Gjendja agorave shqiptare është dramatike. Gjuha që përdoret – në çdo formë të saj, qoftë brutale apo si metaforë kuazi-intelektuale – i përngjan një gazi të veçantë toksik që mbush masat me energji urrejtëse e (vetë)shkatërruese por i lë gjallë sa për të vuajtur. Analizë gjuhës së një mentaliteti agresiv.

22:25, 10 Maj 2019 Autor: Xhemal Ahmeti

Ku s’ka akt, s’mund të ketë kualifikim e më pak gjykim veprimi. Përndryshe do të thotë se shoqëria që përdhos nate-ditë këtë parim, qoftë vetëm sferave publike, është Tabir Saraji Ismail Kadaresë. Ai Pallati që deshifronte ëndrra për të zbuluar rebelin, të cilit pastaj sekti i asasinëve ia hiqte kokën me «hanxhare», gjersa ai sajonte ëndrrat e radhës. Në shoqëritë ku sundon shteti, ligjet, sidomos në ato të iluminuarat si këto perëndimoret e kontinentit, rrëfimin e Kadaresë nuk ia besojnë si realitet as shekullit tetë e lere më ditëve të sotme. Sapo e suspendojmë nga skena e referimit tonë oksidentalin tashmë të përhumbur galaksisë radiokratike të virtualitetit transhuman, e dimë se shumica e shoqërive të kësaj bote, ato që sundohen nga diktatura e tirani janë Tabir Saraje, që as klasiku i prozës panevropiane Kadare s’di t’i shkruaj aq tmerrshëm si ç’janë de facto.

Fat kanë shqiptarët që ikën nga diktatura të tilla? Po dhe jo. Pse?

II.

Ka filozofë që besojnë se gjuha jo vetëm që përshkruan realitete por edhe i konstrukton ato (Judith Buttler). Pati të atillë që ishin më modestë se sa gender-gurutë ultrakonstruktiviste dhe u sollën më modest karshi madhështisë dhe efekteve të gjuhës në veprim e sipër. Këta krijuan të ashtuquajturën paradigmë me emrin Speech-act theory. Linguistët pragmatikë, thanë se gjuha jo vetëm përshkruan por edhe vepron, shkakton veprime, akte konkrete që ndikojnë jo vetëm në zonat psikike të njeriut, por edhe në materien vetë, në sjelljen e tij fizike (John Langshaw Austin dhe John Searle). Domethënë, sipas kësaj teorie ajo nuk parapërcakton mashkullinë apo feminitetin e biospecieve, mirëpo patjetër se ndikon në formimin, sjelljen dhe me një fjalë funksionimin onto-teleologjik të atyre që e konsumojnë.

Nëpërmjet një ekskursioni mental etapave të historisë si ajo e fashizmit, nazizmit; me një ridëgjim të fjalimeve të populistëve aq të shumtë të sotëm perëndimit e lindjes ose edhe më afër; me një analizë të predikimeve të imamatit shqiptar viteve të fundit do të kuptojmë se ç’mund të shkaktojë gjuha e dikujt – divizione njerëzish që shkojnë e vriten luftërave të huaja!

Se gjuha nuk është mjet i njëjtë me lopatën që fut në pleh dhe e shpërndan cepenëcep të kopshtit është e qartë edhe pa qenë i kulturuar apo? Jo, thotë Petra Gehring, në studimin e sapodalur të saj «Fuqia fizike e gjuhës» (Campus 2019). Ajo madje implikueshëm thotë atë që thamë edhe ne në hyrje të këtij eseu: në shoqëritë pa sisteme arsimimi iluminator dhe ku si vlera nuk mbizotërojnë të drejtat e njeriut; në sisteme ku nuk sundon shteti ligjor dhe ky i tipit neoliberal që njohim këndej perëndimit, gjuha (si shprehje) vazhdon të mbetet ndër mjetet më efikase ekzekutore ndaj gjithë atyre që nuk rreshtohen në safin e duhur që ia dikton politika, mendësia, ideologjia e vendit ku banon.

III.

I përgjigjemi pyetjes së paragrafit të parë njëherë me Po-në, ngase: Shqiptarët ikën nga diktatura të atilla që kultivonin Tabir Saraje – institucione të shtetit, aparate që vepronin në shërbim të dekodimit të ëndrrës së Tjetrit për ta improvizuar shkakun e ekzekutimit të tij. Me Jo i përgjigjemi pyetjes së paragrafit të parë ngase: sistemi i Tabir Sarajeve iku, por fatkeqësisht nuk morri me vete edhe Qorrfermanët e tij! Sistemi iku, mnedësia mbeti.

Kur themi Qorrfermanët për ç’kategori e kemi fjalën? Për atë «budallain e Facebookut të Edi Ramës», që dikur nuk e njihte as shtëpia e tash është ylli me mijëra ndjekës – edhe më budallenj se ai? Jo. E kemi fjalën për ata me përgjegjësi publike; për gazetarin, politikanin, shkrimtarin, profesorin, nëpunësin e shtetit, parlamentarin, e kemi fjalën për gjithë ata që për shkak të profesionit apo pasionit kanë zgjedhur role që ndikojnë në sjelljet e masave. E kemi pra me ata që janë të detyruar gjuhën ta prodhojnë si rezultat reflektimi e jo si bagël toksike instinkti, apo emocioni të përdhosur.

Nga vjen kjo trajektori e çuditshme e këtij tipi masiv shqiptar – tipit të Qorrfermanit? Në vend se shteti, institucionet e arsimit, politikanët dhe akademikët, gazetarët dhe intelektualët të jeni poli i kundërt i mizërisë psikasasine rrjeteve sociale, ata janë fabrikantët kryesor të tyre; ku njerëzit theren, vriten, shpallen tradhtarë e patriotë, komunist e çetnik, ekzekutohen, përgatiten për xhihad apo për atentate, shndërrohen në turma kampanjash linçuese apo edhe për tu hedhur vetë nga ballkoni.

III.

Njëra nga përgjigjet më të shpeshta ndaj kësaj gjendjeje është ajo që thamë kur cituam filozofen gjermane Petra Gehring: mungesa e kulturës, iluminimit, pa këto nuk të shpëton korniza, sistemi politik i cili del i pazbatueshëm në shoqëri si tonat, nëse nuk gjen përmbajtjen adekuate. E tragjedia që del nga ky minihulumtim yni është se shoqëritë tona s’ka kush i iluminon, respektivisht s’ka personel të mjaftueshëm me kulturë qoftë vetëm deri në atë stad që së paku gjuhën ta prodhonte si produkt reflektimi e jo si valë toksike për helmimin e psikës së masave. Shumica absolute – e kam fjalën për ata me përgjegjësi publike – prodhojnë gjuhë të helmët. Pseudoagorat – virtualet edhe ato politiket – vrasin me gjuhë çdokënd, e verbojnë, terrorizojnë me primitivitetin e tyre çdo një sy që sheh botën ndryshe nga ata. Mentaliteti publik e në sundim e sipër nuk jep asnjë shenjë se dallon veprimin nga mendi, mosveprimin nga akti, ngase gjithçka që e thotë vetë beson se është akti i mjaftueshëm për ta shpallur tjetrin femër edhe duke qenë mashkull, ta vrasë tjetrin se paska parë ëndrra në ….

Kësaj i thonë krizë. Në relacion me ardhmërinë e një vendi, njëra nga krizat më themelore të saja, shumë më vendimtare se çdo metër katror që jepet apo merret.

 

Lajme të tjera