Fushata për UNESCO: Zhgënjyese po! Por, jo edhe dekurajuese 123 string(12) "Gazmend Pula" NULL nga Gazmend Pula 08.12.2015 00:25 08.12.2015 00:25 Sepse kishte të bënte, përveç imazhit paksa të dëmtuar të Kosovës dhe të efikasitetit sub-optimal të diplomacisë kosovare, në masë të madhe edhe me një ballafaqim të sërishëm frontal mes dy blloqeve të mëdha të super-fuqive globale, të Amerikës dhe të Rusisë së ri-ngritur dhe të një Lufte të re /shpresimisht vetëm/ të Ftohët mes tyre! Ndonëse votimin e kaluar në Paris për pranim/anëtarësimin e Kosovës në UNESCO po e pritnim me shpresë reale se do jetë pozitiv, siç edhe do të duhej të ishte, në formë të një afirmimi të mëtejmë të Kosovës në rrafshin ndërkombëtarë, hëpërhë mbetëm të zhgënjyer! Madje mjaft! E përjetuam nga pak edhe si një shuplakë të sërishme të pamerituar në fytyrën tonë, akorduar nga disa faktorë ndërkombëtarë tanimë qartë me disponim dhe afinitet negativ ndaj nesh! Paçka se shuplakë të tilla në fytyrën tonë na ndahen shpeshherë dhe relativisht rendë edhe nga ‘vetja’ jonë. Dhe atë në formë te papërgjegjësive politiko-shtetërore vetanake, kompetencave inadekuate në shumë lëmenjtë, arrogancës politiko-qeverisëse, përfshirë këtu edhe keq-qeverisjen e shkaktuar nga shume faktorë, filluar nga korrupsioni dhe meskinizmi brutal përfitues afatshkurtër i elitave politike, e për të vazhduar me shumë e shumë të tjera. Por, për t’u dekurajuar, nuk do të duhej të dekurajohemi! Sepse do bëhet! Dhe duhet shpresuar se me qasje dhe punë shumë më të përkushtuar dhe më të përgjegjshme, si dhe më kompetente, për vendin, shtetin dhe popullin, do mund të arrijmë atë që në herën tjetër, pas dy vitesh! Kohë për përmirësime kemi relativisht mjaft! Sepse dy vite nuk janë pak, kuptohet nëse do punohet dhe veprohet mbarë dhe mirë! Edhe sepse Kosova tanimë është një realitet i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm ndër/kombëtar që po përforcohet dita-ditës, ngase ka vullnetin e pathyeshëm të qytetarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve gjithandej! Por, edhe sepse ka edhe përkrahjen e madhe dhe të pa rezervë të disa prej shteteve më të fuqishme botërore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europës madhore, me në krye Gjermaninë dhe Britaninë. Vota ndërkombëtare për pranim në UNESCO ishte më e ngushtë se që pritej, sepse Kosovës së njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht tanimë nga 111 shtete, ju akorduan vetëm 92 vota. Edhe pse në rrethana normale do të duhej pritur që të gjitha 111 shtetet që njohin Republikën ë Kosovës do e përkrahnin pa rezervë në këtë synim. Madje qoftë edhe vetëm që Kosova të duhej të përmbushte obligimet e saj shtetërore në harmoni me kriteret rigoroze ndërkombëtare në domenin e arsimit, kulturës dhe shkencës, përfshirë me mbrojtjen e trashëgimisë historiko-kulturore edhe të minoriteteve. Ndërkaq që për të arritur 95 votat e kërkuara për anëtarësim, përkatësisht me 2/3 e shteteve që do votonin Kosovës do i nevojiteshin vetëm edhe 3 vota! Në këtë kontekst vlen të përmendet se të drejtë vote në UNESCO nuk kishin tri shtete përkrahëse të Kosovës, Amerika, Izraeli dhe Guinea-Bisao, për shkaqe formalo-teknike të mospagesës së anëtarësive, kuptohet nga motive të ndryshme, dhe kryesisht të ndërlidhura me çështjen palestineze! Kosova në darët e ballafaqimit frontal të bllokut Amerikan me atë të Rusisë së ringritur Por, fatkeqësisht, nuk ndodhi ashtu! Dhe gati 20 nga këto shtete që tanimë na kishin njohur, abstenuan dhe kështu praktikisht refuzuan të përkrahnin Kosovën në këtë etapë të afirmimit të saj të mëtejme ndërkombëtarë! Për shkaqe nga më të ndryshmet ! Dhe ato mund të tentohet të identifikohen, në masë të mjaftueshme, edhe në kuadër të këtij shkrimi. Dhe pastaj, në kohën që kemi përpara, edhe të tejkalohen nga strukturat qeveritare dhe klasat politike shqiptare këtej dhe andej kufirit, së bashku edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Dhe më mirë se gjer tani! Dhe ashtu të kapitalizohen për raundin tjetër të votimit të vitit 2017. Sepse madje 50 shtete tjera ishin kundër anëtarësisë së Kosovës në UNESCO dhe sepse 29 shtete të tjera abstenuan! Dhe këto abstenuan kryesisht si gjest i vullnetit të mirë ndaj Kosovës, prirë nga konsiderata e tyre për ne, që të mos detyroheshin, nga motive të tyre individuale nga më të ndryshmet, të na jepnin edhe ndonjë ‘jo-goditje’ në formë të refuzimit përmes votës së tyre kundër. Kështu ndodhi ajo që nuk ndodhi asnjëherë më parë në historinë 70-vjeçare të UNESCO-s: Konferenca e saj e Përgjithshme refuzoi për herë të parë rekomandimin e Bordit të saj Ekzekutiv për një anëtarësi të re! Precedencë kjo jo e mirë, fatkeqësisht. As për Kosovën, e në fakt as edhe për UNESCO-n! Dhe përkundër të gjitha garancive kushtetuese që Kosova u kishte akorduar minoriteteve dhe komuniteteve fetare, e veçanërisht asaj serbe dhe trashëgimisë historiko-kulturore të Kishës Ortodokse Serbe. Kuptohet se Kosova kishte dhënë edhe garanci me shkrim për respektimin e plotë të Kushtetutës së UNESCO-s, e për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në rajon edhe përmes avancimit të arsimit, kulturës, dhe shkencës, dhe specifikisht për mirëmbajtjen e monumenteve të Kishës Serbe që tanimë janë të vendosura në listën e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s. Dhe kështu, po të përmblidhej në vija të vrazhda e tërë vota e UNESCO-s, del një rezultat relativisht ose edhe shumë zhgënjyes dhe i trishtë. Sepse për rezultat të votimit në këso vija të vrazhda rezimuese, gojëkëqijtë do mund të ironizonin duke thënë edhe se rreth 90 shtete ishin PER, ndërsa rreth 80 shtete tjera ishin KUNDER Kosovës. Dhe shikuar nga kjo perspektivë e shtrembëruar, kjo do të ishte vërtetë rezultat shumë zhgënjyes! Madje e tërë kjo ndodhi edhe duke pasur përkrahjen e shteteve më të fuqishme botërore, së paku e disa prej tyre, siç janë Amerika dhe pothuaj e tërë Europa madhore, për anëtarësim në UNESCO. Madje përkrahje kjo që ishte jo vetëm parimore dhe politike, por për më tepër edhe përkrahje aktive operative diplomatike – e fuqishme, gjatë tërë procesit të lobimit për anëtarësi. Por, ja që kështu edhe ndodhi! Dhe do të duhej thënë se, shikuar nga ekspertiza diplomatike dhe gjeopolitike aktuale, kjo vlerësohet të këtë ndodhur kështu, në radhë të parë për shkak të situatës aktuale gjeopolitike botërorë dhe të ballafaqimit të drejtpërdrejt dhe frontal diplomatiko-politik mes dy blloqeve të dy super-fuqive ushtarake të vetme globale. Bllokut Amerikan përkatësisht Amerikës si pretenduese dhe dominuese e rendit të gjertanishëm botërorë njëpolarë, dhe përkrahëse e pa ekuivoke e Kosovës dhe shqiptarëve në njërën anë, dhe e bllokut të Rusisë së ringritur papritur dhe fuqishëm! Fakt ky që po shihet qartë dhe manifestohet madje edhe demonstrativisht nga Rusia edhe me intervenimin e saj frontal dhe pothuaj të pakontestuar ushtarak gjeostrategjik madje edhe sot e gjithë ditën në Siri. Dhe më gjerë! Madje duke sfiduar drejtpërdrejt dhe në mënyrë arrogante Amerikën dhe monopolin e saj dominues në botë, si ushtarak ashtu edhe atë politik. Dhe atë biles tanimë shumë seriozisht! Dhe në veçanti në Lindjen e Mesme, të pasur më gjysmën e naftës dhe gazit botërore, pasurinë më të madhe të nëndheshme, ‘arin e zi’, që ka sot bota. Madje në “vilajetin e saj” arabo-mysliman tejoqeanik, të cilin e ka kontrolluar dhe dominuar pothuaj tanimë një shekull! Sfiduar nga Rusia e sotme e ri-ngritur fuqishëm, me gjithë enturazhin dhe procesionin e vendeve të saja gjysmë-aleate të Fqinjësisë së saj të ashtuquajtur të Afërt ish-sovjetike, pastaj me disa nga shtetet – ish-nostalgjikët dhe ish-Të painkuadruarit – që dikur udhëhiqte edhe ish-Jugosllavia dhe Titua. Pastaj vendet arabo-myslimane të pakënaqura me politikat amerikane jo vetëm në Lindjen e Afërt, si dhe pothuaj e tërë Amerika Latine /me përjashtim të shteteve që janë nën ndikim dominues amerikan. Por, më së shumti dhe në radhë të parë, Amerika dhe blloku perëndimor u sfidua nga vendet e fuqishme të BRICS-it! Nga Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut, së bashku, dhe me në krye Rusinë ish-imperiale, me arsenal bërthamoro-ushtarak botërorë të pakrahasueshëm përpos me atë amerikan, me gjysmën e njerëzimit botërorë prej rreth 3 miliardë banorësh, që së bashku sfidojnë rendin përkatësisht monopolin dominues demokratik njëpolarë global amerikan. Madje e sfidojnë fuqishëm! Dhe rrezikshëm, pajtohen gjeostrategët dhe ekspertët më autoritativë botërorë aktualisht! Bashkëpunim i avancuar dhe i mirë-koordinuar i Ministrive të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë Votimin dhe fushatën e Kosovës së kësaj radhe për anëtarësim në UNESCO, ndërkaq duhet shikuar dhe vlerësuar veçanërisht edhe për përkrahjen, koordinimin dhe madje do të mund të thuhej ndoshta edhe për sponsorimin e mirëfilltë dhe sistematik të Shqipërisë /dhe Ministrisë së saj të Jashtme/, si anëtare e hershme e UNESCO-s. Veçanërisht në kontekstin politiko-diplomatik, operativo-implementues të spektrit të gjerë dhe të mirë-strukturuar konceptualisht. Kuptohet, në bashkëpunim të plotë, të koordinuar dhe të sistemuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke formësuar kështu një sinergji të profilit të gjerë gjithëshqiptar. Ndonëse, fatkeqësisht të pamjaftueshme për sukses këtë herë! Por, madje as e tërë kjo përkrahje operative-teknike dhe politike, përfshirë me atë edhe të vendeve të Quintit/Pesëshes, me në krye Amerikën, nuk mjaftoi për ta afirmuar dhe ngritur në Kosovën edhe në anëtarësi të plotë të UNESCO-s, të këtij organizmi të specializuar të Kombeve të Bashkuara për arsim, kulturë dhe shkencë. Ku Kosova si shtet i ri, pothuaj i posa etabluar, do të duhej të ishte në të gjitha rrethanat, sepse ashtu do udhëzohej dhe avansohej edhe operativisht për përmbushjen dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare në këto segmente vitale për shoqërinë, përfshirë me ruajtjen e plotë edhe të trashëgimisë serbe që kërkon faktori ndërkombëtar. Dhe jo assesi të kushtëzohej nga rivalitetet dhe tensionimet e konfrontimet politike ndërkombëtare, interesat e ngushta kombëtare dhe ndërkombëtare të vendeve të veçanta, si dhe marrëdhëniet dhe problematikat individuale të tyre, ndër-fqinjësore ose/dhe territoriale, që fatkeqësisht janë shpeshherë realitet i paevitueshëm i kësaj botë tonë aspak të përkryer. Madje e tërë kjo ndodhi edhe duke pasur përkrahjen e shteteve më të fuqishme botërore, së paku e disa prej tyre, siç janë Amerika dhe pothuaj e tërë Europa madhore, për anëtarësim në UNESCO. Fushata agresive antishqiptare serbo-ruse kundër Kosovës në UNESCO Siç u pa edhe me rastin e votimit për anëtarësim, Kosovën, shtetin tonë të ri, në botë jo shumë rrallë disa e shohin dhe e perceptojnë edhe vetëm si shtet-klient amerikan! Dhe që disa prej tyre, nën ndikimin ruso/serb, kësaj radhe donin ta shihnin të dështonte në këtë synim të saj! Në radhë të parë nga kjo që u tha më lartë! Për të mos elaboruar më tej këtë tezë, e cila madje disa analistëve apo edhe ekspertëve dhe pretendentëve diplomatikë shqiptarë mund tu duket edhe si kuazi-tezë për tentim-arsyetimi dhe tentim-justifikimi të dështimit të anëtarësimit në UNESCO dhe e bartëseve e protagonistëve të saj kryesor, dy Ministrive të Jashtme Shqiptare, e vlen të ofrohet edhe në pasqyrë autentike dhe burimore e pohimeve të mësipërme. Në këtë kuptim, mund të ofrohet dhe të citohet, madje fjalë për fjalë, një artikull tërësisht indikativ rus për Kosovën. Kësaj radhe dhe për këtë destinim, ky do të ishte artikulli i gazetës reprezentative ruse “Pravda”, ish-organit të gjithëfuqishëm të ish-partisë të gjthëfuqishme komuniste sovjetike në edicionin e saj në gjuhën angleze kushtuar votimit për Kosovën në UNESCO, nën titullin goditës dhe provokativ: “Vota për Kosovën në UNESCO: Edhe Një Dështim i Diplomacisë Amerikane”. Kështu “Pravda” shkruan sa dhe si vijon: “111 shtete kanë njohur pavarësinë e krahinës serbe të Kosovës dhe Metohisë. Mirëpo vetëm 92 shtete përkrahën kandidaturën e Kosovës për anëtarësi në UNESCO, ndërkaq 50 delegacione /shtete/ votuan KUNDËR. Votimi shënon një fitore të papritur për Serbinë dhe Rusinë që kundërshtuan deklarimin unilateral të pavarësisë së Kosovës. Por, çka paraqet kjo fitore në fakt? Votimi për /mos/pranimin e Kosovës në UNESCO tregon qartazi së kush është kush në politikën ndërkombëtare”. Më tej “Pravda” vazhdon duke evidentuar vendet që kanë votuar kundër pranimit të Kosovës dhe së bashku me disa shpjegime lidhur me këtë, shton edhe se “Para se të bëhej votimi, Ministri i Jashtëm Rus Sergey Lavrov u deklarua KUNDER përdorimit të UNESCO-s si mjet për të legjitimuar shtetin e vetë-deklaruar të Kosovës”. Artikulli rezimon dhe përfundon më tej me konstatimin se “Përgjithësisht, duket se shtetet e BRICS-it, Amerika Latine që së voni ka iniciuar institucionalizimin /shtetërore/ të Palestinës, pastaj shumë shtete të Afrikës dhe Azisë, përbëjnë potencialisht bërthamën e formimit të rendit botërorë shumëpolar” – /që do t’i kundërvihej rendit të tanishëm botëror amerikan njëpolar, sh.a/. Në vazhdim të këtij artikulli të “Pravda”-s ruse, e për të promovuar dhe përkrahur ndërkombëtarisht fushatën e theksuar agresive dhe gjysmë-armiqësore serbe ndaj Kosovës me rastin e votimit për UNESCO, ajo shkruan më tej se: “Presidenti serb Nikoliq ftoi përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Beograd gjatë tetorit dhe u prezantoi filmin dokumentar për pogromin e serbëve /dhunën etnike nga shqiptarët, sh.a./ që shpërtheu në Kosovë më 17 mars, 204, ku/r/ u dogjën dhe u shkatërruan monumentet e shenjta historiko-fetare serbe në këtë krahinë jugore serbe”. “Prandaj”, thuhet më tej në artikull, “të lejosh qeveritarët e Prishtinës ‘të mbrojnë’ trashëgiminë kulturore, serbe është si të kërkosh që ujku të kujdeset për qengjat, thotë Nikoliq dhe vazhdon më tej për të thënë se “shumë serbe janë dëbuar nga kjo vendlindje e tyre, shumë janë vrarë brutalisht, disa nga këta janë therur dhe prerë për t’ju marre organet, dhe tani, po këta, tentojnë të marrin për të tyre edhe trashëgiminë tonë kulturore serbe që është në mbrojtje të UNESCO-s. Presidenti serb krahasoi këtë situatë me ngjarjet në Palmira të Sirisë, ku Shteti Islamik shkatërroi monumente antike të paçmueshme. “Në fakt”, thotë ai më tej, “shqiptarët nuk kanë trashëgimi vetanake kulturore e as historike në Kosovë dhe Metohi – as aso Ortodokse, e as aso Myslimano/Islamike, sepse që të gjitha këto monumente janë ndërtuar ose nga Serbët ose nga Turqit. Prandaj, nuk është befasuese që shqiptarët ekstremistë kanë djegur dhe kanë demoluar më shumë se 200 kisha, manastire dhe varreza serbe ortodokse që nga vitit 1999”, përfundon kështu në mënyrë skandaloze dhe shumë malinje artikullin “Pravda” ruse! Ose më mirë me thënë “Pravda” armiqësore ruso/serbe! Kjo pasqyron në mënyrën më të mirë qasjen dhe platformën e thekur destruktive antishqiptare serbe kundër pranimit të Kosovës në UNESCO! Që do të mund të ilustrohej përkah malinjiteti dhe agresiviteti i saj veçanërisht edhe me deklaratën e ministrit serb Daçiq i cili në Beograd citohet të këtë thënë se “anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të ishte sikur Shteti Islamik/ISIS-i të aplikonte për anëtarësi në UNESCO”! Kjo qasje dhe fushatë armiqësore serbe, përkrahur nga Rusia e ringritur globalisht, përhapi një imazh shumë negativ për Kosovën që edhe lëkundi shumë shtete qe votuan kundër Kosovës! Biles, edhe ato që tanimë e kishin njohur Kosovën, por, që nuk përkrahën anëtarësimin e saj në UNESCO kësaj radhe. Madje, edhe përkundër fushatës relativisht të gjerë dhe të mirë-strukturuar informativo-lobuese të Ministrive të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë me përkrahje të fuqishme të vendeve e Quintit nën udhëheqjen shumë efektive amerikane. Jo pasqyra, fytyra ishte paksa e shtrembëruar Ndoshta, apo ndoshta edhe padyshim, refuzimi i përkrahjes së mjaftueshme për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ndodhi edhe për shkak të rrethanave dhe gjendjes jo shumë të favorshme, për të mos thënë shumë të tensionuar dhe të acaruar politiko-institucionale aktuale të që të dy shteteve tona shqiptare! Polarizimi i skajshëm i skenës politiko-institucionale të dy shteteve shqiptare që do të mund të rrezikonte edhe stabilitetin e brendshëm politik, gjendja jo e mirë socio-ekonomike që rezulton në valë refugjatësh dhe azil-kërkuesisht që vërshojnë kufijtë e Europës, Gjykata Speciale që po i përgatitet Kosovës, sistemet e drejtësisë shqiptare të dërmuara politikisht dhe nga korrupsioni, mos-transparencat institucionale, aferat e ndryshme që trondisin dy shtetet shqiptarë, përfshirë ekseset institucionale në dy parlamentet tona, pjesëmarrja e xhihadistëve ekstremistë shqiptarë në Siri në përqindje dhe për krye banori ndër më të mëdhatë në botë – ku disa prej tyre kanë arritur madje edhe prominencë ndërkombëtare famëkeqe si kasapë gjakatarë njerëzish, të gjitha këto kanë lënduar seriozisht imazhin e Kosovës dhe shqiptarëve në botë dhe marrin tagrin e vet edhe në këso çështjesh. Si dhe ngjarjet e Kumanovës përmes të cilave Kosova akuzohej si eksportuese e terrorizmit dhe destabilizimit ndërkombëtar që po rrezikonte rajonin?!! Pastaj, ngjarjet e hidhura të 2004-shit kur dhuna etnike shqiptare që shpërtheu në Kosovë, madje edhe me vrasje dhe plagosje jo të vogla dhe as të pakta, me djegie të kishave ortodokse serbe, dëshmitar i njërës ndër më të mëdhatë deri në themel ishte edhe autori i këtij shkrimi. Madje kjo ndodhi ndonëse kishim autoritetet e zgjedhura kosovare dhe ndërkombëtare që nuk vepruan në mënyrë efektive në mbrojtje të minoriteteve. Dhe këto komprometuan imazhin e shqiptarëve si viktimë, dhe i projektuan dhe shndërruan ata në disa perceptime ndërkombëtare përkohësisht në dhunues. Që do të duhej ta kishin thënë edhe më herët dhe me më zë kërkim faljen për këtë, së paku me një mea culpa. Ndonëse Kosovës atëherë po i pengohej, po i zvarritej dhe pothuaj po i obstruohej shpejtësia e shpalljes së pavarësisë edhe formale, dhe prandaj edhe frustrimet dhe motivet e shpërthimit të dhunës etnike, si u cilësua atëherë, gjendeshin kryesisht aty. Ndërkaq që duhet shtuar edhe se pjesa më e madhe e dëmeve të shkaktuara atëherë nga shpërthimi i dhunës, edhe ndaj kishave serbe, u rindërtuan dhe u renovuan, dhe madje shumë më mirë se që ishin. Dhe u paguan me shuma milionëshe dollarësh, për ironi dhe ‘leksion’, sërish nga mjetet kosovare. Por, pasojat në imazhin e Kosovës dhe të shqiptarëve mbetën dhe morën një kosto serioze edhe në votimin për UNESCO. Dhe shumë e shumë defekte e degradime të tjera të jetës sonë që politika dhe propaganda serbe pastaj edhe po sajonte dhe po i shpifte dhe po na i hidhte fytyrës për të na shpërfytyruar dhe komprometuar sa më tepër para opinionit ndërkombëtar! Sepse përndryshe nuk do të duhej të ndodhte që Polonia, Japonia dhe Koreja e Jugut të abstenojnë dhe të mos votojnë për Kosovën. Sigurisht edhe për shkak të konsideratës së tyre ndaj Serbisë, qoftë edhe vetëm për aspekte eventuale biznesore, e deklarativisht gjoja sepse do të donin që aplikimi dhe anëtarësimi i Kosovës të bëhet në proces mirëkuptimi me Serbinë?!! Madje edhe Zvicra, që ka një komunitet të madh shqiptarësh, përfshirë me prominencë sportivo-futbollistike vip-ash, deri në momentet e fundit hezitonte të votonte për Kosovën në UNESCO! Si mund të ndodhë kjo, do të mund të shtrohej pyetja?! Vetëm nga imazhi aktualisht akoma i dëmtuar dhe negativ i Kosovës dhe i shqiptarëve përgjithësisht, në këtë vend përndryshe shumë përkrahës të shqiptarëve! Vlen të përmendet se madje edhe Palestina votoi kundër, përkundër premtimit për përkrahje dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte! Por, duket se perceptimi i Kosovës vetëm si shtet klient i SHBA-ve, që si edhe shteti tjetër shqiptar deri vonë, ndoshta do të mund të tundohej, kuptohet për shkaqe praktiko-konjukturale, të votonte madje edhe kundër kauzës shumë të drejtë për shtetin e Palestinës. Dhe vetëm e vetëm për të qenë nganjëherë edhe në mënyrë edhe relativisht jokritike, lojale, e ndoshta edhe nga pak servile, ndaj çdo segmenti të politikës së SHBA-ve. Ndonëse kjo edhe duhet dhe mund të kuptohet sepse ishte Amerika ajo që në fakt shpëtoi popullin shqiptar, të Shqipërisë në fillim të shekullit te kaluar, dhe të Kosovës në vigjilje të këtij shekulli, nga shpartallimi nën thundrat dhe aspiratat grabitqare të vendeve fqinje! Por, që në këtë rast vazhdon të drejtohet relativisht njëanshëm kundër pretendimeve palestineze për shtetësi të merituar, kryesisht për hir të mbrojtjes së drejtë, dhe serish, të merituar, ndonëse qenësisht të parrezikuar të sigurisë së Izraelit. Izraelit, si vendit të vetëm demokratik në Lindjen e Mesme dhe aleatit më të fortë dhe të sigurt amerikan, edhe me trashëgiminë fetare hebreje si pararendëse nga e cila më pastaj lindi civilizimi i tanishëm i krishterë. Ndonëse përmes thyerjeve dhe me resantimane të hatashme historike dhe doktrinaro-popullore edhe ne formë të përndjekjeve, pogromeve dhe vuajtjeve dymijë vjeçare të popullit hebre nga civilizimi i krishterë, që së voni po tentohet të tejkalohet. Fatkeqësisht dhe tragjikisht duke e fajësuar padrejtësisht civilizimin islamiko-mysliman për këtë, ndonëse ai historikisht dhe tradicionalisht kishte përkrahur dhe mbrojtur hebrenjtë deri në shekullin e njëzetë kur u ballafaquan për shkak të çështjes akoma të pazgjidhur palestineze. Ngjashëm ishte rasti edhe me disa vende të botës arabe, që nuk janë tërësisht në sferën amerikane të ndikimit, si tani Egjipti, që ka njohur Kosovën, por që abstenoi nga votimi, dhe i cili krahas kësaj, tanimë ka edhe afinitete pro-ruse dhe nostalgjira të ‘të Painkuadruarve’ pro-ish-Jugosllavë, si edhe Algjeria, Maroku, Siria, dhe pothuaj tërë Amerika Latine. Disa observime përfundimtare Si rrethana vështirësuese për realizimin e projektit ambicioz të anëtarësimit në UNESCO padyshim do të duhej përmendur se Ministritë tona të Jashtme, edhe për shkaqe buxhetore me gjasë, mezi kanë staf të mjaftueshëm edhe për kryerjen e obligimeve rrjedhëse, e pale pastaj për realizimin e fushatave madhore, të gjëra, të gjata dhe intensive lobimi çfarë nevojiten për një këso projekti ambicioz për Kosovën. Dhe përkundër kësaj, falë angazhimit dhe përkushtimit të madh edhe të dy ministrive tona, që bënë mbi 150 takime me delegacione të veçanta për të lobuar lidhur me anëtarësimin në UNESCO që në gjysmën e pare te këtij viti, sipas disa burimeve ministrore, dhe atë pavarësisht restriksioneve buxhetore. Përveç dhe krahas angazhimit madhor edhe të vendeve të Quintit të udhëhequra nga Amerika në këtë angazhim serioze të lobimit për anëtarësi të Kosovës. Dhe kjo do të duhej përcjellë edhe me plotësimin edhe të vendeve vakante të ambasadorëve të Kosovës nëpër kryeqytetet kryesore botërore, si në Japoni që nuk votoi për anëtarësimin tonë, apo në Hungari, përkrahësen e madhe të Kosovës që po ashtu po hamendej dhe po hezitonte të votonte për Kosovën deri në momentin e fundit. Si edhe Zvicra, madje! Mes tjerash, sipas disa ekspertëve, edhe sepse shtetet nikoqire konsiderohen të mospërfilluara dhe të mosrespektuara nga mosemërimi i nivelit përkatës përfaqësues diplomatik i shteteve në vendet e tyre. Ndoshta do të mund të shtohej në fund të këtij teksti jo edhe shumë të këndshëm, madje edhe vetëm për ta lexuar, e pale për ta pëlqyer si realitet jo edhe aq rozë i shqiptarëve, se për fushatën e ardhme për anëtarësim në UNESCO, do të duhej ndoshta të angazhoheshin edhe më shumë prominencë autoritative vip-ash tanë me profile dhe prominencë kredibile dhe elitare ndërkombëtare, figura të shquara profesionalo-akademike e kulturore dhe estradeske shqiptare të profilit më të lartë si Ismail Kadare, Inva Mula, Rita Ora, James Belushi dhe të tjerë. Madje të angazhoheshin në fushatën e lobimit me kohë me koncept të qartë politik dhe publik, edhe në media të paguara ndërkombëtare, në vend të ndonjë segmenti të stafi tekniko-përcjellëso-zbavitës për ndonjë motiv edhe gjysmë-turistik dhe ndoshta edhe mëditoro-dietal eventual. Autori ishte ambasadori i parë i Kosovës në Shqipëri.