalizmit në Ballkan: Efekti shkatërrues i krizës së vonuar ekonomike” – nga Dushan Janjiq, mund te lexohet KETU. Mendimet e shprehura dhe qëndrimet paraqesin mendimet dhe qëndrimet e vetë pjesëmarrësve dhe nuk pasqyrojnë domosdo qëndrimet e donatorit. Versioni në serbisht i kësaj kolumne mund të lexohet KETU. Blerim Shala: Graviteti historik dhe Graviteti i BE-së Filozofi i shquar polak, Leszek Kolakowski, i cili ka njohur shumë mirë mendimin dhe dijen evropiane, poaq sa edhe historinë tragjike të Evropës, ka pasë të drejtë kur ka theksuar në një rast që nuk ka gjë prej gjëje që nuk mund të justifikohet dhe arsyetohet në Evropë: Edhe arritjet më të mëdha humaniste, edhe krimet më të mëdha njerëzore. Dramaturgia e njohur serbe, Biljana Srbljanoviq, e cila njeh shumë mirë historinë tragjike të kësaj ane të Evropës, nëse nuk gaboj, vitin e kaluar në një intervistë theksoi që i vie turp që në Serbi duhet sërish t’i shpjegojë gjërat që janë fare të qarta. Mbase, përpjekja objektive dhe e ndershme për të përshkruar situatën në të cilën jemi në raportet Kosovë – Serbi, bashkon këto dy mendime. Synimi bilateral, rajonal dhe ndërkombëtarë për normalizmin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë ka pësuar goditjet më të mëdha prej janarit të këtij viti e këndej. Shumëkush mund të thotë që në fakt, raportet e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë njohur një përkeqësim të tillë që prej pavarësimit të Kosovës e këndej. Ishin një mori justifikimesh që janë aplikuar, si prej autoriteteve të Kosovës dhe prej atyre të Serbisë, veçmas prej vitit 2012 e tutje, pse është e domosdoshme që të vendosen për herë të parë në historinë e rëndë dhe tragjike të këtyre marrëdhënieve në njëqind vitet e fundit, raportet politike që do të përthekoheshin në kuadër të kategorisë së normalitetit. Ishin poashtu një shumësi deklaratash dhe qëndrimesh të përdorura prej politikanëve të Prishtinës dhe Beogradit, që shquanin qartësinë e këtij procesi: Kosova dhe Serbia ia kanë mësyer të bëhet anëtare të BE-së. Fqinjësia e mirë është kusht për këtë qëllim. Kosova dhe Serbia duhet të shikojnë kah e ardhmja, dhe të mos mirren më me të kaluarën. Duhet hapur një faqe të re në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, etj. etj. Gjithçka, deri para pak muajve, dukej e qartë, stabile, e qëndrueshme, përkundër prapakthimeve të kohë pas kohshme. Por ja që tani, në majin e këtij viti, ajo ndërtesa e bërë me mund dhe me përpjekje të shumta, të te dy palëve, ka nisë t’i ngjajë një godine që është lënë shkret, që është e pabanuar, pa ujë dhe pa rrymë, që shërben për strehim të fantazmave të të gjitha llojeve. Nëse do të vazhdojë të mbizotërojë diskursi aktual në relacionet midis Kosovës dhe Serbisë, kjo ndërtesë do të nisë të prishet. Dhe pastaj gjithçka do të duhej filluar nga e para, ndërsa edhe në Prishtinë edhe në Beograd, të gjithë ata që kanë sadopak dije politike, e dinë fare mirë që nuk ka alternativë tjetër për Kosovën dhe Serbinë, si dy shtete të pavarura, pos që t’i rregullojnë marrëdhëniet në mes tyre. Çka na mbetet tjetër, tek e mbrama? Ndërmarrja gjithsesi e ndërlikuar e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi (sepse duhet të arrihet diçka që kurrë nuk ka ekzistuar në politikën dhe historinë e këtyre dy vendeve dhe dy popujve), është e paracaktuar për dështim, nëse ne i dorëzohemi ‘Gravitetit’ historik dhe politik që na kthenë në vitet e luftës (1998, 1999). Lufta e atyre viteve, nëse do të jemi të sinqertë ndaj njeri-tjetrit, na ka ndarë një herë e përgjithmonë. Nga pikëshikimi i asaj lufte, në mes nesh është një humnerë aq e madhe, e mbushur tragjedi dhe shkatërrim, saqë nuk ka ‘konstrukcion’ ndërtimor dhe politik që do të mund sërish të na lidhte. Është e kotë kjo punë. Madje, është edhe e turpshme. Nuk mundemi tani, 18 vjet pas përfundimit të saj, t’i kthehemi diskursit politik dhe mediatik që përcolli atë luftë, që shkaktoi atë luftë, që krijoi rrethanat kur thuaja e gjithë Bota u mor me imponimin e paqes në Kosovë. Ringjallja e kësaj qasjeje politike dhe mediatike, është e tmerrshme, ndërsa nëse këtu i kthehem atij mendimi të jashtëzakonshëm të Kolakowskit, s’do mend që edhe ky prapakthim, apo, dorëzim para ‘Gravitetit historik’, do të mund të shpjegohej në dhjetëra mënyra. Megjithatë, aftësia e një udhëheqësie, e një lidershipi është që të mos i nënshtrohet rrethanava të këqija që mund madje edhe të trondisin një skenë politike. Ta zëmë, nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian i sotëm, nuk është ai i viteve 2012-2013, kur dialogu i Brukselit ka bërë hapa të mëdhenj përpara në raportet Kosovë – Serbi. Gjithashtu, zhvillimet historike dhe politike të këtyre tri viteve të fundit, nuk i kanë shkuar fare për shtati këtij procesi. Kërcënimi i terrorizmit, kriza e refugjatëve, mësymja e popullizmit në demokracitë perëndimore, problemet evidente ekonomike në Evropë pas vitit 2008, të gjitha këto dukuri kanë lënë gjurmë të thella në Kosovë dhe në Serbi. Kosova dhe Serbia, pastaj, janë në kërkim të stabilizimit të identitetit të tyre politik dhe ndërkombëtar. Kosova synon të bëhet shtet i qëndrueshëm ndërkombëtarisht, duke ecur në proceset integruese në BE (para një viti Kosova ka arritë Marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, përmes MSA-së, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit), për të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Kosova, natyrisht, dëshiron të bëhet shtet anëtar i OKB-së. Serbia gjithashtu ia ka mësy anëtarësimit në BE. Kosova hiç se hiç, por as Serbia, nuk kanë alternativë për BE-në. Skeptikët do të mund të shtonin këtu që këtë duhet ta kuptojmë jo vetëm ne, por edhe vet shtetet e BE-së. Bashkimi Evropian, përkundër të gjitha problemeve me të cilat po ballafaqohet viteve të fundit, paraqet për Kosovën dhe Serbinë tërësinë e vlerave politike, ekonomike, sociale, qytetëruse (tek e mbrama), të cilat nuk mund të zëvëndësohen dot këndejpari me një katalog vlerash të tjera. ‘Graviteti’ i BE-së, i këtyre vlerave, është llogaritur, që prej vitit 2012 e këndej, si forcë e madhe shtytëse për Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet. Megjithatë, dobësimi i kësaj force dhe ri-kthimi i atij ‘Gravitetit’ të historisë tragjike, po ndidkon që ne të ecim mbrapsht në ndërmarrjen e bisedimeve. Është ky një drejtim shumë i rrezikshëm për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë. Këtë duhet ta dimë të gjithë ne. Ndërsa njëmend është e turpshme që sërish duhet t’i shpjegojmë këto gjëra. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.