Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gërmadhat e një Rendi Ndërkombëtar

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 03.03.2022 16:19

Thuhet që ka pamje, fotografi a xhirime, që flasin më mirë dhe më shumë se njëmijë fjalë.

Por, ka edhe pamje, fotografi a xhirime që të lënë fare pa fjalë.

Të tilla po na mbërrijnë të gjithëve, Evropës dhe Botës ditëve të fundit nga luftimet në Ukrainë, gjegjësisht, nga agresioni rus në këtë shtet të pavarur, i cili nisi me 24 shkurt.

Kush ka mundur të imagjinojë që diçka e tillë është e mundur në Evropë, vetëm para një jave, megjithë paralajmërimeve të njëpasnjëshme të liderëve të shteteve më të mëdha të Perëndimit.

Nuk është kaluar pra vetëm kufiri që ndanë Rusinë dhe Ukrainën, dy shtete, nga qindra mijëra ushtarë të Rusisë, në vijim të urdhërit të Presidentit Vladimir Putin.

Është kaluar kufiri që deri tash ndante realitetin politik nga imagjinata.

Për këtë shkak, nuk ka burrshtetas në Perëndim, duke filluar këtu nga Presidenti i Amerikës, Joseph Biden, i cili ka guximin që të thotë me këmbëngulësi, publikisht, që nuk do të ketë Luftë të Tretë Botërore, apo, që rrjedha e ngjarjeve në Ukrainë, dhe në relacionet në mes të Perëndimit dhe Rusisë, nuk do të shkojë në një drejtim të pakthyeshëm, i cili madje, nuk përjashton as përdorimin e Armëve bërthamore.

Gjithçka është e mundshme, pasi Rusia invadoi Ukrainën.

Presidenti Biden, në Adresimin e tij vjetor, të bërë para disa ditës në Sesionin e përbashkët të Kongresit Amerikan, ishte më i qartë se kurrë në përshkrimin e ngjarjeve në Ukrainë, por edhe në definimin e pozicionit të Amerikës dhe të Perëndimit karshi kësaj lufte.

Biden për të satën herë ritheksoi që Amerika dhe Aleanca Veri-Atlantike, nuk janë në luftë në Ukrainë, dhe nuk do të përfshihen në këtë konflikt të nisur pa kurfarë arsye, pa kurfarë shkaku, pa kurfarë të drejte nga Presidenti Putin.

Por, në anën tjetër, Biden gjithashtu pohoi, në mënyrën më të vendosur të mundshme, që Amerika dhe Pakti NATO do ta mbrojnë çdo centimetër të territorit të shteteve anëtare të kësaj Aleance, me të gjitha mjetet në dispozicion.

Amerika dhe Aleanca zatën kanë ndërmarrë veprime të dukshme të fortifikimit ushtarak të të gjitha shteteve anëtare që janë në kufi me Rusinë.

Shtet i tillë që nuk është anëtar i Aleancës Veriatlantike është Moldavia. Ditëve të fundit shpërthyen spekulimet e reja që Putin dhe Armata e Rusisë nuk do të ndalen, edhe nëse do të arrijnë qëllimet e tyre në Ukrainë, të cilat, mbase, pos vet liderit rus, nuk i di kush, as në Moskë, dhe as në Perëndim dhe as në mbarë Botën.

Putin, me veprimet e veta të tetë ditëve të fundit, ka kaluar një tjetër kufi shumë të rëndësishëm, i cili bartë në vete shumë rrezik, kur dihet se ai ka në mandatin apo ka në kompetencat e veta, edhe atë sustën për urdhërimin e sulmit me koka bërthamore.

Putin e ka shkelur në fakt kufirin që ndanë një politikan racional, pak a shumë të parashikueshëm, një politikan që i kalkulon dhe i përllogaritë të gjitha pasojat e veprimit të tij, prej atij politikani që është krejtësisht i paparashikueshëm, dhe tek i cili, nuk mund më të ndikohet në mënyrë të arsyeshme.

Zatën, urdhëri i tij i para disa ditëve për t’i vënë në Gjendje të gatishmërisë armët bërthamore, në përgjigje, pos tjerash, edhe të deklaratave të disa politikanëve dhe diplomatëve perëndimorë, flet me çfarë situate për ballafaqohet Perëndimi.

Porosia e Putinit për Perëndimin në këtë rast ishte fare e thjeshtë, dhe ajo mund të formulohet edhe kësisoj: ‘Më leni të fitoj në Ukrainë, dhe ta kryej punën, ose unë nuk do të ndalem, apo, mund të përdori edhe Armët bërthamore kundër jush…’.

Është e njohur ajo thënia Romake: ‘Domodoshmëria nuk njeh ligj’.

Apo, nuk ka Rend shtetëror  (këtu duhet shtuar as Rend ndërkombëtar), që të mbronë nga një thyerje e këtillë, e cila për Putinin ishte e domosdoshme, për ta nënshtruar Ukrainën, dhe për të mbërri përmes saj, në kufirin lindor të Paktit NATO.

Por Putin, siç është thënë dhe shkruar shumë herë, nuk ka invaduar vetëm Ukrainën, por edhe mendësinë mbizotëruese politike në Perëndim, e cila bazohet fund e krye në arsyeshmërinë dhe justifikimin e veprimeve të veta.

Putin nuk i ka lënë Perëndimit aspak hapësirë për analizë, për kalkulim, për manovrim politik.

Perëndimi ose është dashtë ta nënshkruajë, kokë në vete, kapitullimin e Ukrainës  (për të cilën gjë, natyrisht nuk ka pasë të drejtë), ose është dashtë, siç edhe ka bërë, të niset në një rrugë përplot të panjohura, me shumë rreziqe, duke përfshirë këtu edhe skenarin apokaliptik, të braktisur qëmoti dhe të mëkëmbur këto ditë.

Edhe Perëndimi pra e ka përqafuar Domosdoshmërinë që nuk njeh ligj, si politikë të veten.

Ndryshe, i tëri ky tmerr po ndodhë në Ukrainë, në dyvjetorin e shpërthimit të Pandemisë, në muajin mars të vitit 2020.

Kjo pranverë është dashtë të shënojë  (më në fund), atë kthimin në gjendjen e mëparme, para pushtimit të Botës nga Covid-19, apo, atë ri-vendosjen e gjendjes normale.

Çka do të ndodhë me Covid-in, edhe nuk është fort e qartë, edhe pse duket që ai më nuk e ka atë potencialin e mëparmë të kërcënimit të Botës.

Por, rendi i kthimit në një gjendje normale, nuk është, së paku jo në këto anë të Botës, apo në Evropë dhe në Perëndim.

Për më shumë, gjithnjë e më pak ka dyshim që çfarë ka bërë Putin javën e fundit, nuk është vetëm kthimi i qyteteve të tëra të Ukrainës në shkrumb dhe hi, por edhe shndërrimi i një Rendi Ndërkombëtar në gërmadhë të madhe.

Kush e di se çfarë Rendi Ndërkombëta dhe kur do të mund të krijohet pas pastrimit të rrënojave të Rendit të vjetër.

 

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme