Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gjykata Ndërkombëtare Penale duhet ta hetojë krimin e gjenocidit në Gaza

123
string(13) "Jeremy Corbyn" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/11/Jeremy-Corbyn-e1699443057638.jpeg"
nga Jeremy Corbyn 08.11.2023 13:22
Jeremy Corbyn

Ishte fillimi i vitit 2013 kur për herë të fundit e kam vizituar kampin e refugjatëve, Al-Shati. I vendosur në bregdetin mesdhetar në veri të Gazës, Al-Shati ndryshe njihej si “Beach Camp”. Shitësit shisnin fruta nën çadra shumëngjyrëshe. Macet flinin në mes të rrugicave të ngushta. Fëmijët përpiqeshin të kërcenin mbi litar hijeve.

“Beach Camp” u krijua në vitin 1948 pasi 750 mijë palestinezë u zhvendosën me forcë në Nakba. Fillimisht, kampi strehoi rreth 23 mijë refugjatë. Në shtatë dekadat pasuese, ky numër u rrit në 90 mijë brenda 0.5 kilometrave katrorë – apo me dendësi të popullsisë 70 herë më shumë sesa qendra e qytetit të Londrës.

Njerëzit në Gaza kanë qenë duke jetuar nën një bllokadë për 16 vjetët e fundit dhe okupatori izraelit kontrollon pjesën më të madhe të asaj që hyn dhe del nga Gaza. “Beach Camp” nuk dallonte – dhe njerëzit atje për të mbijetuar, kryesisht mbështeteshin në ndihmën dhe shërbimet nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët (UNRWA), duke përfshirë një qendër shëndetësore, një qendër shpërndarjeje ushqimore dhe disa objekte shkollash.

Shkolla fillore e “Beach Camp” ishte e mirëmbajtur bukur. Unë lejohesha që të ngjitesha në çati, ku mund të shihja murin me Izraelin në njërën anë. Jashtë në det ishin disa varka patrullimi izraelite që pengonin peshkatarët palestinezë të lundronin më shumë se 9.5 kilometra detare.

Shkolla udhëhiqej nga mësues frymëzues dhe punëtorë, filozofia e të cilëve ishte krijimi i një atmosfere të qetë për zbulim, muzikë, teatër dhe art. Disa prej nxënësve më treguan punën e tyre. Shumë ishin vizatime të avionëve, rrethojave dhe bombave. Por gjithashtu kishte edhe vizatime të tjera: të prindërve, vëllezërve, motrave dhe miqve të tyre. Të gjithë fëmijët, padyshim, kishin një traumë, por ata gjithashtu kishin një dëshirë për të mësuar, për të ndarë me të tjerë dhe për të luajtur.

Më 9 tetor, dy ditë pas sulmit të mjerueshëm nga Hamasi në jug të Izraelit, kishte raportime për një sulm ajror izraelit në “Beach Camp”. Ky nuk ishte sulmi i parë në kamp. Në maj 2021, së paku 10 palestinezë, tetë prej të cilëve ishin fëmijë, u vranë nga një sulm ajror. Nuk ishte as i fundit. “Beach Camp” përgjatë tri javëve të fundit ka qenë në vazhdimësi i shënjestruar.

Kur dëgjoj lajmet për bombardimet në Gaza, mendoj për atë shkollë në “Beach Camp”. Nuk e di nëse ende është aty. Nuk e di nëse ata fëmijë dhe mësues janë ende gjallë. Nuk e di.

Ushtria izraelite ka hedhur 25 mijë tonë bomba në një rrip të vogël toke, të populluar nga 2.3 milionë njerëz. Nuk ka asnjë kuptim që ata po përpiqen të shmangin vdekjet e civilëve. Më shumë se 9 mijë e 900 njerëz në Gaza janë vrarë, duke përfshirë më shumë se 4 mijë e 800 fëmijë.

Të mbijetuarve që janë ende nën rrethim po u mbarojnë mjetet bazë të mbijetesës: uji, karburanti, ushqimi dhe ilaçet. Mjekët po kryejnë operacione pa anestezion. Nënat po shikojnë foshnjat e tyre duke luftuar për mbijetesë në inkubatorët të cilëve po u soset energjia elektrike. Njerëzit janë të detyruar të pinë ujë të detit. Më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Sulmi i Hamasit, që la të vrarë 1 mijë e 400 izraelitë dhe mori 200 pengje, ishte i tmerrshëm dhe duhet dënuar. Viktimat dhe pengjet janë të rinj që donin të dëgjonin muzikë. Ata janë mbesa dhe nipa. Ata janë stilistë bizhuterish. Ata janë punëtorë fabrikash. Ata janë aktivistë të paqes. Dhimbja dhe ankthi që ndiejnë familjet e tyre do të zgjasë përgjithmonë.

Kjo nuk mund të justifikojë bombardimet dhe vdekjen nga uria ndaj popullit palestinez, i cili po dënohet për një krim neveritës që nuk e ka kryer. Pas tmerrit, ne kemi nevojë për zëra për shtensionim dhe paqe. Në vend të kësaj, politikanët gjithandej botës vazhdojnë t’i japin qeverisë izraelite dritën jeshile për ta lënë të vdesë urie dhe ta vrasin popullin palestinez në emër të vetëmbrojtjes.

Çdo person në Gaza ka një emër dhe një fytyrë; ne pikëllohemi për foshnjat në inkubatorë po aq thellë sa pikëllohemi për burrat e moshës së mesme që vriten duke kapërcyer rrugën. Në çdo rast, ne qajmë vjedhjen e jetëve të bukura, jetëve krijuese. Artistët, pikturat e të cilëve nuk do t’i shohim kurrë. Këngëtarët, këngët e të cilëve nuk do t’i këndojmë kurrë. Autorët, librat e të cilëve nuk do t’i lexojmë kurrë. Kuzhinierët, kunafat e të cilëve nuk do t’i hamë kurrë. Mësuesit, mësimet e të cilëve nuk do t’i mësojmë kurrë.

Për aq kohë sa mund të mbaj mend, Gaza është shndërruar në ekranet tona televizive në një vend rrënojash dhe dëshpërimi, por nën rrënoja janë themelet e qeta dhe të jashtëzakonshme të njerëzimit tonë të përbashkët. Xhirot e kafeve të mëngjesit, dushet e nxehta, udhëtimet për blerje, lojërat me letra dhe historitë para gjumit. Miqësitë, zemërthyerjet, dashuria, zhgënjimi, pikëllimi dhe pasiguria. Shkollat, xhamitë, teatrot, universitetet, bibliotekat, këndet e lojërave dhe spitalet. Shpresat, ëndrrat, frikërat, shqetësimet dhe gëzimet. Ne nuk jemi vetëm dëshmitarë të vdekjeve masive. Jemi dëshmitarë të fshirjes së një kulture të tërë, një identiteti dhe një populli.

Gjykata Penale Ndërkombëtare e përcakton gjenocidin sipas disa kritereve. Gjenocidi mund të kryhet duke vrarë, duke shkaktuar dëmtime të rënda trupore ose mendore, duke shkaktuar qëllimisht kushte të jetës që llogariten të sjellin shkatërrim fizik, duke vendosur masa që synojnë të parandalojnë lindjet ose duke transferuar me forcë fëmijët. Në çdo rast, duhet të ketë një qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar.

Më 2 nëntor, shtatë raportues të posaçëm të OKB-së thanë se “mbesin të bindur se populli palestinez është në rrezik të madh të gjenocidit”. Kjo pasoi me dorëheqjen e Craig Mokhiber, drejtorit të zyrës së OKB-së në Nju Jork, i cili i karakterizoi tmerret në Gaza si një “rast libri i gjenocidit” që synonte “shkatërrimin e përshpejtuar të mbetjeve të fundit të jetës indigjene në Palestinë”.

Në letrën e tij të dorëheqjes, ai iu referua “masakrim me shumicë të popullit palestinez… bazuar tërësisht në statusin e tyre si arabë”, si dhe konfiskimin e vazhdueshëm të shtëpive në Bregun Perëndimor. Ai theksoi “deklaratat eksplicite dhe qëllimin nga udhëheqësit në qeverinë dhe ushtrinë izraelite”.

Ai nuk citoi një qëndrim specifik, ndoshta sepse ka shumë për t’u futur brenda letrës. Ai do të mund t’i referohej ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir i cili postoi se “përderisa Hamasi nuk i liron pengjet në duart e tij – e vetmja gjë që duhet të hyjë në Gaza janë qindra ton eksplozivë nga Forcat Ajrore, asnjë gram ndihme humanitare”. Apo ndoshta ai po i referohej Galit Distel Atbaryan, një deputeti nga partia qeverisëse e Izraelit, Likud, i cili bëri thirrje që Gaza të “fshihej nga faqja e dheut”.

Gjenocidi është një term që duhet përdorur me kujdes. Ka shumë tmerre në histori që janë mjaft të tmerrshme në kushtet e tyre, pa e garantuar atë etiketë. Termi ka një përkufizim ligjor, një bazë ligjore dhe implikime ligjore. Prandaj, kur ekspertët ndërkombëtarë të kësaj fushe na paralajmërojnë për gjenocid, duhet të ulemi dhe të dëgjojmë. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm, i ndjekur nga një hetim urgjent nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk duhet vetëm të hetojë krimin e gjenocidit, por secilin krim lufte që është kryer nga të gjitha palët gjatë muajit të fundit. Qeveria e Britanisë së Madhe e ka autoritetin dhe përgjegjësinë për të bërë thirrje për hetim. Deri tash ajo ka refuzuar që të bëjë thirrje për zbulimin e mizorive të kryera para syve tanë. Errësira në Gaza mund të jenë të përkohshme, por mosndëshkimi është i përhershëm dhe qeveria jonë vazhdon t’i japë ushtrisë izraelite mbulesën që i nevojitet për të kryer krimet e saj në errësirë.

Ne do të vazhdojmë të demonstrojmë për aq kohë sa duhet për të arritur një armëpushim. Për të siguruar lirimin e pengjeve. Për të ndalur rrethimin e Gazës. Dhe, për t’i dhënë fund pushtimit. Ne i bëjmë këto kërkesa sepse e dimë se çfarë është në lojë: kurioziteti, kreativiteti dhe mirësia e popullit palestinez.

Më kujtohet kur ktheheshim në shtëpi nga shkolla, kalonim kah një sipërmarrje ushqimore në rritje. Sipërmarrja kishte blerë 50 hektarë të një ish-vendbanimi izraelit. Të gjitha ndërtesat ishin shkatërruar nga ata që ishin larguar që atëherë – dhe palestinezët i kishin kthyer mbeturinat në një kooperativë. Së shpejti, më patën thënë, do të rriteshin ullinjtë dhe frutat.

Unë kurrë nuk do të heqë dorë nga shpresa se këta ullinj dhe fruta do të rriten. Njerëzit e Gazës më kanë dhënë gëzimin, ndjeshmërinë dhe humanizmin e tyre. Një ditë, shpresoj se mund t’ua kthej atyre – në një Palestinë të lirë dhe të pavarur.

Jeremy Corbyn është anëtar i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

Artikull i publikuar në AlJazeera, përkthyer nga KlanKosova.tv.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme