Furia rreth balonës spiune të Kinës është e rrezikshme dhe e pajustifikuar 123 string(8) "Max Read" string(58) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/02/boot1.png" nga Max Read 08.02.2023 09:02 08.02.2023 09:02 Pra, Beteja e Balonës mori fund – dhe, jo befasisht, fitoi Amerika. Të shtunën, një ndër sistemet më të avancuara amerikane – një avion F-22 Raptor – rrëzoi një ndër sistemet më primitive vëzhguese të Kinës: një balonë që kishte kaluar në ShBA në javën e kaluar. I gjithë ky incident më bën të ndihem i shqetësuar dhe alarmuar. Oh, nuk jam i brengosur për balonën spiune. Shkelja e hapësirës ajrore amerikane ishte e papranueshme, por nuk përbënte ndonjë kërcënim aktual, dhe është i dyshimtë që mblodhi çdo inteligjencë që satelitët spiunë kinezë nuk munden. Ajo çfarë më shqetëson është mbireagimi histerik nga ana e shumë amerikanëve ndaj progresit të balonës. Ish-presidenti, Donald Trump deklaroi se Presidenti Joe Biden tash “ka dorëzuar hapësirën amerikane te Kina komuniste”, edhe pse Pentagoni raporton se balonat kineze kanë kaluar nëpër hapësirën ajrore të Amerikës më së paku tre herë gjatë presidencës së Trumpit. “Presidenti dështoi me këtë”, tha guvernatori republikan i New Hampshire, Chris Sununu. “Djalë i rreptë, Joe. Pak si vonë”, reagoi gazetari televiziv Mark Levin. “I blerë dhe i paguar nga qeveria komuniste kineze”. Por, çfarë është dashur të bëjë Biden? A është dashur që ai personalisht të pilotojë avionin F-22 dhe ta sulmojë balonën si presidenti i luajtur nga Bill Pullman në filmin “Independence Day”? Apo ai është dashur të nisë sulm nuklear si hakmarrje kundër Kinës? Republikanët nuk kanë pasur alternativa tjera të qarta, por kjo nuk i ka ndalur hiperventilimin e tyre. Senatori republikan, Marco Rubio tregoi se Kina e dërgoi balonën për të treguar se “Shtetet e Bashkuara janë një superfuqi që është zbehur, është në rënie”. Ky reagim ishte i mbitensionar saqë Biden u ndje i detyruar ta shtynte udhëtimin e sekretarit të shtetit, Antony Blinken në Kinë. Kjo është shumë keq, sepse furia për balonën spiune nënthekson nevojën për të formuar linja më të mira të komunikimeve me Pekinin që të parandalohen tensionet ShBA-Kina nga dalja e kontrollit. Balonmania, pas së gjithash, vjen vetëm disa ditë pasi Gjenerali i Forcave Ajrore, Michael A. Minihan dhe kreu i Komandës të Mobilitetit Ajror, dërgoi një memo te vartësit e tij, i cili parashikonte luftën me Kinën brenda dy vjetësh: “Shpresoj që e kam gabim”, shkroi ai. “Instikti më thotë se do të luftojmë në vitin 2025”. Duke tingëlluar si njëri nga gjeneralët e filmit satirik “Dr. Strangelove” për Luftën e Ftohtë të Stanley Kubrick, ai i këshilloi pilotët e tij – të cilët operojnë dhe mirëmbajnë avionët e mallrave “të gjuajnë një kapëse drejt targetit prej shtatë metra larg dhe të synojnë kokën”. Minihan dhe çdokush tjetër që mendon se lufta është e pashmangshme (p.sh. Kryetari i Dhomës së Përfaqësueseve të Komitetit të Punëve të Jashtme, Michael McCaul) duhet të mbajnë kontroll. Drejtori i CIA-s, William J.Burns tha në javën e kaluar se lideri kinez, Xi Jinping ka urdhëruar ushtrinë e tij të bëhet gati për ta pushtuar Tajvanin deri në vitin 2027, por “kjo nuk do të thotë se ai ka vendosur të drejtojë agresionin në vitin 2027 ose në ndonjë vit tjetër”. Në fakt, Burns nënvizoi, agresioni i dështuar i Rusisë në Ukrainë i ka dhënë pauzë liderit kinez para se të fillojë vetë në sulm të rrezikshëm. Lufta me Kinën mundet dhe duhet të shmanget – por ne e bëjmë më të mundshëm duke supozuar se është i pashmangshëm dhe duke i nxitur frikat e tepruara për fuqinë kineze. Lloji i paranojës anti-kineze që po shohim tani më kujton ditët e para të Luftës së Ftohtë. Në atë kohë, kishte gjithashtu një ndjenjë se Shtetet e Bashkuara po humbnin një luftë globale me komunistët dhe se Lufta e Tretë Botërore mund të ishte afër. Kjo ishte një mentalitet i rrezikshëm, shkatërrues që shkoi drejt gjuetisë së shtrigave kundër të Kuqve në shtëpi dhe në ndërhyrje ushtarake fatkeqe dhe të kushtueshme, si ajo në Vietnam. Ajo pothuajse gjatë krizës së raketave kubane nxiti një Armagedon bërthamor. Në realitet, Bashkimi Sovjetik nuk ishte kurrë aq i fortë apo aq i pamatur sa e imagjinonin kaq shumë – dhe as Kina komuniste nuk është. Xi kryeson një vend me një popullsi të plakur, një ekonomi të ngadalësuar dhe me pak miq. Kjo ndihmon për të shpjeguar pse ai kohët e fundit është përpjekur të rregullojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Shtetet e Bashkuara, edhe pse kanë një popullsi më të vogël se Kina, janë në fakt më të forta nga shumica e masave të fuqisë së fortë ose të butë. Në të vërtetë, Instituti Lowy i Australisë, në sondazhin e tij vjetor të balancës së fuqisë në Azi, gjen Shtetet e Bashkuara ende në vendin e parë përpara Kinës. Indeksi vëren se Shtetet e Bashkuara kryesojnë në “burimet e ardhshme, qëndrueshmërinë, rrjetet e mbrojtjes, ndikimin kulturor dhe aftësitë ushtarake”. Javën e kaluar u kujtua një nga avantazhet tona kryesore – ne kemi shumë më shumë aleatë se Kina – kur Filipinet ranë dakord të zgjeronin aksesin e ShBA-së në katër baza të tjera ushtarake. Asnjë nga këto avantazhe nuk mohohet nga aftësia e Kinës për të dërguar një balonë që fluturon mbi Shtetet e Bashkuara. Në të vërtetë, nuk është e qartë se Kina ka arritur diçka tjetër përveç alarmimit të amerikanëve për kërcënimin që paraqet. Një shqetësim i shëndetshëm për fuqinë në rritje të Kinës është i garantuar, por paranoja dhe alarmizmi nuk janë. Shtetet e Bashkuara janë ende fuqia nr. 1 në botë dhe ne mund të mbetemi të tillë për sa kohë që të mos gabojmë në një luftë katastrofike dhe të panevojshme me një fuqi nr. 2, ngritja e së cilës tashmë mund të ketë arritur kulmin. Max Boot është kolumnist i Washington Post, i cili mbulon sigurinë kombëtare. Boot është po ashtu historian dhe analist i politikës së jashtme. Tekst i publikuar në Washington Post, përkthyer nga KlanKosova.tv. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.