Fundi i Konceptit të BE-së të ‘Neutralitetit ndaj statusit të Kosovës’ 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 28.02.2021 15:45 28.02.2021 15:45 Koncepti i 'Neutralitetit ndaj statusit të Kosovës' u shpik, me qëllim të ruajtjes së unitetit në BE, por ai është në dëm të Kosovës, dhe në dobi të Serbisë. Për këtë shkak, ai nuk është aspak neutral. Një fotografi e shkrepur, me siguri, sa për protokoll dhe për një fotografi zyrtare, u bë ‘mollë sherri’ në komunikimin edhe ashtu problematik në mes të politikës kosovare dhe EUSR Miroslav Lajčakut, i cili së shpejti pritet të rikonfirmohet në mandatin e tij si Përfaqësues Special në dialogun në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, i cili do të duhej (kështu thuhet tash e dhjetë vjet të plota), të përmbyllet me Marrëveshjen gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë fotografi, fillimisht doli që nuk ka fare kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo, që në një hartë të varur në murin e Zyres së Lajčakut, Kosova është pjesë e Serbisë. Pastaj, Lajčak e shfaqi të zmadhuar këtë hartë, ku një kufi i lehtë (jo i njejtë si midis shteteve të tjera të krijuara pas shpërbërjes së ish-RSFJ-së), shfaqej në mes të Kosovës dhe Serbisë, pak a shumë, njëlloj siç ndodhte në kohërat e ish-Jugosllavisë, ku Kosova, pasi nuk kishte statusin e Republikës federale (por ishte njësi federale, sipas Kushtetutës së vitit 1974), i kishte të shenjuar paksa më holl kufijtë me Serbinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë. Lajčak, siç dihet, këtë të hëne (me 1 mars), do të mbërrijë në Prishtinë në një vizitë triditore, në përpjekjen e tij për ta ngjallur dialogun e Brukselit, i cili sërish, apo, prej fillimit të shtatorit të vitit të kaluar, është në gjendje të vendunumërimit. Ai, u gjet, falë kësaj harte, në një gjendje të palakmueshme, për të shpjeguar apo sqaruar dhe justifikuar ate që nuk ka qenë asnjëherë e arsyeshme: Pozicionin ’Status neutral’ ndaj Kosovës të BE-së si të tillë. Ky pozicion apo kjo qasje është në fuqi në BE (në Bruksel pra), në vijim të një pafuqie evidente të Bashkimit Evropian për të krijuar një konsensus për Kosovën, pasiqë një Emisar Special i OKB-së, Martti Ahtisaari (që ishte ish-Presidenti i Finlandës, një shtet i BE-së), një Emisar Special i BE-së pranë tij, Stefan Lehne (që vinte nga Austria, tjetër shtet i BE-së), dhe më më fund, një Përfaqësues tjetër i Veçantë, Wolfgang Ischinger (që ishte nga Gjermania, shtet i fuqishëm në BE), kishin propozuar që Kosova duhet të bëhet shtet i pavarur, me një mbikëqyrje fillestare ndërkombëtare (këto Propozime për statusin e Kosovës u bënë gjatë vitit 2007-të). Ky pozicion për më shumë, dëshmon që nganjëherë numri pesë është shumë më i fuqishëm se numri njëzetedy: Dihet që pesë shtete të BE-së që nuk e njohën pavarësinë e Kosovës (Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), pamundësuan një politike të përbashkët të BE-së ndaj Kosovës, edhe pse njëzetedy shtetet e tjera anëtare të BE-së, patën njohur shtetin e Kosovës, që të gjitha në vitin e parë të ekzistencës së shtetit të Kosovës, në vitin 2008, më konkretisht, në harkun kohor shkurt-tetor të këtij viti. Për këtë shkak zatën u shpik ky koncepti i ‘Neutralitetit ndaj statusit të Kosovës’, me qëllim të ruajtjes së unitetit në BE, por gjithsesi në dëm real politik të Kosovës, dhe në përfitim shumë real të Serbisë. ‘Neutralitetit ndaj statusit të Kosovës’ nuk është aspak neutral, si i tillë, që prej 17 shkurtit të vitit 2008. Asnjanësia ndaj statusit ka domethënien e mirëfilltë që statusi i Kosovës ende nuk dihet, nuk është punë e kryer., është temë për debat dhe për bisedime (madje edhe negociata), gjë që është qëndrim i njohur i Serbisë dhe i Rusisë. Në të vërtetë, edhe këto pesë shtete anëtare të BE-së që presin ta dhënë fjalën e tyre finale për temën e Kosovës pasiqë autoritetet më të larta të Prishtinës dhe të Beogradit do ta nënshkruajnë Marrëveshjen Ligjësisht Obligative (qoftë edhe nëse ajo nuk do të bazohet në njohjen formale reciproke), e pak më shumë edhe instancat udhëheqëse të BE-së, e dinë fare mirë se çka është Kosova, apo që ‘Neutralitetit ndaj statusit të Kosovës’, nuk vlenë fare në këtë kontekst. Këtu mund të përmenden vetëm dy shembuj që janë të freskët e që konfirmojnë qartësinë e plotë të BE-së karshi Kosovës, si shtet i pavarur. Shembulli i parë është i vjetër vetëm disa javë dhe përkon me mënyrën se si Brukseli zyrtar iu drejtua Prishtinës zyrtare, pas nënshkrimit të Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Izraelit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, e cila në rastin e Kosovës, pos të tjerash, nënkupton që Kosova do ta hapë Ambasadën e saj në Jerusalem. Brukseli ia bëri me dije Prishtinës (e mos të ishte Kosova shtet, e tëra nuk do të kishte kurfarë kuptimi), që ky është një hap i ngutshëm i Kosovës, duke ditur që shtetet anëtare të BE-së, dhe vet BE-ja në tërësi, njeh Tel Avivin si qytet ku duhet mbajtur apo edhe hapur ambasadat e reja në shtetin e Izraelit. Shembulli i dytë është paksa më i moçëm (disamujor), dhe ai lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me rolin e Emisari Special Lajčak, dhe me mundësinë e një konkludimit të suksesshëm të dialogut në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. Lajčak e pa të udhës kohë më parë që në Beograd, pas një takimi me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, të paralajmërojë edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, në mënyrë që të akomodohet, legalisht, Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Dihet që diçka e tillë, apo ndryshimi i Kushtetutës (së Serbisë), është domosdoshmëri legale dhe politike, pas arritjes së kësaj Marrëveshjeje të synuar. Edhe kësaj here, Lajčak, si një zyrtar i lartë i BE-së, konstatoi pra në mënyrë të tërthortë, që Kosova është shtet i pavarur, ashtu si edhe Serbia, dhe që mund të ndodhë që te dy këto shtete, do të detyrohet të amandamentojnë Kushtetutën e tyre, për shkak të Marrëveshjes së madhe në mes të këtyre dy shteteve. Në çdo variant pra, nuk ka kurfarë dyshimi që politikës së BE-së së ‘Neutralitetit ndaj statusit të Kosovës’, ia ka ardhur fundi, apo, ky koncept tani është me afat të skaduar, veçmas kur dihet që anëtarësimi eventual i Serbisë në BE, për shkak të Kapitullit 35 të negociatave, por edhe në vijim të një përvoje të hidhur (anëtarësimi i Qipros në BE, pa e zgjidhur çështjen e Qipros së Veriut), nuk mund të ndodhë pa e bërë Marrëveshjen me Kosovën, dhe pa e njohur Kosovën. Parimisht pra, BE-ja e di mirë që Kosova është shtet dhe që Serbia nuk ka tjetër mundësi pos që ta bëjë Marrëveshjen me Kosovën (përmes të cilës duhet të ndodhë njohja reciproke). Kjo qasje pra, nuk i rri larg qëndrimit të njohur botërisht të dy Administratave të fundit amerikane (të Presidentëve Trump dhe Biden), të shprehura në mënyrë eksplicite në Letrat që këta të dy ia kanë dërguar Presidentit të Serbisë, Vučić, në vitet 2019 (Trump) dhe Biden (2021). Sipas Trump dhe Biden, njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë është tema kyç e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve. Por teksa Washingtoni zyrtar e shpreh qëndrimit e vet në mënyrë të qartë, pa ekuivoke, në rastin e Brukselit, madje, edhe të Berlinit dhe Parisit (që tani e kanë barrën kryesore të vendimmarrjes politike brenda BE-së), diçka e tillë nuk bëhet, apo, lihet të nënkuptohet si një synim i përbashkët ndërkombëtarë, i cili është fare mirë i ditur për Beogradin dhe vet Vučićin. Megjithatë, dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit që duhet të ketë si epilog të vetin Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, së paku nga ky pikëshikimi i BE-së, këtë elementin e njohjes reciproke (si pjesë përbërëse të padiskutueshme të Marrëveshjes Gjithpërfshirëse), e ka të ndërlidhur me perspektivën e inkuadrimit të Serbisë (dhe të vet Kosovës), në BE. Kur dihet që procesi i zgjerimit të BE-së me shtetet e WB6 (të Ballkanit Perëndimor), është futur në ‘frigoriferët’ me temperaturat edhe më të ulëta se këta frigoriferët ku ruhet vaksina kundër Covidit, nuk shihet se si do të mund të ecë para dialogu i Brukselit dhe se si do të mund të jetë i suksesshëm Miroslav Lajčak, në misionin e tij. Këtu në fakt vjen në shprehje një Hartë e munguar rrugore (Roadmap), për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, deri në fund të kësaj decenie. Pa të, pa këtë hartë pra, të thuash është e paimagjinueshme që bisedimet e Brukselit do të mund të përfundojnë si duhet, në një të ardhme të afërt, që matet me pak vjet. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.