Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gjakova is the new (and better) Korça!

123
string(13) "Ermal Hasimja" string(58) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/11/ermal.jpg"
nga Ermal Hasimja 22.11.2021 11:38

Në 1978, kur isha ende 3 vjeç, ime më, mësuese historie, solli në shtëpi një hartë të Shqipërisë. Harta drejtkëndëshe nuk mund të shmangte edhe trojet jashtë kufirit. I pari nocion gjeografik që mësova ishte “Gjakova e dajës Musa”. Tiranën e gjeja në hartë vetëm 2 vjet më pas. Musa Sheremeti ishte vëllai i gjyshes sime. E ndarë prej familjes pas kalimit në Shqipërinë komuniste, gjyshja ime e pa vëllain vetëm pas 40 vitesh, pa mundur ta njohë realisht për shkak të Alzajmerit.

Unë kam qenë në Gjakovë për herë të parë në 1999. Më la përshtypjen e një qyteti të trishtë, të vrarë, të ftohtë e të pashpresë. Kjo fytyrë e qytetit binte ndesh me gjithë gjakovarët punëtorë, energjikë e të qeshur me të cilët lidhet familja ime: Hasimja, Sheremeti, Malazogu, Kryeziu, Komoni, Polloshka, Bytyçi, Koshi, etj. Të njëjtën përshtypje e kam patur deri tani.

Fundjavën e shkuar vizitova prapë Gjakovën. Kësaj rradhe gjeta një qytet tjetër, një qytet që përputhej me frymën dhe energjinë e njerëzve. Kurrë nuk e kam ndjerë veten kaq gjakovar!

Qyteti ka ndryshuar nga pikëpamja e infrastrukturës, arteret e qarkullimit janë hapur e të tërheqin, Çarshia të thith me ndriçimin, stilin dhe gjallërinë, njerëzit kanë investuar në dyqane, kafe e restorante. Qyteti jeton e punon.
Menjëherë m’u kujtua Korça. Deri përpara 10 vitesh Korça me njerëzit më të ëmbël e të edukuar në Shqipëri ishte një prej qyteteve më të varfra të vendit. Në dhjetor 2010 i kam rënë 2 herë në këmbë qytetit pa mundur të gjej një restorant hapur për darkë. Në 20.00 të mbrëmjes e gjithë Korça mbyllej brenda në shtëpi.

Korça e sotme është krejt e kundërta. Qyteti ka ndryshuar pamje sidomos me rindërtimin e Pazarit dhe investimet e shumta private në këtë zonë. Restorantet e Korçës sot kanë nxjerrë në pak kreativitetin tipik korçar. Nëse një lexues i këtij shkrimi po mendon tani se duhet të shkojë në Korçë fundjavën tjetër me shumë gjasë do të zhgënjehet: Korça është i vetmi qytet në Shqipëri ku hoteli duhet rezervuar të paktën një muaj më herët.

Gjakova mund të mësojë prej Korçës. Njësoj si Korça, Gjakova është djep i shpirtit shqiptar, me dallimin që Gjakova ka shumë më tepër histori për të rrëfyer. Korça mbështetet sidomos te Voskopoja me akademinë, kishat e manastiret e saj, 40 minuta larg, për të shkuarën e vet kulturore të shekujve të mëparshëm. Fytyra e sotme e Korçës është gdhendur kryesisht përpara 100-120 vitesh. Ndryshe prej saj, Gjakova e ka historinë në çdo kënd: që prej periudhës romake e deri më sot. Në Gjakovë kalojnë dejet e qytetërimit shqiptar, aty u zhvillua beteja e parë për pavarësinë e ardhshme të Shqipërisë, sulmi mbi sarajet e Abdullah Pashë Drenit dhe vrasja e Maxhar Pashës. Prej aty u futën në historinë dhe identitetin tonë Gjon Nikollë Kazazi, Abdurrahim Buza, Ali Podrimja, Avni Mula, Bajram Curri, Sulejman Vokshi, e qindra të tjerë. Brezave të rinj me indiferencë ndaj historisë Gjakova u përshfaqet sot me Shkëlzen Dolin e Lorik Canën.

Por çfarë i mungon Gjakovës për të përsëritur suksesin e Korçës? Ndoshta veprimtaritë kulturore. Gjakova është vetëm 45 minuta më larg se Korça për një tiranas. Tiranasit, vizituesit kryesorë të Korçës gjatë gjithë vitit, i tërheq në Korçë gjallëria e lokaleve, ushqimi, atmosfera e gjallë dhe serenatat korçare, të zakonshme në lokalet kryesore. Gjakova i ka të gjitha këto, por mund të ofronte më tepër në organizimet muzikore e kulturore në përgjithësi. Turistët shqiptarë po i kthehen sot gjithmonë e më shumë natyrshëm kënaqësisë që jep kthimi te tradicionalja. Ndoshta vetë sipërmarrësit gjakovarë duhet të investojnë më tepër në këtë aspekt, ndoshta edhe bashkia mund të angazhohet më tepër. Mos të harrojmë se nga Gjakova, motër binjake kulturore e Shkodrës, buruan këngët më të bukura qytetare me të cilat Kosova identifikohet sot në dasmat e Tiranës, Shkodrës a Elbasanit. Kostumet, rrëfimet e kujtesa popullore janë gjithashtu mjaft tërheqëse. A nuk është ky qyteti i Esat Bicurrit, Ismet Pejës, Shkëlzen Jetishit e Shkëlzen Dolit? Njëkohësisht qyteti ka nevojë për promovim të fuqishëm në Shqipëri. Aktualisht Prishtina e Prizreni mbizotërojnë në planet e turistëve nga Shqipëria kur bëhet fjalë për Kosovën, ndërsa Gjakova është ende e pazbuluar.

Nëse një prishtinaliu apo pejani Gjakova i duket tepër e njohur për të kaluar fundjavën, për një tiranas Gjakova mund të bëhet një destinacion jashtëzakonisht tërheqës, sepse është në të njëjtën kohë edhe e pazbuluar edhe thelbësisht familjare. Prandaj mendoj se Gjakova duhet t’i ktheje sytë nga vizitorët nga Shqipëria dhe të mendojë përgjigjen e një pyetjeje të thjeshtë, por vendimtare: Çfarë mund t’i ofrojë qyteti një tiranasi për të kaluar një fundjavë të mrekullueshme?

Te kjo përgjigje fshihet një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të ardhshëm i Gjakovës.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme