Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

God save the King. From Harry and Meghan

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 04.02.2023 09:46

Pakkush e di këtë fakt: Në Botë janë gjithsejt 43 mbretëri. Në Evropë janë dymbëdhjetë të tilla.

Por, Bota e lume e njeh, në mënyrë të mirëfilltë, vetëm njërën prej këtyre mbretërive. Atë që quhet: Mbretëria e Bashkuar. E cila i jep atë emrin tjetër shtetit që e dimë si Britania e Madhe.

Çka është një mbretëri, e kemi të qartë të gjithë. Apo, supozojmë që e kemi të qartë.

Një Zot është në Qiell, një Mbret është në Tokë  (apo, në atë shtet të organizuar si Mbretëri), dhe aty është edhe një popullatë.

Mbreti është Zot në një shtet dhe për një popull. Për shekuj të tërë, ka qenë njëmend Zoti që ka vendosur për gjithçka në një vend, por në dy shekujt e fundit, roli i tij është ai i një Zoti simbolik në organizimin e një shoqërie. Për këtë shkak, jeta e një mbreti a një mbretëreshe duhet të jetë sa më e qetë, sa më larg syve të opinionit  (pos në rastet e paracaktuara për vëmendje të qytetarëve), dhe pa telashe të mëdha.

Njerëzit që ende besojnë në mbretëri, mendojnë që ashtu si jeton një mbret apo një mbretëreshë këndejpari, në Tokë, ashtu të gjithë njerëzit e mirë do të jetojnë në Qiell. Në atë Perandorinë e përbashkët, të prirë nga Zoti.

Këtë fakt e dimë të gjithë: Elizabeth II ka qenë për decenie të tëra, më sakt për shtatëdhjetë vjet të plota, Mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar.

Ta merrte mendja që ajo është e pavdekshme, si njeri, teksa, gjithsesi ishte tepër e përgjegjeshme, shumë e matur, e kujdesshme dhe e heshtur, si mbretëreshë.

Por, siç është dëshmuar më së miri në serialin televiziv ‘The Crown’ në Netflix, familja mbretërore ka telashe të njejta si një familje e zakonshme. Megjithatë, këto probleme nuk do të duhej të ishin për konsum të opinionit publik. Ato, do të duhej të zgjidheshin pa bujë të madhe, pa zhurmë mediatike, pa u bërë, si thuhet ndër ne, ‘gaz i Botës’.

Në Mbretërinë e Bashkuar kështu ishte pak a shumë deri në mbërritjen në Shtëpinë Windsor, të Diana Spencer, e cila me martesën me Princin Charles, në vitin 1981, mori titullin e Princeshës së Wales-it.

Merita e saj kryesore ishte që ajo arriti ta ‘përkthejë dhe përshtatë’ Mbretërinë e Bashkuar në rrethanat e kohës.

Shumë vite pasiqë ajo vdiq në një aksident trafiku në Paris  (në vitin 1997), një femër tjetër mbërriti në Shtëpinë Windsor me pretendimet për ta zënë këtë vendin bosh të lënë prapa nga Diana.

Meghan Markle, e cila me martesën me Princin Harry  (të birin e dytë të Princeshës Diana), u bë Dukeshë e Sussex-it, me pretendime evidente të bëhet Dukeshë e Suksesit, u shfaq me ‘programin softwarik’, të quajtur Diana 2.0.

Një aktore gjysmë e arrirë në karierën e saj, ia mësyu të bëhet një regjisore e mirëfilltë e jetës dhe veprës së burrit të saj, Princit Harry.

Meghan, përmes Harryt, deshi ta kthejë Oborrin mbretëror në një Hollywood, nëse jo edhe në një Reality Show, të llojit të ‘Big Brother’.

Ta merr mendja, në rikujtim të asaj të moçmes, ta bëjë Monarkinë ‘Sex, drugs, rock’n’roll and monarchy’.

Por, Meghan mbërritë në familjen mbretërore vonë, shumë vonë. Rolet kryesore në të tashmen dhe të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar tashmë ishin të ndara, sa i përket trashëgimisë. Princi Charles ishte në pritje të detyrës së Mbretit, i biri i tij i madh William, do të bëhet mbret, kur t’i vie radha, dhe kështu me radhë.

Megjithatë, në show-business, Meghan Markle e dinte mirë  (se tek e fundit vinte prej kësaj Bote, ku suksesi është njësia e vetme matëse e vlerës tënde individuale), që ajo dhe Prince Harry, mund ta bëjnë namin, dhe ta materializojnë skajsshmërisht sanksionimin e hasur në linjë të trashëgimisë në familjen mbretërore.

Një herë u bë seriali dokumentar në Netflix, e pastaj, Harry botoi librin ‘Spare’  (apo ‘Rezerva’, në gjuhën shqipe), pak javë më parë, që është shitur në miliona kopje.

Në këtë mënyrë ai dhe Meghan Markle rrëmbyen apo pushtuan vëmendjen e thuaja gjithë Botës, dhe fituan para dhe famë.

Harry shiti veten dhe jetën e familjes së tij për dhjetëra miliona funta. A më shumë  (kur të bëhet llogaria e përfundimtare).

Harry në librin e tij ‘Spare’, na paraqitet herë si Romeo, (me dashurinë e tij për Meghan Markle), herë si Rambo, i cili në Afghanistan, në uniformën e Ushtrisë britanike, vret dhjetëra talibanë, e herë si Abeli biblik, i cili vritet  (gjegjësisht, rrihet në këtë rast), nga vëllau i tij i madh Caini.

Natyrisht, familja mbretërore është e detyruar të hesht ndaj gjithë kësaj rrëmuje të krijuar nga Harry dhe Markle, apo, Bonnie dhe Clyde bashkëkohor të show businessit.

Heshtja është virtyt dhe obligim i trashëguar i Mbretit Charles III.

Që prej se Meghan Markle ‘ateroi’ në familjen mbretërore, mediat britanike, të prira për të thjeshtësuar dukuritë e ndërlikuara me një fjalë, kanë folur për Megxit-in, në vijim të Brexit-it  (daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian).

Megxit, apo largimi i Harryt dhe Meghan nga obligimet e tyre të lidhura me Oborrin mbretëror, ndodhi në fillim të janarit të vitit 2020.

Ky lajm do të koincidojë me shpërthimin e Covid-it në Botë.

Sidoqoftë, Harry dhe Meghan u bënë më të famshëm dhe më të pasur si kurrë, duke e sharë dhe trivializuar familjen mbretërore.

Kush në këtë Botë nuk do të merrej me ta, po të mos vinin nga kjo familje.

Thonë që hymni i Mbretërisë së Bashkuar ka përjetuar një ndryshim të vogël në tekst.

Tash thuhet: ‘God save the King. From Harry and Meghan’.

 

 

 

 

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme